Stil & Jetë

Lumturia varet edhe nga të qenit i palumtur - Nga Burim Bardhari

Përshtatu e përballo! Sepse çdo e keqe e ka një të mire, prandaj çfarëdo që ndodh, ndodh edhe për të mirë (afatgjatë). Mjerisht vetes ia mohojmë lumturinë si pasojë e vuajtjeve të keqkuptuara dhe besimeve kufizuese.

Paradoksalisht “lumturia jonë varet nga të qenit të palumtur”, pasiqë jeta me të drejtë mund të shpërblejë vetëm nëpërmjet vuajtjeve, që ne të çmojmë vlerën e begatisë ose arritjeve tona, përndryshe mund t'i nënshtrohemi pesimizmit e nihilizmit.

Fatkeqësitë ndodhin vetëm në moment, por ne i përjetësojmë ato, ngase druajmë të mos përsëriten, përndryshe njeriu “përshtatet e përballon” çdo gjë, ndaj nuk duhet të jetojmë si lugetërit e shkuarsisë dhe historisë.

Trimi im shembullor është shkencëtari i ndjerë, astrofizikani Stivën Hokin (Stephen Hawking), i cili kaloi gati gjysmë shekulli i mbërthyer në karrigen me rrota dhe prapë përparoi në jetë, kishte familjen e tij dhe nuk u bë ndonjë tekanjoz e sqimatar kot, megjithëse ishte i pasur dhe i famshëm, por pasuria dhe fama nuk i ranë në kokë.

“Çfarëdo që të ndodhë, ndodh për të mire”, thotë një fjalë e huaj, barasvlertas si në shqipen e shenjtë, se “çdo e keqe ka një të mirë”, nëse ne vërtetë përpiqemi ta kuptojmë, ndaj do të rikallzoj një tregim të shkurtër.

Dikur na ishte një mbret i cili bashkë me fisnikët oborrtarë shkuan për gjueti. Mirëpo mbreti pësoi një fatkeqësi të tmerrshme, sepse humbi njërin gisht tregues dhe me tërbim filloi të bërtiste e të shante. Megjithatë, një nga fisnikët e pandarë, të cilit i besonte më shumë, u përpoq ta qetësonte. “Madhëria juaj, me keqardhje po ju lutem, mos u shqetësoni, ngase çfarëdo që ndodh, ndodh për të mire”, duke shpresuar se ndikonte mendimi pozitiv, por mbretit i iku truri dhe urdhëroi rojet e tij që ta hidhnin në birucë.

Gjatë ndërmarrjes së ardhshme të gjuetisë, mbreti dhe fisnikët e tij besnikë u ndanë papritur nga tisi i mjegullës dhe brodhën larg njëri tjetrit. Papritmas mbreti i vetmuar u kap peng nga banorët e lashtë vendor, të cilët ligjërisht ishin në tokat e tyre dhe nuk përfshiheshin si nënshtetas të mbretërisë tij.

Mbreti iu lut atyre për lirimin e tij, duke u premtuar atyre të gjitha llojet e dhuratave, por banorët e egër deshën ta përdornin si theror, flijim njerëzor, për ta kënaqur hyjninë e tyre.

Për fat të mirë, një plak i fisit vuri re se mbreti nuk ishte i përshtatshëm, ​​“i paplotë” për flijim, për shkak të gjymtyrës që i mungonte, pasi kjo do të fyente hyjninë e tyre, kështu që ata e lëshuan mbretin të largohej i lirë.

Mbreti u trondit që iu fal jeta dhe urdhëroi të lirohej fisniku i tij besnik, i kërkoi falje sepse atëherë kishte dhimbje, por iu desh t'i bënte një pyetje, “ishte e vërtetë, se zezona ime ndodhi për të mirën time, por si përfitove ti?”

Fisniku i pandarë iu përgjigj se edhe ai ishte kursyer si mbreti pasi ishte i pacen, por për shkak të mungesës së tij gjatë gjuetisë, si pasojë e burgimit ai nuk u kap dhe nuk u flijua.

***

Harrojmë se e keqja ndodh në moment dhe nuk duhet ushqyer gjithmonë sepse e keqja dhe e mira janë pafundësisht befasuese, prandaj duhet ta gjejmë vetëm të mirën dhe t’ia falim vetes e tjerëve për të keqen.

Mësim i vyer nga mençuria ndjenjore ose inteligjenca emocionale e cila nuk fitohet falas.

Mjerisht vetes ia mohojmë lumturinë si pasojë e vuajtjeve të keqkuptuara dhe besimeve kufizuese.

©Burim Bardhari