Psikologji

Mitomanët ose gënjeshtarët patologjikë

Ka njerëz që me raste gënjejnë. Dhe kjo ndodh te shumica. Por ka edhe nga ata njerëz që gënjejnë vazhdimisht, çdo ditë dhe për shumë gjëra të rëndësishme e të parëndësishme. Këta quhen mitomanë, gënjeshtarë patologjikë ose gënjeshtarë profesionistë. Shpesh janë të dallueshëm për shkak të këtyre tipareve:

Gënjeshtrat e tyre janë të besueshme dhe kanë elementë të vërtetë.

Gënjeshtrat e tyre zgjasin në kohë.

Gënjeshtrat e tyre kanë më tepër motivim të brendshëm sesa të jashtëm.

Gënjeshtrat e tyre janë të tilla që priren ta nxjerrin sa më të zot gënjeshtarin. Për shembull ka persona që gënjejnë se kanë Master shkencor kur në fakt nuk e kanë apo që një PhD të marrë në një sistem arsimor ku diplomat mund të blihen me lekë përpiqen ta “shesin” si shkencë të mirëfilltë. Ata i veshin vetes tituj “nderi” që nuk i kanë ose që nuk parashikohen asgjëkundi. Ata përpiqen përmes sajimeve të gjërave të paqëna apo CV-ve të mbushura me informacion të pavërtetë të shiten si të pakonkurueshëm.

Për të sjellë një shembull nga letërsia, një lloj mitomani ishte dhe Zylo Kamberi, personazhi kryesor i romanit satirik të Dritëro Agollit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

Gënjeshtarët kompulsivë dhe gënjeshtarët patologjikë

Termat "gënjeshtra kompulsive" dhe "gënjeshtra patologjike" përdoren shpesh në mënyrë të ndërsjellë. Megjithatë profesionistë të shëndetit mendor i klasifikojnë si të ndryshme.

Në këtë kuadër, gënjeshtra kompulsive është prirja për të gënjyer pa kontroll. Njerëzit e kësaj kategorie gënjejnë pa asnjë ngurrim dhe madje ndihen më rehat me të gënjyerin sesa me të vërtetën.  Ata mund të gënjejnë në mënyrë të përsëritur për çështje të rëndësishme dhe të parëndësishme.

Gënjeshtarët kompulsivë shpesh gënjejnë pa motiv apo qëllim. Ata madje thonë gënjeshtra që mund të dëmtojnë reputacionin e tyre. Edhe pasi zbulohen gënjeshtrat e tyre, gënjeshtarët e këtij kalibri nuk do ta pranonin të vërtetën.

Ndërkohë, të gënjyerit patologjik ka një motiv të qartë. Një person mund të gënjejë që të fitojë vëmendje apo admirim. Gënjeshtra të tjera mund të sajohen për të përfituar mëshirën ose ndihmën e të tjerëve. Edhe gënjeshtra vetëdëmtuese mund t’u japin një formë kënaqësie.

Njerëzit që gënjejnë në mënyrë patologjike mund të miksojnë gënjeshtrat me të vërtetën për t'i bërë më të besueshme gënjeshtrat e tyre. Si e tillë, gënjeshtra patologjike shpesh konsiderohet një formë më delikate e manipulimit sesa gënjeshtra kompulsive.

Nga vjen të gënjyerit?

Të gënjyerit patologjik është simptomë e disa çrregullimeve të ndryshme psikologjike si tek narcisismi, bipolariteti, personaliteti kufitar, etj.  

Disa psikologë besojnë se mjedisi luan një rol të rëndësishëm tek gënjeshtarët. Një person mund të jetojë në një kontekst ku mashtrimi mund t’i sjellë përparësi. Nëse një komunitet nuk merr masa për t’i treguar vendin atyre që gënjejnë ose nuk bën verifikime për thëniet e kundërthëniet, atëherë gënjeshtarët do të shtohen. Gjithashtu të gënjyerit shihet edhe si një mekanizëm mbrojtës te personat me vetëvlerësim të ulët ose me trauma nga e kaluara.

Pavarësisht këtyre përfitimeve, një gënjeshtar besohet se jeton nën stres pasi i duhet të mbulojë me skenar gjithçka ka sajuar si dhe të shmangë pasojat e mundshme të gënjeshtrave të zbuluara.

Trajtimi

Njerëzit që gënjejnë pareshtur e pa kontroll duhet të kërkojnë ndihmë. Do të jetë e vështirë nëse do të gënjejnë edhe terapistin, megjithatë nëse zgjedhin mirë dhe duan vërtetë të jetojnë pjesën e mbetur të jetës pa maska që gënjeshtra i ndërton, kanë shpëtim.

@FlasShqip.ca

Referenca:

Birch, C. D., Kelln, B. R. C. & Aquino, E. P. B. (2006). A review and case report of pseudologia fantastica. The Journal of Forensic Psychiatry&Psychology, 17(2), 299-320.

Diagnostic and statistical manual of mental disorders: DSM-5. (5th ed.). (2013). Washington, D.C.: American Psychiatric Association.