Shëndet

Obeziteti dhe këshillat e mjekut

 Nga Dr. Shefqet Deliallisi

Bëhet fjalë për dështimin e madh të shkencës mjekësore dhe shkencës së ushqyerjes. Rënien në peshë, dhe ruajtjen e peshës së humbur te njerëz mbipeshë dhe obezë. Bëhet fjalë për "kokfortësinë" e obezitetit për ta ruajtur peshën. Por dhe "kokfortësinë" e mjekëve për të vazhduar me këshilla që s'funksionojnë.

Sipas një analize të vitit 2007 në Universitetit të Kalifornisë në Los Anxheles, prej njerëzve që mbajnë dietë dhe bien në peshë, ata që e ruajnë peshën e humbur janë: "më shumë një përjashtim i rrallë, se një rregull." Është e vërtetë se kufizimi i ngrënies siguron një humbje afatshkurtër në peshë, krijon iluzionin se ne kemi kontroll të vetëdijshëm mbi peshën tonë, por afatgjatë organizmi nëpërmjet një përgjigje të fuqishme biologjike, punon fort për kthimin e peshës aty ku ajo ishte.

Dhe biologjia e humbjes së peshës së tepërt, është shumë më e komplikuar se këshilla "hani më pak, dhe lëvizin më shumë." Por le t'i kthehemi një historie të mbi 100 viteve me parë.

Presidenti obez

Obeziteti, që konsiderohet si produkt i stilit të jetesës moderne sedentare dhe fast food-i, të paktën në disa raste, është trajtuar si një problem mjekësor që në fillim të shekullit 20. William Howard Taft, presidentit i 27-të i SHBA, në vitet 1909-1913 ka qenë i vetmi president masivisht obez. I shqetësuar për shëndetin dhe pamjen e tij të jashtme, objekt i karikaturave me trupin e tij të majmur, ai luftoi fort për kontrollin e peshës. Betejën e tij me obezitetin e përshkruan historiania e mjeksisë, Deborah Levine, në revistën Annals of Internal Medicine, pas një analize të letërkëmbimit mes presidentit dhe mjekut të tij të dietës, të zbuluar në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Ashtu si shumë aplikues të dietës sot, edhe Taft (187cm i gjatë) e humbi dhe e rifitoi peshën, duke u luhatur nga mbi 158kg në 115kg. Nëpërmjet një diete me pak yndyrë, pak kalori, pa vakte të ndërmjetme. Duke mbajtur një ditar të përditshëm për ç’hante dhe duke ndjekur një program aktiviteti fizik të posaçëm, pas gjashtë muajsh kishte humbur 60 kg. Pamja e jashtme i kish ndryshuar, por vazhdimisht ai ishte i uritur. Dhe dalëngadalë uria e mposhti. Në vitin 1909, rifitoi gjithçka kish humbur, madje më tepër. Ndonëse s'hoqi dorë nga përpjekjet për të rënë në peshë, dhe 25 vitet e mbetura i kaloi duke u konsultuar me mjekët, në fund të jetës në vitin 1930, Taft peshonte plot 280 kg!

Historia e presidentit obez, hedh dritë mbi çfarë po ndodh sot me obezitetin. “Nëse Taft do jetonte sot – sipas ekspertëve - mjekët do t’i ofronin atij një ndërhyrje kirurgjikale, që ka efekt të madh për të rënë në peshë. Apo ilaçe të cilat në rastin më të mirë kanë një efekt të vogël. Por, nëse do t’i rekomandonin trajtim me dietë, do të ishte ajo e përdorur prej tij 100 vite më parë.”

Në këtë histori tërheq vëmendjen vështirësia për ta humbur si dhe për ta ruajtur peshën e humbur që s’ka ndryshuar edhe sot. Tërheq vëmendjen gjithashtu, se mjekët për mbi një shekull vazhdojnë me të njejtat këshilla që s'funksionojnë. Dhe së fundi, asnjë hap me rëndësi për gjetjen e një kombinimi ushqimor që të sigurojë një humbje të përhershme në peshë! “Ndoshta po kërkojmë diçka që s'ekziston", thotë David B. Allison, drejtor i Qendrës Kërkimore për Obezitetin dhe Ushqimin ne Universitetin e Alabamës.

Sigurisht dijet kanë evoluar në vite. Në mesin e shekullit 20, qelizat yndyrore (indi dhjamor) konsiderohej një magazinë e thjeshtë për yndyrën që organizmi përdor për energji. Më pas u evidentua se qelizat dhjamore, veç depo, ishin të afta të komunikonin me trurin për sasinë e yndyrës që ndodhej në organizëm, madje në një farë mase ta rregullonin atë. Në vitin 1994, u izolua hormonin leptin, sekretuar nga qelizat yndyrore, që informon trurin për madhësinë e qelizave dhjamore.

Tre eksperimente

1.Disa dekada më par Dr. Jules Hirsch, pioner në studimet e obezitetit në Universitetin Rockefeller, bëri një studim me obezë që ranë dakord të jetonin në një repart spitali dhe të përdornin një dietë për të siguruar një peshë normale. Përpjekja dështoi. Gjithë kohës ata ishin të pangopur. Uria i gjunjëzoi dhe ata rimorën peshën e humbur me shumë vuajtje.

2.Nga mesi i viteve '80, për 10 vjet, Dr. Leibel i Univeristetit Columbia, dhe bashkë zbulues i hormonit leptin, dhe Dr. Hirsch, studiuan 41 vullnetarë. Një pjesë obezë, një pjesë nën peshë. U përpoqën t’i rregullonin peshën nëpërmjet ushqyerjes me disa formula ushqimore.

Gjetjet publikuar në vitin 1995, treguan se organizmi i kundërvihej përpjekjeve për të humbur peshë, dhe bënte të gjitha përpjekjet për të rifituar peshën origjinale. Kur trupi dobsohej metabolizmi ngadalësohej, muskujt digjnin më pak kalori për të njëjtin sforcim. Kur trupi shëndoshej, muskujt digjnin më shumë.

3.U pa se kur kafshëve nëpërmjet kirurgjisë u hiqej ind dhjamor, më pas vetë organizmi e kompensonte, duke depozituar më shumë dhjamë derisa gjendja të kthehej në pikën e para eksperimentit, dhe ndalej. E kundërta, kur kafshët vendoseshin në mbingrënie, shtonin në peshë, dhe e humbin atë që shtuan, spontanisht, kur ndërpritej mbiushqyerja

Çfarë treguan eksperimentet?

Treguan se organizmi ka zgjedhur një peshë "normale" për veten e tij, që është e ndryshme për njerëz të ndryshëm, të cilën e mbron nëpërmjet rregullimit të shprehive të ngrënies dhe veprimit të hormoneve. Organizmi i çdonjerit ka të fiksuar në genet e tij një set-point (pikë të caktuar) të peshës, brenda të cilës organizmi është i programuar biologjikisht të qëndrojë. Rol luan dhe ambienti. Genet ndizen dhe shuhen nën ndikimin e tij.

Gjithashtu këto studime i lehtësuan njerëzit nga vetë-akuzimi si të paaftë për të kontrolluar peshën e tyre. Si vetë-fajtorë për obezitetin e tyre.

Një teori befasuese

Teoria korrente metabolike është e ashtuquajtura teoria "set-point". E ngritur nga David Ludwig, endokrinolog i njohur, profesor i Shkollës Mjekësore të Harvardit, në librin e tij best seller, 2016 "Gjithmonë i uritur?" Në këtë libër ai përmbys këshillat tradicionale për rënien në peshë:

“Nuk është mbingrënia që i bën njerëzit të dhjamosur. Ështe proçesi dhjamosjes ai që i bën ata të hanë tepër. Obeziteti nuk është një gjendje "shtese", por një çështje urie për organizmin. Dietat me kufizim të kalorive vetëm e përkeqësojnë këtë gjendje, duke krijuar një luftë midis trurit dhe metabolizmit, luftë që jemi të destinuar ta humbim.”

Pranimi prej 40 vitesh i modelit të kontrollit të peshës me ligjin e parë të termodinamikës: "Sasia e energjisë së depozituar, është e barabartë me diferencën ndërmjet energjisë së marrë, me atë të shpenzuar" s’funksionon në sistemet biologjike. Ajo injoron predispozicionin genetik për obezitet. Fakt është se disa njerëz sedentarë, ndonëse hanë çfarë t'u pelqejë, në çfarëdo sasie, nuk shtojnë në peshë, ndërsa të tjerë ndonëse hanë sasi modeste, janë aktivë fizikisht e kalojnë jetën duke luftuar peshën, përsëri mbeten obezë...   

Dieta me pak yndyrë dhe shumë karbohidrate, që keshillohet prej shumë vitesh, e rrit nivelin e insulinës. Nxit grumbullimin në qelizat dhjamore të më shumë dhjami (kalori), duke lënë fare pak kalori për pjesën tjetër të organizmit. Truri e identifikon mungesën, reagon me shfaqjen e urisë (për më shumë kalori) dhe ngadalëson metabolizmin (për të ruajtur kaloritë ). Për sa kohë kaloritë mbeten të magazinuara në qelizat dhjamore, kaloritë që ne marrim me ushqime nuk qëndrojnë gjatë në gjak. Në vend që të shtohet "karburanti" (kaloritë), shtohet dhjami (obeziteti) në organizëm. Prandaj një dietë e pasur me karbohidrate, nga njëra anë shkakton zmadhimin e qelizave dhjamore (obezitet), nga ana tjetër do shkakton uri të vazhdueshme, nga mungesa energjisë në gjak. “Do ndodhte diçka e krahasueshme me edemat-thotë Dr. Ludwig,- Pavarësisht që ka shumë ujë në organizëm, njerëzit me edema kanë etje të pashuar, sepse nuk ka ujë të mjaftueshëm atje ku është e nevojshme, në gjak, por në hapsira të tjera të organizmit.”

Zgjidhja...

Shkenca mjekësore dhe shkenca e ushqyerjes kërkojnë një shkundje të fortë.

Objektivi: rivendosja e set-point, "pikës së caktuar” të peshës së trupit, dhe kontrolli mbi gjendjen e urisë.

Shumë gjëra duhet riparë. Shpjegimi i gabuar i obezitetit. Fokusimi i gabuar te simptomat, pesha dhe kontrolli i i saj, jo te shkaku, shtimi i insulines. Duhet një tjetër dietë që ul nivelin e insulinës. Qelizat dhjamore duhet të çlirojnë kaloritë e tepërta në organizëm. Truri të sigurojë furnizim më të bollshëm me “karburant.” Duhet të bjerë uria. Metabolizmi të përshpejtohet. Pesha të ulet pa "luftë."

Kjo kërkon një dietë të pasur me yndyrë, si mënyra më e shpejtë për uljen e nivelit të insulinës dhe fillimin e humbjes së peshës. Studimet fundit konfirmojnë se, në kundërshtim me çfarë është thënë, dieta me shumë yndyrë është më efektive se dieta me pak yndyrë, për humbjen peshës. Sigurisht preferohen yndyrna që janë veçanërisht të mira për zemrën. Kjo s'do të thotë që për këto përfitime të eliminohen të gjitha karbohidratet….

Në vend të mbylljes

Si do hidhet poshtë gjithë çfarë është thënë, për gjithë këto vite për rënien në peshë? Mjafton një “vetëm gabuam, u mbështëm në mite, jo në evidence”?  Duhe t'i dekurajojë njerëzit mbipeshë dhe obezë një përpjekje për të humbur peshë?

Sipas Dr Hirsh: “Mjekët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të sinqertë. Duhet të theksojnë që nuk egziton asnjë dietë që mund të bëjë mrekulli. Duhet të theksojnë se humbja e peshës dhe ruajtja e peshës së humbur është një ndërmarrje e veshtirë, që zgjat gjithë jetën. Duhet të theksojnë se shtimi në peshë nuk duhet parë si çështje vullneti, por si çështje biologjie.” Dhe më në fund, në ndihmë do na vijë thënia e mjekut të madh William Osler (1849-1919): "Mjekësia është një shkencë e pasigurisë, dhe një art i probabilitetit".