Mbase gjithçka nis e mbaron me sytë - Nga Çapajev Gjokutaj
Besoj ju ka rastisur që, megjithëse me kurriz nga i panjohuri, ju e ndjeni se po ju vështron. Ndjeni një lloj bezdie pa e caktuar dot shkakun.
Psikologu nobelist Daniel Kahneman kumton këtë eksperiment:
Punonjësit e një zyre e marrin kafen nga automati në korridor. Harxhet për furnizimin e aparatit i mbulojnë kolektivisht: hedhin monedha në një kuti përbri automatit. Nuk ka ndonjë rregull a kontroll, secili hedh sa do dhe kur e sheh të arsyeshme.
Psikologët, pa i thenë kujt, filluan të venë mbi automat herë një poster me lule, herë një poster me një palë sy. I alternuan çdo javë për disa muaj rresht.
Rezultati? Në javët e posterit me sy kontributet ishin 4 herë më shumë se sa në javët e posterit me lule.
Kur i pyetën më pas, shumica e punonjësve thanë se as që i kishin vënë re posterat.
Që sytë dhe vështrimi kanë diçka të çuditshme dhe gati-gati magjike, pranohet njëzëri.
Por ky konsensus prishet kur vjen puna të shpjegohet nga buron e çuditshmja.
Mbase gjithçka nis e mbaron me sytë. Mundet që gjenerojnë valë, mundet që kryejnë funksione mistike të cilat nuk shpjegohen me logjikë.
Mbase ndjeshmëria për sytë e tjetrit është kërkesë ekzistenciale, qysh herët ka qenë e lidhur me mbijetesën. Kur i lashti haste një të huaj, e shihte në sy për të marrë vesh tak-fak çfarë synonte: ta përshëndeste a ta sulmonte.
Po ku ta dish se ndjeshmëria për sytë e të tjerëve nuk buron nga fakti që njeriu ndihet nën vëzhgim kudo e kurdoherë. Ndjesia se survejohesh nga tjetri, nga shoqëria në tërësi, është imponuar nga morali i çdo kohe, si mjet për ta bërë zap individin, sidomos egot dhe tundimet e tij.
Ideja se gjithçka bëjmë në këtë botë vrojtohet e shënohet, ka shërbyer e shërben edhe si një nga arkitrarët e feve abrahamike.
I përdorur kështu, vështrimi i tjetrit, - herë njeri e herë perëndi, - doemos që do të merrte forcë të madhe, gati-gati misterioze.
©Çapajev Gjokutaj











