Blog

Tepri TV dhe përgjimi publik - Nga Jeta Dedja

Ja, edhe një episod dhe pastaj do fle…Kështu i thoshte vetes Ana kur filloi të ndiqte një serial në Netflix. E vetëdijshme se ishte nën pushtetin e të parit papushim, sërish shtynte orët e gjumit vetëm për pak më shumë histori. Ndërkohë e bija kalonte pjesën më të madhe të kohës në Instagram duke parë e riparë fotot e veta e të të tjerëve.

Ana mendonte se kishte kontroll mbi situatën dhe se mund ta fikte në çdo moment televizorin. E bija deklaronte se Insta nuk kishte asnjë pushtet mbi të dhe se mund ta linte telefonin kur të donte. Por pse nuk e bënin? Ndoshta sepse dopamina e çliruar u jepte mesazhe kënaqësie?

Epoka digjitale po na ushqen sjellje të përdorimit me tepri të teknologjisë. Dikush tejpërdor mediat sociale, dikush platformat si Netflix, Amazon Prime, Digitalb, dikush lojërat virtuale, etj.

Sipas studiuesve, tejpërdorimet e platformave digjitale shoqërohen me reduktim të aktiviteteve sociale, prishje të cilësisë së gjumit, shtim të peshës, apo ndryshim të stilit të jetës e gjendjeve të humorit.

Nga ana tjetër, për shumë individë, mediat digjitale apo sociale mund të plotësojnë nevoja të caktuara psikologjike si për shembull nevoja për t’iu arratisur të paktën përkohësisht një realiteti që prodhon emocione negative duke gjetur strehë në një realitet televiziv, virtual ku individi pikas elementë me të cilët mund të identifikohet ose dëshiron të identifikohet.

Pra, ky lloj eskapizmi është një strategji përballimi që siguron shkëputjen e vëmendjes nga problemet e jetës reale të individit. Të prirur për të përdorur këtë lloj mekanizmi janë personat e vetmuar të cilët kanë mungesa marrëdhëniesh kuptimplota por edhe ata që kanë varfëri ndërveprimesh të vazhdueshme shoqërore apo mungesa angazhimesh apo demotivim në punë e shkollë.

                                                                       ***

Të ngulesh nga mëngjesi e deri pas mesnate për të parë banorët e Big Brother për shembull se si gërhasin, flasin, hanë e ulërasin do të thotë së pari t’i marrësh jetës tënde orë të çmuara.

Ç’ne një pjesë dërrmuese shqiptarësh, këta njerëz vitalë e miqësorë shpenzojnë kohën për të ndjekur aktivisht disa të rinj e të reja të mbyllur në një shtëpi?

A po arratisen ata nga ndjenjat e izolimit dhe po përpiqen të lidhen me njëri-tjetrin përmes një narrative që përfshin karakteret e këtij programi? Kanë krijuar dhe grupe fansash në rrjetet sociale dhe tip komunitetesh ku mblidhen virtualisht. Sa të vetmuar duhet të ndihen globalisht këta njerëz që rrotullojnë botën e tyre rreth një djali të quajtur Leo po themi?

A mos vallë të gjithë këta identifikohen me karakteret e këtij programi, gjejnë veten në fjalët e veprimet, marrëdhëniet e tyre, stilin e komunikimit, të të bërit humor, të të fjeturit, të të tallurit e të gjithçkaje?

Nëse është kështu, atëherë të gjithë këta mbështetës kanë arritur të zhvillojnë një marrëdhënie imagjinare me secilin prej personazheve që pëlqejnë duke prodhuar një lidhje empatie me ta. Në rrjedhim të këtij procesi, ata arrijnë të lidhen emocionalisht dhe prej këtij çasti është vështirë të zmbrapsen. Ata jetojnë me personazhet, futen në lëkurën e mendjen e tyre. E përkushtimi për të mos humbur asnjë çast të ditës kthehet në njëlloj përgjimi kronik publik. Të përgjuarit janë të vetëdjshëm që përgjohen nga Vëllai i Madh dhe vëllezër e motra të tjerë dhe kështu temperojnë performancat e tyre sipas shijeve që perceptojnë se shkojnë me njëra-tjetrën.

Kështu, njerëz të botëkuptimeve të ndryshme orientohen drejt një qëllimi të përbashkët: t’i japin dimensione normale aktit të përgjimit të jetës së tjetrit.  

Në paralel, Big Brother bëhet edhe më BIG. Një ushtri vullnetare punon falas për zyrën e tij të marketingut me ndihmën e të cilëve arrin ta kthejë në normë të shumë pranuar aktin e përgjimit publik në vetëm 100 ditë, apo më pak?

Dhe çfarë mbetet? Në fund mbeten disa episode “skandaloze” me të cilat njerëzit do merren gjatë duke sharë, pështyrë, përgojuar ata “imoralët” pas të cilëve u marrosën në ato 100 ditë.

Dhe pastaj do gjejnë ndonjë tjetër program për t’iu arratisur realitetit të hidhur për të cilin shmangin të mendojnë se diçka kanë në dorë që ta ndryshojnë.

 

Shënim: Emrat e personazheve të përdorur në këtë shkrim janë të sajuar. Asnjë identifikim me persona aktualë nuk synohet.

©Jeta Dedja/Flasshqip.ca