Ekuacioni i kohës, i shtruar për zgjidhje - Nga Edi Oga
Në biseda me miq por edhe nga përmbajtjet e postimeve në rrjete, ndihet një parehati e madhe individuale, e si rrjedhojë edhe sociale. Njerëzit duken çdo ditë e më të palumtur, të pamotivuar e të shqetësuar. Mbizotëron një atmosferë kotësie e pasigurie. Duket sikur kemi humbur busullën dhe xhirojmë në vend. Ajo që të trishton më tepër, është fakti se “diagnoza” është qartësisht e vendosur, shkaqet dhe shkaktarët i dimë dhe i kemi përpara syve, por jemi totalisht të paaftë e të pamundur të aplikojmë “kurën” për t'u “shëruar” nga kjo gjendje.
Jeta e gjithësecilit ka nevojë për një motiv.
Pushtetarët kanë motivin e të qenit gjithnjë në pushtet dhe forcimit të tij.
Ata që mendojnë pak, kanë motivin e të mbijetuarit në çdo rrethanë, edhe nën shtypjen në rritje të kategorisë së mësipërme.
Ata që mendojnë, ata që dinë, ata që në thelb të ekzistencës së tyre kanë dimensionin e lirisë dhe barazisë sociale, ndodhen në kudhrën e mendësisë dhe aktivitetit aktual të dy kategorive të mësipërme, të cilat ushqejnë e mbajnë njëra-tjetrën. Ata ndihen të përjashtuar për sa janë të pamundur ta ndryshojnë këtë realitet. Ata po detyrohen të heqin dorë nga parimet e tyre dhe me pahir të “rreshtohen” në një nga dy kategoritë e tjera, të bëhen shtypës ose të shtypur.
Ky është ekuacioni i kohës. Është shtruar për zgjidhje. Ata që mund ta zgjidhin, duhet ta bëjnë. Nëse nuk e bëjnë, trishtim i madh. Katastrofë.
© Edi Oga





















