Stil & Jetë

Dilema e të moshuarve - Nga Çapajev Gjokutaj

Gjyshja ishte grua e fortë dhe autoritare, madje bëhej edhe e sertë kur ne fëmijët e trashnim zullumin. Përkundër gjithë këtyre kishte humor dhe jo pak, mbanim ijet me duar kur niste e rrëfente.

I pëlqente të bënte humor sidomos me frikën që pat ndjerë kur largoheshin fshatçe dhe merrnin pyjet për t’u shpëtuar njësive ndëshkuese naziste. Historia që ne fëmijët lusnim ta përsëriste qe ajo kur, në një krizë paniku ishte ndarë nga grupi dhe jepte e merrte të mbulohej me gjethe të rëna. Duke dashur të shihte në kish mbuluar këmbët zbulonte kokën e kështu hynte në një rreth vicioz.

Shkriheshim së qeshuri se rrëfenja s’kishte vetëm fjalë, gjyshja inskenonte një farë pantomime që ne, në kushtet kur s’kishte as radio pa le më kinema e televizor, e përjetonim si spektakël e shkuar spektaklit.

Po mbase më shumë sesa aktrimi, na joshte fakti që gjyshja aq autoritare nuk ndruhej të pranonte që ishte edhe frikacake.

Më vonë do ta realizoja se prirja e gjyshes për të shpotitur edhe veten është dhunti e gjithë hokatarëve të talentuar, dhunti që i bën më realë, më të ngjajshëm me dëgjuesit dhe rrjedhimisht edhe më të pëlqyer prej tyre.

Akoma me vonë do vija re se jo pak të moshuar janë të prirur të bëjnë humor me shumë gjëra, përfshi edhe veten dhe jetën e tyre. Kjo prirje duket se vjen krejt natyrshëm në rrjedhën e jetës.

S’thonë kot se gjatë fëmijërisë njeriu është i prirur nga perceptime legjendare, në rini nga ato heroike, në moshë të pjekur nga dramatiket, kurse në pleqëri nga komiket. E qeshura komike vjen në këtë moshë për të zbutur sadokudo dhimbjen që buron nga vetdijësimi se një pjesë të mirë të jetës e ke kaluar si donkishot, endrrat dhe iluzionet i ke marrë për realitet.

Qasjet komike të moshuarit i përdorin sidomos në prani të nipërve e mbesave. Me një gur vrasin dy zogj: rrisin mundësitë e komunikimit dhe zvogëlojnë distancat me “mjaltin e mjaltit”, por edhe përpiqen që natyrshëm e pa retorikë t’u përcjellin mesazhin se bota s’duhet marrë me seriozitet të tepruar.

Ata të moshuar që ruajnë dhe shtojnë aftësinë për qasje komike e humor dalin të fituar edhe në një aspekt tjetër, mbase më ekzistencial. Me kalimin e viteve fuqia pakësohet e aftësitë veniten. I gjendur para këtij erozioni të pandalshëm, plaku rrezikon të bjerrë vetvlerësimin dhe të zhytet në dëshpërim. Humori është ilaç i pazvendësueshëm kundër depresionit dhe vetmisë.

Të qeshësh a të qahesh, kjo është dilema që përjeton çdo i moshuar, vetëm se ndryshe nga Hamleti, në dorë nuk i duhet të mbajë kafkën e Jorikut, por të vetën.

©Çapajev Gjokutaj