Stil & Jetë

Mite dhe iluzione që na joshin - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

Zemra burim ndjenjash, truri vatër mendimesh. Njera për emocione e drithërima, tjetri për gjykim e racionalitet. Ndër shekuj është krijuar një mitologji e tërë e strukturuar mbi këtë antonimi. Po e vërteta është krejt ndryshe.

Hipokrati 25 shekuj më parë thoshte se emocionet burojnë nga truri dhe jo nga zemra. Sot shkenca e ka provuar në rrugë laboratorike se truri i njeriut gjeneron edhe mendimet edhe ndjenjat e emocionet.

Zemra është pandehur si burim ndjenjash ngaqë truri i mesëm, vendi ku zenë fill ndjenjat, prodhon hormone që përcillen në zemër dhe e bëjnë të ndryshojë rrahjet.

Përkundër kësaj të vërtete shkencore, njeriu vështirë se do heqë ndonjëherë dorë nga miti i zemrës si burim i ndjenjave.

Mbase ngaqë parapëlqen të kundërvëjë mendimin me ndjenjën dhe të trillojë luftë, ndeshje, heroizma, humbje e elementë të tjerë drame që, të gjithë bashkë, e nxjerrin nga limontia e jetes, e bëjnë më special e më të sofistikuar, të ngjashëm me Edipin, Hamletin, Ana Kareninën e qindra të tjerë.

Mbase ngaqë duke trilluar ndeshje mes kokës dhe zemrës, mes ndjenjës dhe arsyes, justifikon në një farë mënyre qasjet instiktive, veprimet e rrëmbyera e të papeshuara. Ia hedh fajin zemrës për të shfajësuar veten.

Me gjasë shkaku është më i thjeshtë: forca e zakonit, kështu mendonte i pari, kështu themi dhe ne. Për më tepër se zemra si metaforë për ndjenjat vështirë se mund të zhbëhet, është ndër elementët më të përhapur të të gjitha kulturave, e gjen kudo nga frazeologjitë e të folurit bisedor tek poezi antologjike.

Cilatdo që të jenë shkaqet për mbijetesën e kundërvenies false mes trurit dhe zemrës, një gjë mbetet e qartë: mitet dhe iluzionet nuk gjallojnë vetëm nga që nuk i njohim gjërat, por edhe nga fakti se na pëlqejnë, na joshin, na hyjnë në... zemër

©Çapajev Gjokutaj