Shëndet

BOZA-Made in Albania

Kjo është pija që u shton nënave me fëmijë prodhimin e qumështit të gjirit. Kështu njihet Boza në Shqipëri, pija e prodhuar me miell mistri e gruri, kokrra meli, sheqer, ferment (farë buke ose bozë e mëparshme) dhe ujë.

Thuhet se ishin goranët e Kukësit ata që shpikën të parët bozën, të cilët për hir të së vërtetës e kanë ruajtur dhe trashëguar formulën edhe në ditët e sotme. Por thonë edhe se është pije e shpikur nga shqiptari Haxhi Sadiku, në 1876 i cili e tregëtonte në dyqanin e tij në Stamboll. Dhe sigurisht për shkak të suksesit që pati, formula e bozës u kopjua edhe nga turqit, bullgarët dhe maqedonsit. Por boza shqiptare dallon nga bozat e prodhuara në vendet tjera ngaqë përbërësi kryesor i saj është misri, kurse në Turqi, Bullgari e Maqedoni mund të jetë gruri, elbi, meli dhe qiqrat.

Specialistët rekomandojnë konsumimin e bozës pasi ajo sjell disa të mira për shëndetin siç janë: normalizimi i tensionit të gjakut, ndihmon në tretjen e ushqimit, përmban vitamina A, C, E, dhe katër lloje vitaminash B, proteina, kalcium, hekur, fosfor, zink. Boza është një pije që të jep energji dhe forcë. Ajo ka baktere mjaft të mira dhe rekomandohet për atletët si edhe gratë shtatzënë. Pas prodhimit boza duhet të ruhet në një temperaturë prej 2-3 gradë celsius, për rreth një muaj. Boza nuk duhet të lihet në ngrirje, pasi kjo sjell ndarjen e ujit nga lënda e thatë. 

Por boza është aq e shijshme dhe freskuese saqë nuk i mbetet kohë të harrohet në frigorifer.

©FlasShqip.ca