Psikologji

Pse një njeri nuk e mban fjalën që jep?

Ndërvarësia, është pjesë e rëndësishme e një raporti mes miqsh. Nuk po flasim për varësinë patologjike të kuptohemi. Nëse njëri ose të dy nuk mund të varen te njëri-tjetri, të kenë besim, të ndajnë gjëra, mendime, ndjenja, qëndrueshmëria e raportit është e diskutueshme.

Kur jepni një premtim ose thoni që do të bëni diçka dhe më pas nuk e mbani fjalën tuaj, e ulni njeriun ose njerëzit që ua keni thënë duke dëmtuar në këtë mënyrë marrëdhënien. Mbajtja e fjalës dhe zbatimi i premtimeve ndihmon për të forcuar besimin tek njëri-tjetri. Nga ana tjetër mosrespektimi i fjalës tuaj përcjell mesazhin tek të tjerët se ju flisni pa menduar dhe çështja nuk ju intereson aspak.

Kjo i bën miqtë tuaj të ndjehen të pavlerësuar e të parëndësishëm, por gjithashtu edhe t’ju heqin vizën juve për burracakëri dhe mungesë karakteri.

Plot arsye mund të gjenden pas kësaj dhe sigurisht që shkaqet janë të ndryshme në individë të ndryshëm. Disa njerëz tentojnë të minimizojnë nevojën për tjetrin, por edhe pasojën shpesh si rezultat i përvojave të hershme të fëmijërisë. Këta lloj fëmijësh nuk janë mësuar me këtë lloj modeli, që fjala ka peshë dhe duhet menduar mirë para se ta nxjerrësh nga goja.

Ndërsa për dikë të rritur në një familje me prindër autoritarë, ku ka patur disiplinë, fjala jepet lehtë, por edhe pasojat negative dihen. Këta bëhen mjeshtër të luajnë me arsyetimin e dhënies së fjalës ose mosdhënies së saj. Bëjnë 100 shpjegime për të mbrojtur veten se nuk ishte dhënie fjale diçka e thënë në një moment të caktuar.

Të tjerë thjesht nuk dinë se si të jenë të ndershëm dhe të thonë jo. Ata duan të kënaqin të tjerët në një moment, i kap euforia dhe thonë PO për diçka që në të vërtetë nuk duan ose nuk kanë forcë ta bëjnë.

Disa të tjerë kanë probleme me kontrollin, u duket sikur po të mbajnë premtimin që kanë dhënë, do humbin pushtetin dhe të tjerët do të kenë kontroll mbi ta.

Mosmbajtja e fjalës është burracakëri dhe një kriter absolut që e zhvlerëson një marrëdhënie miqësore por edhe publike.  

 ©Flasshqip