Zgjatja e jetës, sukses dhe kërcënim - Nga Dr. Shefqet Deliallisi
- Published in Jetë dhe stil
Nëse dikush pyet, cili është kulmi i zhvillimit që njerëzimi ka arritur, pakkush do të përgjigjej zgjatja e jetës - shkruan Umberto Ecoo në një nga ese-të e tij. Njeriu shkoi në Hënë 50 vjet më parë. Ende sot, me gjithë përpjekjet, nuk po mundet të shkojë në Mars. Kur njeriu zbriti në hënë, një 60 vjeçar kish mbërritur në fundin e jetës, ndërsa 60 vjeçari sot ka shpresë të kapë të 90-tat”! S'është pak. Në historinë njerëzore një jetëgjatsi e tillë është konsideruar përjashtim nga rregulli. Aleksandri i Madh jetoi vetëm 33 vjet, Mozarti 36, Shopeni 39, Çehovi 42, Shekspiri 52, Da Vinçi shumë plak, plot 67 vjet!
Një parashikim i saktë…
Vite më parë në librin e tij «Një histori e shkurtër e së ardhmes» (2006) Jacques Attali parashikonte: “Do asistojmë një rënie të lindshmërisë dhe rritje me intensitet të lartë të jetëgjatësisë. Një plakje e përgjithshme do të pasojë. Në vendet e zhvilluara jetëgjatësia mesatare në 2025 pritet t’i kalojë të 90-tat"!
Parashikimi i tij është duke ndodhur. Ndërsa në fillim të shekullit 20-të në Amerikë kishte 10 fëmijë për çdo 65 vjeç e lart, në vitet '60-të raporti ra në 4 me 1, në vitet '90-të në 2 me 1, dhe vazhdon të bjerë....
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2050, 22% e popullsisë botërore (rreth 2 miliard) do jenë mbi 60 vjeç, krahasuar me 12%, (rreth 900 milion) në 2015. Kjo rritje pritet të ndodhë jo vetëm në vendet me të ardhura të larta (Japonia, etj), por edhe në ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në vitin 2050 parashikohet që 80% e të moshuarve të jenë pikërisht nga këto vende.
Sukses apo kërcënim?
Tridhjetë vjet jetë më shumë s'janë pak! Sigurisht një sukses. Tregues mirëqenie, progresi, përmirësimi të kujdesit shëndetësor, sigurisë në punë, statusit socioekonomik...
Por, filozofë, mjekë, teoricienë politikë, teologë, paraqesin kritika të forta ndaj përpjekjeve për një jetzgjatje më të gjatë se sot. Është e panatyrshme sipas tyre, për më tepër, kur faza e jetës që zgjatet është vetëm plakja, vitet e "fituara" janë me shëndet të sëmurë, paaftësi, nevojë për asistencë të vazhdueshme duke përbërë një sfidë të madhe për çdo vend.
Ndonëse teknologjitë mjekësore dhe terapeutike kanë avancuar aq sa mund t'i mbajmë gjallë njerëzit më gjatë se kurrë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përkujdesjen e veçantë qër kanë nevojë ata që jetojnë gjatë. Ndërsa zgjatja e jetës po mundësohet gjithnjë e më shumë, nuk mund të thuhet e njejta gjë për zgjatjen e jetës së trurit. Problemet mendore janë shpesh bashkëshoqëruese të plakjes. Ky revolucion demografik ka implikime të mëdha politike, ekonomike, dhe sociale. Veçanërisht mbi kujdesin shëndetsor. Të moshuarit në vendet e zhvilluara konsumojnë rret 40 % të gjithë Kujdesit Shëndetësor. Dhe rritja vazhdon...
Por jo vetëm kaq...
Piramida po shembet!
Tridhjetë vjet jetë më shumë do të thotë tridhjet vjet më shumë pensione për t’u paguar. Kjo barrë rëndohet çdo ditë për gjeneratën punuese, ndërsa numri i të moshuarve rritet me shpejtësi, dhe i të punësuarve tkurret. "Sot në Europë, çdo individ aktiv financon një të katërtën e një pensioni për të moshuarit. Në vitin 2050 do të financojë më shumë se gjysmën"- parashikon Attali në librin e tij.
Sikur kjo të mos mjaftonte, një pjesë e madhe e të rinjve sot hyjnë në jetë me shumë vonesë, ndryshe nga paraardhësit e tyre. Të rinjtë e sotëm vazhdojnë të jetojnë me pensionet e prindërve, ndërsa e kundërta duhet të ndodhte. Piramida pensioneve rrezikon të shembet! Dikush duhet të paguajë, po kush? Janë emigrantët, të padëshirueshmit e dobishëm, që dynden nga vendet e varfra në ato të pasura për një jetë më të mirë.
Plakja sëmundje?!
Të moshuarit janë të hiper-fokusuar deri në obsesion në kërkim të një jetzgjatje më të gjatë. Keqkuptimi i tyre është se i krahasojnë vitet që jetojnë, me vitet e rinisë së tyre. Kjo e bën të pashmangshëm keqinterpretimin. askush s'dëshiron të vjetërohet sepse plakje do të thotë më shumë sëmundje, humbje të aftësive, më pak jetë të lumtur... Në "shërbim" të këtij interesi kaq të shtuar që të moshuarit kanë, janë vënë një Sistem Shëndetsor i shtrenjtë, që veç shëndetit i shërben edhe interesave të mjekësisë së komercializuar, shkenca mjeksore me studimet pa fund kundër plakjes dhe zgjatjen e jetëgjatësisë dhe media që pa fund reklamon "rini të përjetshme," "jetëzgjatje pa kufi" dieta "çudibërse", "superushqime" kundër plakje, vitamina, suplemente, kirurgji kozmetike...
Të treja bashkë kanë krijuar iluzionin që plakja s'është veçse një sëmundje që kurohet! Por kjo"sëmundje" e re duhet të legalizohet dhe..."po i hapet dera trajtimit të plakjes si sëmundje - shkruan në editorialin e saj revista "Lancet Diabetes & Endokrinology" (2018)- një kod i gjerë i implementuar nga OBSH po i paraprin këtij qëllimi"
Por është plakja sëmundje?
Nëse po, cilat shenja dhe simptoma e dallojnë plakjen nga sëmundjet e tjera të pleqërisë? Cilët janë biomarkuesit specifikë për të? Nëse plakja është sëmundje, pse jo dhe adoleshenca, menopauza apo dhe shtatzania? Historikisht plakja është konsideruar thjeshtë një fazë e jetës, një proces natyral!
Pse atëherë këmbëngulet për plakjen sëmundje? Përgjigja është vetëm një: paratë. Sëmundjet kronike janë "klientët" fitimprurës kryesorë të kompanive farmaceutike. Një sëmundje e re sjell një financimit të ri. Plakja sëmundje mundëson regjistrim pa kufi të mjekimeve të reja.
Nga ana tjetër i interesuar është dhe motori intelektual i mjeksisë, shkenca mjeksore. Plakja sëmundje, përbën për të një burim të madh financimi për programet kundër plakjes dhe rritjes së jetëgjatsisë...
Një analogji…
Në librin e tij "Dieta e jetëgjatsisë" profesor Valter Longo, drejtor i Institutit të Zgjatjes së Jetës në Universiteti e Kalifornisë Jugore, bën një analogji : "Të rritësh jetëgjatsinë nëpërmjet marrjes së vitaminave do të ishte si të përmirësoje një nga sinfonitë e Mozartit, duke rritur numrin e violonçelave në orkestër. Violonçeli është instrument i mrekullueshëm ... por për ta bërë më të bukur një sinfoni të Mozartit duhet të jesh më i zoti se Mozarti... Është naive të mendosh se thjesht një shtesë vitaminash dhe mineralesh, apo më shumë lëng portokalli, do mund të përmirësonte organizmit tonë, për përsosmërinë e të cilit janë dashur miliarda vite evolucion".
Jetëgjatsia s'është çeshtje e vullnetit. As dëshirash. Egzistojnë kufij të zgjatjes së jetës të përcaktuar nga gjenet tona, kufij që mbrohen fuqishëm nëpërmjet biologjisë. Shkenca ka dhënë mundësi të jashtëzakonshme për t'i shtyrë këto kufij, por rezultati është dhe do të jetë gjithmonë i kufizuar. Ajo çfarë mund dhe duhet të bëhet është një përkujdesje për të moshuarit të cilëve po u jepet një jetëgjatësi kaq e madhe. Ajo që mund dhe duhet të bëhet është menaxhimi i rënies fizike dhe mendore të pashmangshme te të moshuarit, kur kurimi është i paarritshëm.
Njerëzit duhet të relaksohen. T'i gëzohen fatit që i bëri pjesë të kësaj bote. Qëllimi duhet të jetë jo si të zgjasim vitet e jetës, por vitet e jetës me shëndet të mirë.
Miti i Eos dhe Tithonusit
Në bestseller-in "Being Mortal" Atul Gawande, kirurg amerikan, autoritet në fushën e plakjes dhe vdekjes sjell Mitin e Eos dhe Tithonusit. Eos perëndesha e agimit, e pavdekshme si gjithë perënditë, ishte aq shumë e dashuruar pas Tithonusit të pashëm dhe të fuqishëm sa e kishte të pamundur të duronte ditën kur ai të vdiste. (Tithonusi ishte i vdekshëm ndryshe nga perënditë). Eos iu lut Zeusit t'i jepte pavdeksinë të dashurin të saj. Zeusi ja dha, por Eos kish harruar që bashkë me pavdeksinë t'i kërkonte edhe rininë e përjetshme.
Për shumë vite të dashuruarit jetuan të lumtur, derisa Tithonus filloi të tregojë shenja plakje. Fillimisht Eos e dëboi nga shtrati, por vazhdoi ta donte dhe trajtonte mirë. Koha kalonte. Plakja thellohej, Tithonusi thahej, derisa u gozhdua në shtrat pa mundur më të lëvizte. Eosi s'mund ta shëronte, as mund ta linte të vdiste. Ai ishte i pavdekshëm! Atëherë e mbylli në një dhomë të bukur, prej nga degjoheshin vetëm mërmërima që morën formën e një vajtimi të pandërprerë.
Tithonusi vajtonte pavdeksinë !
Për ta mbyllur…
Poeti polak, mjeshtri i aforizmës, Stanislaw Lec pyet : “Mund të përfytyrohet një dënim me burgim të përjetshëm, i kombinuar me zgjatje artificiale të jetës?”
Sensi i masës është shumë i rëndësishëm. Edhe për jetëgjatsinë. S'duhet të kërkojmë të mbinatyrshmen...