Komunitet

Në Montréal-in multikulturor - Bisedë me mjeshtrin beratas të penelit, piktorin Kastriot Dervishi

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Me Kastriot Dervishin kemi të paktën 4 dekada që njihemi. Nuk na lidh shpirtërisht sëbashku vetëm koha e studimeve në Liceun Artistik “Jordan Misja” apo Institutin e Lartë të Arteve, por na lidh edhe Berati, treva nga ku vijnë dhe një pjesë e rrënjëve të origjinës time. Tranzicioni na çoi në rrugë të ndryshme, por e rigjetëm njeri-tjetrin pikërisht këtu në Kanada, si me plot e plot të tjerë miq e shokë. Dhe për këtë jemi vërtetë me fat. Kujtoj si tani ditën kur u ritakuam në Toronto, fiks para tre vitesh, në të parën ekspozitë të përbashkët të piktorëve shqiptaro-kanadezë. Biseda vazhdoi si të ishte lënë në mes 20 ditë më pare, jo 20 e ca vjet më pare. I njëjti Kastriot, me vështrimin e butë dhe zërin e ngrohtë, modest deri në skaj edhe pse zotëron një talent të rrallë. Mjeshtri beratas i penelit, artisti i peizazheve aq të bukura, por jo vetëm, ka 10 vjet që është zhvendosur në metropolin frankofon të Amerikës së Veriut, Montréal. Ai megjithatë nuk i ka shkëputur për asnjë çast raportet me Shqipërinë dhe Beratin, vendlindjen e tij, qytet me të cilin krijimet dhe studimet e tij shkencore janë të lidhura prej ditës, kur siç kujton ai, “Artisti i Merituar” Sotir Capo ia inkurajoi për herë të pare rrugëtimin drejt artit… Me karrierë të spikatur 40 vjeçare dhe pjesëmarrës në mbi 130 ekpozita në Europë dhe Amerikën e Veriut, bashkë me kolegë të tjerë këtu, veçanërisht në kuadrin e Galerisë Ambigu themeluar nga Mishel Koçiu dhe Entela Konomi, Kastrioti ka kontribut të veçantë në afirmimin e vlerave të artit dhe kulturës tonë kombëtare në Kanada. Për këto arsye, atij iu akordua vitin e kaluar dhe titulli “Ambasador i Kombit”. U takuam me Kastriotin sërish në Montréal, kësaj radhe për një bisedë enkas për portalin…

Flasshqip: Çfarë kujton ti shoku im i shkollës nga fëminia dhe nga Berati i “një mbi një dritareve”, vendlindja jote?

Kastriot Dervishi: Pyetjes do të filloj ti përgjigjem me një pjesë të një shkrimi të botuar vite më parë në një gazetë të Beratit: U desh një kafe e rastësishme me një shokun tim të fëmijërisë dhe një kujtim i një detaji të shkurtër të jetës sonë në vitet 70'. “Kam zbuluar një vend ku ka ngjyra dhe penela, është një shtëpi e vjetër, afër lodrave të lagjes sonë (te sarajet në Çelepias), - më thotë miku im Arturi. Shkojmë sëbashku atje të marrim disa tubeta dhe penela të vjetër. Piktori Hasan Nallbani  është transferuar në Tiranë dhe nuk vjen më në Berat dhe këto (hedhurina) na përkasin neve”. Nuk mund t’i përshkruaj emocionet e mia kur për herë të parë në jetën time preka materiale artistësh. Mbase ky ka qenë edhe motivi që jetoi brenda meje kaq gjatë ky kujtim, nga një lojë e fëmijërisë, e cila ka qenë e përcaktuar nga dëshirat, madje nga një dëshirë e vetme, e cila ndihmoi edukimin tim". U linda në vitin 1963, por ajo që mund të kujtoj unë janë vitet 70’ të shekullit të kaluar, vitet më të bukura të feminisë time. Kam pasur një fëmini shumë aktive: shkolla, lumi, lodrat, vizatimi dhe librat. Në fillimvitet 70’ unë nuk kisha televizor për t’u njohur me botën, por kishim librat dhe një i tillë ishte "Kalamajtë e pallatit tim" i shkrimtarit Bedri Dedja. Ashtu si sot mjaft femijë janë në varësi të teknologjisë, edhe unë isha në varësi të lumit, pasi jam rritur buzë lumit, të topit të llastikut dhe pse jo të vizatimit. Ekspozita ime vetjake në klasën e pestë me vizatime në hollin e shkollës 8 vjeçare "Ajet Xhindole" është kujtimi im më i bukur i fëminisë. Ekspozita u organizua nga mësuesi i edukatës Dhimitër Verli. 

Flasshqip: Vërtetë shumë originale kjo nisje e bisedës, por për të “gërmuar” pak më tej, si do ta përshkruaje mjedisin ku u rrite dhe çfarë ka ndikuar më shumë në formimin e personalitetit tend?

Kastriot Dervishi: Jam rritur në lagjen e vjetër Çelepias të Beratit. Një lagje që në vitet 70’ jetonte mes trasformimeve të mëdha të rrugicave karakteristike dhe ndërtimeve të reja. Një lagje ku bashkëjetonin mullinjtë e ujit për vaditjen e bahçeve me pallatet e reja. Nga dritarja e shtëpisë çdo ditë shikohej qartë ana perendimore e Kalasë me muret e saj rrethues dhe Shën Vllahernën e Shën Triadhën, që unë i vizatoja, por pa e ditur se çfarë vlere kishin. Eshtë e padiskutueshme që arkitektura e Beratit ka lënë shenjë në formimin tim artistik duke u bashkuar me peisazhin e lumit dhe malin e Tomorrit. Kjo përsa i përket anës vizuale, elementë të cilët i gjejmë me shumicë në vepren time.  Jeta prej 8 vitesh në Tiranë, aktivitetet e shumta në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe Institutin e Lartë të Arteve, padyshim ndikuan shumë profesionalisht.

Flasshqip: Shpesh thuhet për artistët se duhet dikush që t’i zbulojë apo inkurajojë dhuntitë e tyre artistike… po në rastin tënd si ka ndodhur… ku i more mësimet e para të pikturës dhe si vazhdoi më pas rrugëtimi yt deri ditën që u bëre profesionist?

Kastriot Dervishi: Shokët e klasës mendoj se e zbuluan talentin tim në vizatim, pasi të gjithë më kërkonin t’iu bëja vizatimin për një notë më të mirë. Isha në klasën e katert fillore dhe lexova njoftimin te këndi i informacionit i shkollës për regjistrimet në rrethin e vizatimit në Shtëpinë e Pionierëve. U regjistrova në rrethin e pikturës që e ndoqa deri sa shkova në Liceun Artistik në Tiranë. Një vit më vonë, mësuesi i vizatimit “Artisti i Merituar” Sotir Capo, më perzgjodhi në kursin e vizatimit të shkollës. Padyshim Sotir Capo është ai që më inkurajoi për më tej dhe i mbetem mirënjohës! Pra rruga ime drejt artit të pikturës nisi nga rrethet artistike në shkollë dhe në Shtëpinë e Pionierëve të Beratit, për të vazhduar më pas në Liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Sigurisht, çdo etapë pas shkollës 8 vjeçare, kalohej me konkurs dhe konkursi ishte një sfidë më vete… Dua të veçoj gjithashtu faktin që gjatë studimeve të larta kam patur fatin të jem student i profesorit Agim Zajmi.

Flasshqip: Kastriot, ne i takojmë një brezi që, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, jetën që kemi jetuar deri tani e kemi të ndarë midis dy sistemeve politike diametralisht të kundërta… Ti vetë, si e kujton kohën kur arti në Shqipëri bëhej brenda kornizave të “realizmit socialist” dhe si i përjetove ndryshimet politiko-sociale pas viteve 90-të në krijimtarinë tënde?

Kastriot Dervishi: Sistemin e kaluar do ta konsideroja plot 45 vjet gjatë të cilave u bë “shplarje e trurit” nëpermjet artit. Temat që trajtonin atistët ishin mjaft të kufizuara, si lufta partizane, ndërtimi i socializmit, rilindja dhe patriotizmi, të gjitha këto nën metodën “realizmit socialist”. Pra kishim një krijimtari të kontrolluar rreptësisht nga ideologjia. Artistët ishin në vijën e parë të propagandës dhe nëse do merreshe me art në atë kohë nuk mund t'i shpëtoje dot asaj. Pak a shumë jam me fat se i mbarova studimet në vitin 1990 dhe nuk arrita të futesha në “brazdat” e artit të komanduar. Fillimet e viteve 90’ ishin vite vërtetë të vrullshme, vite të ndryshimeve të mëdha. Rënia e komunizmit u shoqërua edhe me ndryshime të dukshme në fushën e arteve. Vitet e para të demokracisë krijuan kushtet që artistët lirisht të shprehnin artin e tyre pa kufizime. Për mua personalisht, kanë qenë vite të kërkimeve eksperimentale për gjetjen e vetvetes. Ruaj mjaft foto të punëve të fillimviteve 90’. Shikoj që kam pasur mjaft tentativa të ndryshme në formë dhe përmbajtje në punët e mija. Një armë e fortë që kishim nga studimet në komunizëm ishte realizmi në art. Duke e çveshur nga ideologjia, rezultoi me mjaft vlerë. Realizmi i fortë na dha mundësinë të luanim dhe eksperimentonim me formën.

Flasshqqip: Pas ndryshimeve të sistemit, për shumë artistë u bë disi e vështirë mbijetesa vetëm me art, për shumë arsye… A mos ndikoi ky fakt në vendimin për të emigruar, apo kishte faktorë të tjerë?

Kastriot Dervishi: Jo, nuk kam emigruar për arsye ekonomike. E vërteta eshtë se me art nuk mund të jetoje dhe të jetosh qoftë edhe këtu ku jemi. Unë kam emigruar për t’u krijuar fëmijëve një të ardhme të sigurt dhe Kandaja është një vend perfekt në aspektin e sigurisë dhe lirisë. Besoj plotësisht se kam bërë një zgjidhje të mirë për ta.

Flasshqip: Le të ndalemi pak tek jeta dhe aktiviteti yt në Montréal, metropolin frankofon kanadez... A ka ndryshuar diçka në artin tënd prej kohës kur ndodhesh këtu dhe nëse po, çfarë pikërisht?

Kastriot Dervishi: Unë mbrrita sëbashku me familjen në Montreal në fund të Majit 2011. Në Shtator 2011 ekspozova për here të parë sëbashku me artistët e Ville Saint-Laurent dhe në Dhjetor fillova bashkëpunimin me Galerinë ExhibArt në Ville Saint-Laurent e më pas me Galerinë Ambigu. Gjatë kësaj periudhe kam marrë pjesë në 28 ekspozita dhe organizime artistike në Montréal, Toronto dhe Ottawa dhe 14 ekspozita në Shqipëri, pasi një periudhe kohe gjatë këtyre viteve e kam kaluar në Shqipëri. Nuk mendoj se kam ndryshime në artin tim, tashmë e kam të konsoliduar. Natyrisht një pjesë e krijimeve të kësaj periudhe janë frymëzuar nga realiteti i këtushëm.

Flasshqip: Për ata që do donin të dinë më shumë per ty, cilët janë zhanret dhe teknikat e tua të preferuara?

Kastriot Dervishi: Kompozimi, portreti dhe peisazhi janë zhanret e mi të preferuar ndërsa teknikat: vaj, pastel, laps dhe miks. Gjithsesi, më e preferuara mbetet teknika e vajit.

Flasshqip: Po rrymat artistike apo artistët që të tërheqin apo frymëzojnë më shumë?

Kastriot Dervishi: Ekspresionizmi abstrakt është ai që më ka shoqëruar këto tre dekada të demokracisë duke mos anashkaluar dhe realizmin. Unë hyj te krijuesit që u rritën me mitin e artistëve të mëdhenj si Leonardo, Rembrandt, El Greco, Van Gogh, Pikaso, Shagall etj.

Flasshqip: Ai i ke te kataloguara si numër veprat që ke krijuar deri me sot? Po kështu, me sa jam në dijeni, ke marrë pjesë në shumë ekspozita dhe je laureat çmimesh, përfshi dhe titullin “Ambasador i Kombit” që u akordohet personaliteteve të Diasporës për kontribut në përhapjen dhe ruajtjen e kulturës kombëtare...

Kastriot Dervishi: Nuk mund të kem një numër të saktë për veprat e realizuara, por di qe kam një krijimtari mbi 40 vjeçare me pjesmarrje në ekspozita në Shqipëri, Itali, Spanjë, Hungari, Turqi, Kosovë, Maqedoni dhe 10 vitet e fundit në Kanada. Në total janë rreth 130 pjesmarrje në ekspozita duke filluar nga ekspozita personale në klasën e pestë në vitin 1975 dhe deri tek e fundit në Galerinë Ambigu. Jam fitues i disa çmimeve në Berat, por çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar "Onufri" 1994, i organizuar nga Galeria Kombëtare Tiranë ka qenë një shtysë e madhe për krijimtarinë dhe aktivitetin tim. Mjaft nga veprat e mija janë shitur dhe janë të ekspozuara në Shqipëri, Europë, USA dhe se fundmi në Kanada.

Flasshqip: Më përshkruaj pak si e përjeton procesin e krijimit? Po pjesën e komunikimit me publikun?

Kastriot Dervishi: Proçesi i krijimit dhe pjesa e komunikimit janë krejtësisht dy të kundërta. Krijimi kërkon vetmi dhe pjesa tjetër sa më shumë komunikim. Unë i përmbahem këtij parimi. Unë jam vetëm deri në momentin që vendos emrin në veprën time, pastaj vepra del nga vetmia dhe bëhet pronë e publikut, në rastin konkret hapësirat e galerisë Ambigu. Të dy janë proçese shumë të bukur sepse japin të plotë mesazhin e një vepre arti.

Flasshqip: Duke të njohur jo vetëm si mjeshtër i penelit, do të doja të flasim pak për anën e aktivitetit tënd studimor që lidhet me ikonografinë shqiptare në objektet e kultit, veçanërisht në trevën e Beratit…

Kastriot Dervishi: Unë kam punuar për 21 vjet në sistemin e institucioneve kulturore të Beratit, duke drejtuar dhe institucione të rëndesishme si Teatri Profesionist (pasi une jam diplomuar skenograf), Galerinë e Arteve "Edward Lear" dhe Muzeumet Kombëtare Onufri dhe Etnografik.  Qyteti i Beratit është një nga qytetet me trashëgimi shumë të pasur në artet e bukura. Jeta e panderprerë për më shumë se 2400 vjet ka krijuar këtë vlerë që kemi ende sot, vlerë që e ka futur më 8 Korrik të vitit 2008, në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Do të përmendja këtu në veçanti objektet arkeologjike të gjetura në trevën e Beratit, elementët paleokristianë dhe mozaikët, arkitekturën qysh me krijimin e qytetit në kalanë e tij, artin Bizantin dhe artin Islam në objektet e kultit, artin pamor laik  ku perfshihet historia e pikturës dhe fotografisë dhe zhvillimi i zejtarisë në qytet. Një pjesë e madhe e punimeve historike për artet pamore, artin popullor dhe zejet në Berat janë botuar në shtypin lokal dhe kombëtar dhe në revista e periodikë historiko-shkencorë si Monumentet, Art Trashegimi dhe Kerkim.  

Flasshqip: Për komunitetin shqiptar në Kanada, por jo vetëm, prej disa kohësh është bërë i njohur “Grupi i Montréal”, artistë dhe krijues të artit figurativ që janë mbledhur përreth Galerisë Ambigu. Si e vlerëson këtë eksperiencë?

Kastriot Dervishi: Galeria Ambigu prej tre vjetësh është bërë qendra e të gjithë artistëve shqiptarë të Montréal-it, kjo falë përkushtimit profesional të Mishel Koçiut dhe Entela Konomit. Galeria Ambigu është një galeri e artit bashkëkohor ku artistë të të gjitha komuniteteve të Montréal-it multietnik ekspozojnë veprat e tyre. Personalisht ndihem i lumtur që në qendër të metropolit frankofon amerikano-verior kam mundësinë të ekspozoj veprat e mija. Gjej rastin nëpermjet Flasshqip, të falenderoj publikisht Mishel Koçiun.

Flasshqip: Meqenëse e theksove karakterin multietnik të Montréal, ç’do të thotë për ty Kanadaja multikulturore? A sjell ajo avantazhe për artistët që vijnë nga kultura të tjera?

Kastriot Dervishi: Ne vijmë nga një vend totalisht i mbyllur në komunizëm ku një herë në vit mund të shikonim ndonjë specialist a turist të huaj, ku s’bëhej fjalë për shkëmbime kulturash. Izolimi ishte total, arti ishte brenda kornizave të ideologjisë. Gjithmonë flas për jetën time, pasi siç e the dhe ti Taulant, ne gjysmën e saj e kaluam në diktaturë. Vitet e demokracisë dhe Kanadaja janë padyshim një eksperiencë shumë e madhe. Në Montréal janë kryqëzuar të gjitha kulturat e botës. Këtë e ndjejmë në ekspozitat e organizuara në Galerinë Ambigu nga pjesmarrja e artistëve me kombësi të ndryshme. Padyshim që është avantazh të ekspozosh me krijues të kulturave të ndryshme, të vëzhgosh, të këmbesh me ta e të bëhesh pjesë e këtij mozaiku kulturash nga e gjithë bota. Montreali është metropol multikulturor dhe nga pikpamja e artit jemi me fat që jemi pjesë e tij.

Flasshqip: Si vazhdon të mbash lidhje me Shqipërinë dhe kolegët e atjeshëm?

Kastriot Dervishi: Unë nuk jam shkëputur asnjë minutë nga Shqipëria. Pothuajse çdo vit kam qenë atje, madje duke marrë pjesë në të gjitha ekspozitat e organizuara në Berat. Një pjesë të pikturave që realizoj këtu në Montreal i kam në Berat, kryesisht kompozime dhe piktura me motive nga Berati. Berati për mua është si Vitebski për Shagallin.

Flasshqip: Po ndërkohë... a je duke “bluar” ndonjë projekt për të ardhmen qe e ke fort për zemër?

Kastriot Dervishi: Tashmë unë jam pjesë e projektit Ambigu. Më duhet të punoj përditë t’i përgjigjem ritmit të lartë të Ambigu që edhe pse jemi në kohë pandemie, nuk e ka në plan të ndalojë...

Flasshqip: Më lart më tregove që motivi i vetëm që të nxiti të imigroje këtu ishte familja dhe ardhmja e fëmijeve...

Kastriot Dervishi: Po, sebashku me bashkëshorten jemi prindër të dy fëmijëve, djalë e vajzë, të cilët aktualisht vazhdojnë shkollimin. Djali në kolegj dhe vajza në shkollën e mesme, ndërsa bashkëshortja, nga ana e saj, ushtron profesionin e mësueses së shkencave në sistemin e shkollave të mesme.

Flasshqip: Kastriot duke të falenderuar për kohën dhe kënaqësinë që më dhurove, jo vetëm si shok prej 40 vitesh, a ke diçka tjetër që do doje ta ndaje me lexuesit e Flasshqip?

(Qesh) ... Me vjen mirë që Taulanti, shoku im i Liceut dhe Institutit, u rikthye të jetojë përsëri në Montréal. Faleminderit gjithashtu Flasshqip! Më shumë bashkëpunim do të kemi në të ardhmen…

©Flasshqip.ca

18 Nëntor 2020