Psikologji

Keni ndihmuar ndonjëherë?

Kemi parë shpesh individë, ose organizata që marrin inisiativa në dobi të njerëzve në nevojë. A është kjo sjellje tregues i bujarisë së tyre, përkushtimit apo nën gjithçka që shohim fshihet përfitimi? Le të tregojmë se nga buron bujaria.

Shumica e gjërave që bëjmë, burojnë nga dëshira për të rritur të ardhurat dhe për të ulur shpenzimet, “principi minimax”. Të ndihmosh shpërblehesh në 3 mënyra: ose duke rritur mundësinë që në të ardhmen dikush do të na ndihmojë, si këmbim çliron stresin e soditësit. Ose duke fituar  miratim social. Ose duke e rritur vlerësimin për veten. Për shembull ka nga ata që bëjnë vepra të mira dhe gjatë këtyre aktiviteteve bëjnë foto dhe i ekzpozojnë menjëherë në rrjete sociale. Kjo bën që atyre tu rritet vetëvlerësimi përmes miratimit social që marrin nga ndjekësit që u bëjnë “like” apo komente.

 

Teoria e çlirimit të gjëndjes negative thotë që njerëzit do japin ndihmë nëse kanë përfitim të menjëhershëm afatshkurtër prej saj. Kur njerëzit e njohin mirë njëri-tjetrin, ata interesohen më shumë për efektet afatgjata të ndihmës sesa ato afatshkurtra. Marrëdhëniet shoqërore janë ato në të cilat shqetësimi primar i njerëzve është mirëqënia e tjetrit, ndërsa marrëdhëniet me shkëmbim drejtohen nga interesat për pasurinë. Megjithatë shpërblimet janë njëlloj të rëndësishme në të dy tipet e marrëdhënieve, por shpërblimet janë të ndryshme.

Të ndihmuarit mund edhe të kushtojë. Kështu që ndihma zvogëlohet kur lipsen shpenzime të larta për të realizuar atë. Këmbimi social nënkupton që njerëzit ndihmojnë kur shpërblimet i kalojnë shpenzimet. Kjo dmth që nuk ka altruizm të pastër. Por ka plot njerëz që janë zemërbardhë nga natyra. Këta tipa ndihmojnë sidomos kur ndjejnë keqardhje për personin në nevojë. Ata janë empatikë.  Dhënia e ndihmës mund të kultivohet e inkurajohet që në fmëijëri. Kur fëmijët ndihmojnë dikë duhet tu thuhet se janë të mirë dhe të dashur.  Prindërit gjithashtu mund të ndihmojnë në rritjen e sjelljes prosociale duke e shfaqur vetë atë. Fëmijët mësojnë duke vëzhguar gjithçka që vlerësojnë dhe dëshirojnë prindërit.

A ka personalitet altruist? Nuk besohet se ka altruizëm të pastër, përvec rasteve të shenjtorëve si humanistja e madhe shqiptare Nënë Tereza dhe njerëzve të përkushtuar ndaj fesë. Për të tjerët theksohet se njerëz të ndryshëm ndihmojnë në situata të ndryshme. Burrat ndihmojnë më tepër në situata heroike, kalorsiake. Akoma edhe më shumë nëse janë nga fshati, pasi banorët e zonave rurale edukohen të jenë më të lidhur me fqinjët dhe kështu shfaqin besim tek të panjohurit. Ndërsa gratë ndihmojnë më tepër me mënyra edukuese që kërkojnë angazhim afatgjatë. Ndërkohë që si burrat ashtu edhe gratë, po të jenë me humor të mirë, ka të ngjarë që ndihmojnë më tepër. Pse kështu? Sepse kur njerëzit janë me humor të mirë i interpretojmë ngjarjet me një këndvështrim pozitiv, të këndshëm. Ata japin ndihmë për të zhvilluar më tej gjendjen e mirë shpirtërore. Humori i mirë ua rrit kujdesin, vëmëndjen ndaj vetes dhe kjo bën që të sillen  në përputhje me vlerat dhe besimet e tyre.

Por nga ana tjetër, edhe nëse ndihen keq, njerëzit mund të bëjnë mirë. Sidomos kur ndihen fajtor për diçka, janë të prirur të  japin ndihmë. Trishtimi çon drejt ndihmës në disa rrethana. Për të harruar fatkeqësinë e tyre, njerëzit ndihmojnë të tjerët. Sipas kësaj teorie, kur njerëzit janë të trishtuar japin më tepër ndihmë por vetëm kur nuk kanë rrugë tjetër për të ndryshuar gjëndjen.

Dhe nëse njeriu qenka kaq ndihmëdhënës, pse rrinë si hu gardhi shumica kur ndonjë një situatë e rëndë në rrugë??

Kjo ndodh sepse sa më shumë njerëz të jenë përreth në një ngjarje, aq më pak ka të ngjarë që ata të ofrojnë ndihmë dhe aq më ngadalë do ta bënin atë. Kjo ndodh sepse ata presin nga njëri-tjetri, duke e shpërndarë përgjegjësinë mes tyre gjë që çon në dështimin e dhënies së ndihmës. Secili supozon se dikush tjetër do të japë ndihmë dhe si rezultat askush nuk ndihmon.

Megjithatë njerëzit jo gjithmonë duan të ndihmohen. Nëse ndihmohen kjo do të thotë që ata do  të duken inkompetent dhe do të vuajnë në heshtje. Prandaj kujdes në dhënien e ndihmës që mund të kërcënojë vetëvlerësimin e tjetrit.

©FlasShqip.ca