Stil & Jetë

Zonja me qen - Nga Çapajev Gjokutaj

Një zonjë është përkulur mbi qenin dhe, sipas të gjitha gjasave e fton të kundrojë perëndimin, të mahnitet me nuancat e të kuqes që kanë përflakur qiell e det.

Nga largësia përfytyroj se zonja po i pëshpërin qenit, sikur të kishte frikë se zëri do cënonte diçka nga magjia e këtij çasti, ndërkohë që pëshpëritja përcjell dhe intimitet dhe dëshirë për t’u ndjerë sa më pranë tjetrit.

Po tjetri është qen, do thoshnin disa nga miqtë e mi, që prirja për të qenë kurdoherë esëll dhe sa më pranë të vertetës, i shtyn të shkelin jo rrallë në viset e cinizmit.

E ç’të keqe ka ta përfytyrosh qenin si njeri, të japësh e të marrësh me të jo vetëm shërbime të përditshme e ushqim, por edhe ndjenja? Për më tepër dëshira që një përjetim të bukur të mos e përjetosh vetëm, por ta ndash me tjetrin, ta grishësh atë të lumturohet po aq sa ti, është në analizë të fundit përpjekje, sado modeste, për ta bërë botën më të mirë e më të bukur.

Ndërkohë që admiroj zonjën, vë re se qeni nuk po sheh perëndimin, po diçka në periferinë majtas. Kjo më bën të sjell në mend se vështrimi i qenit ndryshon nga i njeriut, qeni dallon nuancat mes blusë së thellë dhe të verdhës, por nuk i vë re nuancat e të kuqes, aq të pranishme në këtë perëndim. Veç kësaj, syri i qenit, më shumë se natyrën e qetë dhe nuancat e ngjyrave, është i prirur të kapë lëvizjet, sidomos levizjet periferike.

Dhe kështu magjia e perëndimit është prishur, ndaj tani vozis në ujrat e racionales, kaluar mbi pyetjen: pse aq shpesh i përfytyrojmë të tjerët sikur kanë cilësitë dhe nevojat tona, shpreh kjo dashuri e vlerësim apo nënçmim e dëshirë për t’u vetvënë në qendër e për të patur pushtet?

“How to be animal?” është libri që po lexoj këto ditë, shkruar nga Melanie Challenger, libër që po më intrigon më shumë se titulli: si të jesh kafshë? Po kjo e librit është histori e gjatë dhe, ndryshe nga zonja me qenin, tani për tani po e mbaj vetëm për vete.

© Çapajev Gjokutaj