Shëndet

T'i përgjigjemi COVID me gjuhën e shkencës - Nga Dr. Erion Dasho

Në të gjithë botën pandemia nga COVID ishte një sfidë jo e lehtë për shkencën. Në vitet e fundit kërkimi shkencor është fokusuar në drejtime shumë të avancuara, duke lënë pas dore në mënyrë të pafalshme problemet e “vogla” si epidemitë dhe pandemitë. Kjo u duk hapur sidomos në muajt e parë të pandemisë.

Ndër dështimet e mëdha të kërkimit shkencor gjatë pandemisë së COVID do të veçoja:

1) Ende është e paqartë se si përhapet virusi SARS-CoV-2 dhe pikëpyetja më e madhe mbetet mbi rolin e aerozoleve në transmetim.

2) A duhen mbajtur maskat apo jo dhe çfarë mbrojtje ofrojnë ato? Edhe kjo pyetje elementare nuk ka marrë ende një përgjigje shterruese.

3) Përgjatë pandemisë ka patur shpesh promovim të “trajtimeve çudibërëse” të cilat pasi kanë ngjallur një entuziazëm fillestar, u provuan një nga një si të paefektshme.

4) Në kundërshtim me çdo njohuri mjeksore, rënia e titrit të antitrupave u njësua me humbjen e imunitetit, deri sa u risqarua (bazuar në një të vërtetë dhjetëra vjeçare) se imuniteti ndaj COVID zgjat me muaj të tërë, të paktën tek personat që e kalojnë COVID-in me shenja klinike.

Nga ana tjetër, kërkimi shkencor pati edhe arritje spektakolare:

1) Grupet e politikë-bërjes dhe menaxhimit arritën të përmblidhnin në një trinom fare të thjeshtë krejt filozofinë e kontrollit të COVID: testo-gjurmo-trajto! Të gjithë vendet e përgjegjshme e zbatuan këtë trinom pa mëdyshje duke shpëtuar mijëra jetë.

2) Mbikqyrja epidemiologjike dhe modelet parashikuese lejojnë të gjenerohen rekomandime të sakta mbi masat kufizuese, çka Europa po e bën me sukses prej muajsh.

3) Në mungesë të një trajtimi specifik, u hartuan rekomandime të bazuara mbi evidenca dhe protokolle të qartë se kur duhet nisur trajtimi simptomatik, trajtimi me antibiotikë dhe kortizon, suporti me oksigjen, se kur duhet menduar trajtimi dhe spital dhe ai në kujdesin intensiv. Këto tashmë janë standardizuar në protokolle dhe udhëzues tepër të thjeshtë në përdorim.

4) Pa diskutim arritja më e madhe e kërkimit shkencor ishte prodhimi në kohë rekord i vaksinës ku për momentin janë katër-pesë vaksina në përdorim komunitar dhe po kaq të tilla në fazat e fundit të testimit.

Po Shqipëria?

Prej kohësh Shqipëria nuk është “prodhues” në shkencën mjeksore, por në mënyrë paradoksale dhe madje skandaloze, përgjatë epidemisë së COVID, sistemi ynë shëndetësor nuk arriti të bëhej as “konsumator” i njohurive shkencore të gjeneruara nga bota.

1) Trinomi testo-gjurmo-trajto nuk u zbatua në asnjë hallkë të tij. Në vend që shkenca t’i imponohej politikës, ishte kjo e fundit që imponoi kapriçiot e veta. Politika rezistoi deri në fund për të mos testuar dhe sot jo vetëm testet e tamponit nuk ofrohen në masën që nevojiten, por nuk u përdor as edhe një fraksion i testeve të shpejta, ndonëse ka kaluar një muaj nga blerja e tyre.

2) Ndërsa gjithë vendet hartonin hartat me ngjyra sipas zonave të rrezikut të transmetimit të COVID dhe merrnin masa proporcionale, Shqipëria mbetet i vetmi vend në botë ku mund të gjobitesh njëlloj për mosmbajtje maske si në qendër të Tiranës dhe në Theth. Dizenjimi i këtyre hartave duhej të ishte bërë nga epidemiologët shqiptarë të cilët duhet të detyronin ministrinë të zbatonte masa të përshkallëzuara dhe jo masa sipas parimit një masë u shkon të gjithëve.

3) Përvoja e cituar më lart lidhur me trajtimin e bazuar mbi evidenca nuk u “përtyp” asnjëherë nga mjekët klinicistë, opinion-bërës, të spitaleve COVID. Kulmi arriti dje, kur një anëtar i qeverisë deklaroi diagnozën pozitive me COVID si dhe trajtimin që është duke marrë. Nuk mund të mos bëjë përshtypje se ai mjekim nuk përputhet me protokollin e miratuar për trajtim në shtëpi dhe me shumë gjasa është i gabuar. Besoj se çdo koment është i tepërt.

4) Shpesh një grup shkencëtarësh i duhet vendit për një moment të vetëm. Në rastin e vaksinës së COVID, ky moment duhej të kishte qënë Vera e këtij viti, kur shkencëtarët duhej të kishin rekomanduar 3-4 kompani me të cilat duhej të ishte lidhur parakontrata për blerjen e vaksinës. Këtë bëri pothuajse çdo vend, madje edhe fqinjët tanë si Serbia dhe Kroacia. Duke mos ndërmarrë një veprim të tillë në kohën e duhur, shteti shqiptar është katandisur si lypsar dhe ministria nuk është në gjendje as të japë një datë të përafërt se kur mund të nisë vaksinimi.

Në cilat drejtime duhet punuar që kërkimi shkencor të rivendoset në shina?

1) Aktiviteti shkencor dhe kërkimor duhet të bëhet i detyrueshëm për çdo mjek dhe infermier me veprimtari akademike pavarësisht nëse punon në sektorin publik apo atë privat, pavarësisht nëse është profesor me kohë të plotë apo të pjesshme.

2) I detyrueshëm duhet të jetë ky aktivitet për të gjithë punonjësit e Institutit të Shëndetit Publik apo ndonjë instituti tjetër shkencor që funksionon ende pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Si kjo pikë edhe ajo paraardhëse kërkon një buxhet vjetor të garantuar për kërkimin shkencor.

3) Derisa kërkimi shkencor në vend të hyjë në “hulli”, partneriteti me institucione ndërkombëtare dhe komunitetin kërkimor shqiptar në botë duhet të bëhet i detyrueshëm në çdo projekt kërkimor. Madje për një periudhë 5 vjeçare bashkëdrejtimi i projekteve me një profesor të huaj duhet të jetë i detyrueshëm.

4) Në rastin e mekanizmave financues ndërkombëtarë ku Shqipëria kontribuon por nuk përfiton, të krijohen klauzola penalizuese për strukturat përgjegjëse të shtetit që qëndrojnë pasive. Përgjegjësia duhet të shprehet deri në humbjen e vendit të punës në se shteti shqiptar siç përflitet kontribuon miliona euro për programe të caktuara dhe nuk përfiton asgjë në këmbim.

5) Të krijohet një mekanizëm financues për kërkimin shkencor, përbërja dhe balanca e vendim-marrjes të të cilit të anojë nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë. Qarkullojnë barcaleta për të ashtuquajturat “kërkime” që gjasme financohen me burime publike vendase, por përfundojnë si qoka apo mekanizma korruptivë.

Këto janë vetëm disa ide për të rigjallëruar kërkimin shkencor. Nëse sot Shqipëria do të kishte një grup aktiv kërkuesish shkencorë që të drejtonin përgjigjen ndaj COVID-19 do të kishim patur më pak të sëmurë dhe më pak të vdekur.

Të nisim t’i krijojmë sot për të përballuar sfidat e mundshme të së ardhmes!

©Erion Dasho