Komunitet

Ottawa: Ardita Mullaibrahimi, ish-basketbollistja gjakovare shënon në biznes

Intervistoi: Jeta Dedja

Nëse jeta do të kishte rrjedhur pa u ndryshuar skenari i saj rrugës, Ardita Delia Mullaibrahimi do të ishte sot një dentiste dhe basketbolliste në Gjakovë. Por në fakt që prej 14 vitesh Ardita jeton në Ottawa, Kanada.

Po kush është Ardita do thoni ju?

Ardita Delia Mullaibrahimi është lindur dhe rritur në qytetin e Gjakovës. Pas luftës së Kosovës ajo u bë pjesë e klubit të basketbollit Gjakova. Për rreth pesë vjet, ky klub u bë i njohur duke kapur vendet e dyta dhe të treta në garat sportive në Kosovë. Aktivizimi me sportin nuk e pengoi Arditën të niste studimet në degën teknike e laboratorit-stomatologji, apo të zgjeronte rrethin shoqëror. Diçka tjetër ia ndryshoi të ardhmen-vështirësitë ekonomike që solli paslufta në Kosovë. Ardita u deturua të ndërpresë studimet e të punojë dhe më vonë në moshën 22-vjeçare të emigrojë drejt Kanadasë për shkak të dashurisë për Petritin dhe vendimit për të krijuar familje së bashku. 

J. D. -Ardita, dua të kthehesh pas në kohë, dhe të më rrëfesh disa kujtime që ruan nga fëmijëria kur jetoje në Gjakovë.

A. M. -Në shtëpinë dhe në familjen time ruajmë shumë kujtime. Unë isha ajo vajza “djaloshare” e rritur me praninë e gjyshes dhe mbaj mend isha rreth 11 vjeç kur ajo më mësoi të bëja pazarin. Kërceva përpjetë nga gëzimi që ajo ma besoi “qesen”. Mbaj mend që nuk përtoja dhe i sillesha qytetit cep më cep deri sa të gjeja sendet që kërkonte shtëpia :)) Më kujtohet sa shumë gëzoshim kur vinin mysafirë (hallat, nipa e mbesa) siç themi ne në Kosovë, se aty ku janë gjyshërit është shtëpi e madhe! Në familjen tonë jemi gjashtë fëmijë, katër fëmijët e parë janë dy vëllezër dhe dy motra prej babait (ai fatkeqësisht humbi gruan e parë në moshë shumë të re) dhe me nënën jam unë dhe një motër. Marrëdhëniet gjithmonë kanë qenë dhe janë jashtëzakonisht të mira. Nëna i gjeti fëmijët në moshë shumë të re. Ajo ishte aty kur ata mbaruan shkollimin, u fejuan dhe u martuan kryesisht nga duart e gjyshes dhe të nënës! Babain e humbëm në moshën më të mirë, por për prindin nuk paska moshë. Unë isha 13 vjeç kurse motra e vogël gati 12. Ajo periudhë ka qenë shumë e vështirë si për ne edhe për nënën. U rritëm pa figurën e babait në shtëpi. Nëna është munduar me mish e shpirt ta plotësojë edhe vendin e tij. Gjithashtu vëllezërit, motrat po ashtu dajallarët çdo herë na janë gjendur dhe ndihmuar deri sa ne u rritëm dhe u bëmë t’zonjat për punë.

J. D. –Dhe mesa duket jo vetëm të zonjat për punë në Kosovë por edhe larg saj. 14 vjet më parë ti erdhe në Kanada, dua dhe të më thuash përshtypjet e para për vendin e ri, duke i krahasuar me ato të Kosovës.

A. M. -Përshtypjet e para për Kanadanë ishin pozitive, të bukura, interesante, sepse duke ardhur nga një vend me tradita të pasura të cilat janë një vlerë unike, u përballa me një kulturë të ndryshme me atë të vendit tim. Të gjitha vlerat materiale dhe shpirtërore, traditat tona shqiptare dhe çdo gjë të mirë të popullit tonë, çdo kund, dhe në çdo rast, jam munduar t’i shpreh në ketë vend, me ngjyrat më të bukura. Fatkeqësisht, për shkak të robërisë së gjatë, ne, shqiptarët, asnjëherë, nuk kemi qenë në gjendje që botës demokratike t’ua paraqesim dhe t’ua tregojmë, (ashtu si duhet), pasurinë tonë shpirtërore dhe kulturën, traditën origjinale dhe vlerat e tjera të popullit tonë, i cili është një ndër popujt më të vjetër në Evropë dhe në botë.

J.D. -Që në momentin që vure këmbën në Kanada, çfarë bëre dy vitet e para për t’u integruar, për të gjetur veten në një vend të ri?

A. M. -Në fillim më është dashur të regjistrohem në kursin e gjuhës ESL, pasi mosnjohja e anglishtes ishte barrierë e madhe për mua. Ardhja për njeriun e zemrës më bëri që të ndihem mirë edhe këtu në Ottawa, Kanada. Këtu, dashurinë e thelluam edhe më shumë, sepse, vërtetë u krijua një ambient i mirëfilltë familjar. Bashkëshorti im, Petriti i kishte vëllezërit me familje këtu dhe, në të njëjtin vit kur erdha unë, u bashkuan edhe prindërit, tashmë të ndjerë. Ardhja e prindërve tek ne, në Kanada ka qenë një ndihmesë e jashtëzakonshme për ne të dy! Nga dashuria dhe afria që kam treguar për njerëzit, çdo herë, i kam pranuar dhe kam qenë e pranuar. Lidhja jonë familjare është konsoliduar edhe më shumë, pasi në vitin e parë kur kam ardhur këtu linda vajzën Fionën dhe prindërit e burrit me kanë ndihmuar shumë. Ndihma e tyre ishte e mirëseardhur edhe për fëmijën e dytë, meqë, pas 2 viteve linda edhe djalin Ledorin.

J.D. -Ta kanë lehtësuar procesin mesa po kuptoj dhe kjo të ka ndihmuar të ecësh më tej. Vihet re se në emigracion njerëzit zhvillojnë pasione të fjetura të dikurshme, dikush i hyn pikturës, një tjetër poezisë. Tek ty është zgjuar ndonjë talent i dikurshëm ose ka lindur ndonjë i ri?

A. M. -Hobi im gjithmonë ka qenë sporti. Këtu, sidomos në pranverë dhe në verë luajmë dhe argëtohem me fëmijët. Më pëlqen shumë të lexoj. Pas një rutine të ngarkuar, si para pandemisë, por edhe tani, shlodhjen e gjejmë mbrëmjeve duke lexuar. Librin që rishtas e kam filluar është “Are you somebody”, të autores irlandeze Nuala O’Faolain. Po ashtu, ka gati një vit që, kohë pas kohe, më pëlqen të shkruaj poezi!

J.D. -Hmmm kjo përkon me kohën e Covid-19, më thuaj çfarë të mungon më shumë nga periudha para-Covid?

A. M. -Ah, çfarë s’më mungon më thuaj... Nëse do të isha përgjigjur kësaj pyetje disa muaj më parë, me siguri do të kisha thënë të shkoja në teatër ose të ushqehesha jashtë, në ndonjë restorant të preferuar. Por tani, mbas një viti, e kuptoj se sa më mungojnë njerëzit. Më mungojnë edhe gjërat më të vogla që ndoshta i kemi marr si të mirëqena para krizës globale. Pastaj kuptohet, lëvizjet e lira, shkuarja në vendlindje, vizitat, sportet dhe daljet me shoqëri, si çdo vend tjetër edhe Kanadaja ka vënë kufizimet në çdo provincë. Meqë, deri tani, nuk kishte asnjë trajtim ose vaksinë, që ta mbronte mbarë popullatën, veprimet që janë duke i ndërmarrë aktualisht do të duhej të vazhdojnë që të ndihmojnë në kontrollimin e përhapjes së COVID-19. Besoj se shumica e popullatës, tani e ka kuptuar se si ta mbrojë vetën dhe të tjerët...

J.D. -Tani le të hyjmë në temën kryesore për të cilën më ke tërhequr vëmendjen. Ke ndërtuar një biznes dhe po ecën shumë mirë mesa kam dëgjuar. Më trego pak…

A. M. -Po, aktualisht drejtoj një biznes të vogël, që kryesisht ka të bëjë me pastrimin e shtëpive të banimit dhe të objekteve, pas ndërtimit. Në fillim, kur kam ardhur në Kanada, kam qenë e punësuar rreth 8 vjet, pastaj vendosa që të bëjë diçka, të lëviz nga zona e komfortit. Pra, vendosa që të punoj për veten dhe për familjen time, të ngris dhe të përmirësoj statusin tim dhe të forcohem në aspektin personal dhe ekonomik. Iniciativa ime u mirëprit nga im shoq. Ai me gjithë agjendën dhe punën e tij me orar të plotë nuk kursehet rreth angazhimeve si në punë dhe menaxhim.

J.D. -Përveç bashkëshortit, çfarë apo kush të ka nxitur në ndërmarrjen tënde?

A. M. -Dua ta përmend se, ka qenë edhe rrethi i ngushtë që me ka motivuar shumë duke u nisur nga vëllai im i madh Arsimi, i cili është sipërmarrës i suksesshëm prej mëse 20 vitesh në Gjermani. Po ashtu pa hezituar kam gjetur përkrahje dhe më ka ndihmuar edhe frymëzimi i ish-trajneres së basketbollit, tani mikeshë e afërt e imja, Vjollca Kuqit. Ajo ka qenë shtytje dhe inspirim për mua!

J.D. -Kur e tregon duket sikur gjërat kanë ecur vaj. Kaq e lehtë ishte për ty si nënë dhe grua të nisje një biznes?

A. M. -Kuptohet, fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë. Që të dy, disa vite, kemi punuar me orare tepër të gjata dhe me përkushtimin më të madh. Fatmirësisht kemi themeluar një biznes që, për këto gjashtë vitet e fundit, ka fituar një emër solid dhe të besueshëm. Firma (biznesi) ynë quhet “Filena cleaning services”. Ndihem me fat që kam vullnet, qasje dhe kurajë që vazhdimisht, për disa vite, brenda kësaj periudhe, të angazhoj gra dhe vajza të komunitetit tonë, në shumë punë dhe projekte që kemi. Rruga drejt transformimit të gruas në biznes e në karrierë është e gjatë. Kjo nuk ka filluar nga unë. Si pjesë të këtij transformimi kam parë edhe shumë gra tjera rol modele si këtu edhe në atdhe, të cilat kanë përparuar dhe avancuar në biznes, në politikë dhe në fusha tjera të ndryshme. E madhja Margaret Thatcher ka thënë: “Nuk njoh njeri që ka arritur në majë pa punë të palodhur. Kjo është receta, jo gjithmonë do t'ju çojë në majë, por do t'ju afrojë shumë”.

J.D. -Ka patur ndonjë situatë ku je ndjerë e diskriminuar për shkak të gjinisë apo etnisë?

Jo. Për fat të mirë, asnjëherë!

J.D. -Unë e kuptova pak a shumë burimin e forcës tënde për të ndërtuar suksesin, por do doja një koment tëndin se për çfarë ka nevojë një grua që të bëjë karrierë?

A. M. -Një gruaje, në radhë të parë, i nevojitet të ketë shumë vetëbesim, se mund t’ia dalë një pune që synon. Nëse është e martuar apo në një lidhje, ajo duhet të ketë përkrahje nga partneri i vet. Po ashtu, duhet të jetë e hapur dhe e guximshme për cakun ku ajo synon. Pra, duke besuar në feminizëm dhe në emancipimin e tyre, unë i shoh gratë si shumë të përkushtuara në punë dhe karrierën e tyre. Ato, jo vetëm se i rrisin të ardhurat financiare në familje por edhe shoqëria përfiton shumë, sepse e shtrijnë më shumë bashkëpunimin dhe nuk janë egoiste.

J.D. -Në këtë kontekst, sa të mbështetura ndihen gratë në karrierë në Kanada nga sistemi?

A. M. -Sistemet dhe politikat në Kanada u mundësojnë grave të marrin role të forta dhe përmbushëse në jetën e tyre, qofshin ato si nëna, nënat në shtëpi ose nënat që punojnë që zgjedhin të marrin përsipër më shumë përgjegjësi dhe më shumë role udhëheqëse në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Ato mbrohen nga ligjet dhe rregulloret në fuqi, të cilat i lejojnë ato të kryejnë cilindo rol në shoqëritë e tyre që vendosin të ndjekin, veçanërisht në atë që lidhet me punën dhe punësimin. Kjo i lejon ato të ekuilibrojnë ngarkesën e tyre të punës brenda dhe jashtë shtëpive të tyre dhe vendos që përgjegjësitë e shtëpisë të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy prindërve. Krahasuar me vendet e tjera, Kanadaja ka rezultate të mira në lidhje me barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale. Kjo është më e dukshme me qeverinë aktuale Liberale.

J.D. -Dukesh e përditësuar me politikën dhe informacionin. Marr me mend se i ndjek edhe zhvillimet në atdhe. Si shqiptare që jemi hajde le të flasim pak për punët e brendshme në Shqipëri e Kosovë?

A. M. -Me keqardhje e themi se në Shqipëri dhe në Kosovë, apo, siç do të thoshte shkrimtari i mirënjohur tashmë i ndjerë Dritëro Agolli, në Shqipëri, andej e këndej Drini, tash e 30 vjet më parë, gjendja është bukur e rëndë. Shteti i se drejtës, ekonomia dhe siguria janë në fund të pusit. Përkundër faktit se Kosova, deri në luftën e fundit (1998-1999) ishte e robëruar dhe, pos vështirësive ekonomike, kishte edhe probleme politike, por mbi të gjitha ishte dhuna e vazhdueshme që pushteti serb ushtronte ndaj shqiptarëve. Pra, vazhdimisht ka pasur dhunë fizike dhe psikike, rrahje, burgosje, keqtrajtime të ndryshme, deri në vrasje të shumta. Bota nuk e di se Serbia, prej vitit 1844-1999, ka ushtruar me dhjetëra gjenocide ndaj popullit shqiptar... Fatkeqësisht, edhe pas lufte, prej vitit 1999 deri tani, situata ekonomike dhe politike në Kosovë është mjaft e brishtë. Falë gabimeve, keqpërdorimeve, keqmenaxhimeve, zhvatjeve dhe vjedhjeve marramendëse të shumicës se oligarkëve shqiptarë, në Kosovë ka papunësi të madhe, nuk ka zhvillim ekonomik, ka korrupsion, vjedhje, plaçkitje dhe degradim të shumë institucioneve shtetërore.

J.D. -Zgjedhësit në Kosovë një muaj më parë i dhanë votën Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Ke besim për një ndryshim cilësor?

A. M. -Duhet të shpresojmë që do ta ndryshojnë për të mirë, amullinë e përgjithshme në Kosovë, të krijuar sidomos këto 20 vitet e fundit që askush nuk i priste këto vuajte pas çlirimit. Vendit i duhet një ndyshim dhe ndyshimin Populli atje dhe gati mbarë diaspora ja beson Qeverisë Kurti 2 në bashkëpunim me gruan më të votuar në historinë tonë Znj.Vjosa Osmani! E dimë i pret punë e madhe. Çka më gëzon më fort është fakti se mbi 40% e Parlamentit do të jenë gra! Dhe historia e re e politikës në Kosovë për herë të parë do të jetë kryesisht në duart e grave politikane.

J.D. -Ardita, unë nuk kam kaq vite sa ty në Kanada, por ndonjëherë kam frikë se mos bëhem si ca tipa që u ka ngelur sahati në ditën që kanë ikur nga mëmëdheu. Po ty, sa objektive apo realiste të duket vetja kur gjykon situatën politike në atdhe?

A. M. -Edhe para, gjatë dhe pas votimeve të 14 shkurtit, ka pasur një zhurmë të madhe rreth asaj se a duhet të “përzihet” diaspora shqiptare në zgjedhje. Unë, asnjëherë nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj se pse ne, diaspora shqiptare, nuk paskemi të drejtë të votojmë dhe të shqetësohemi për atdheun tonë, kur e dimë se atje i kemi familjarët, farefisin dhe popullin tonë, kur dihet, që secili shqiptar, në kaçikun e vet, direkt ose indirekt e ndihmon Kosovën materialisht dhe politikisht. Shkurt, edhe pse unë, punoj dhe jetoj në Kanada, me bindje të thellë konsideroj se, në çdo kohë dhe në çdo vend, kam të drejtë të gjykoj situatën politike në atdhe...

J.D. -Bukur, më pëlqeu kjo. Në fund të fundit je me dy shtetësi. Nga ana tjetër, të qënit larg vendlindjes ndikon jo vetëm emocionet në lidhje me zhvillimet politike por edhe ato të marrëdhënies tënde me mëmëdheun. Si ndihesh në raport me Kosovën?

A. M. -Me keqardhje me duhet të them se emigracioni, pavarësisht se në situata të caktuara, ka qënë një zgjidhje për një pjesë të popullatës, ka edhe anët e veta negative, sepse të shkëput me farefisin, me shoqërinë, me miqtë dhe me më të dashurit tu. Nuk është e rastësishme thënia e popullit tonë: Sa më larg syve aq më larg zemre. Pra ndarja e bënë të vetën dhe ne si popull, mbase forcohemi pakëz në aspektin material, por humbim disa vlera që dikur nuk kompensohen as me miliona. Përkundër faktit se ne shqiptarët mundohemi të mbajmë lidhje me vendlindjen, prapë se prapë, largësia dhe mënyra e jetesës në vende të huaja e bëjnë të vetën. Deri tani, e sidomos deri në përfundimin e luftës se UCK-së kundër pushtuesve serb, lidhjet kanë qenë të forta, sepse, diaspora e ka ndihmuar shumë Kosovën. Edhe në këtë situatë kur ekonomia e Kosovës ka pësuar rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh. Diaspora ka ndikim në ekonominë e Kosovës qoftë përmes remitencave, apo edhe përmes shpenzimeve që i bëjnë gjatë vizitave në Kosovë dhe kështu shpresojmë fort të vazhdojë kjo lidhje.

J.D. -Kur njerëzit jetojnë në një vend tjetër, a nuk është më mirë të asimilohen në kulturën e vendit që i mirëpret?

A. M. -Jo, në asnjë mënyrë. Shqiptarët duhet të marrin dhe të kultivojnë çdo gjë të mirë nga kultura e vendit që i mirëpret, por kjo nuk do të thotë se shqiptarët duhet të asimilohen në kulturën e vendit që i pret. Ne prindërit shqiptar, në emigracion, duhet të jemi të aftë dhe përgjegjës për veten tonë dhe për fëmijët tanë që të ruajmë gjuhën dhe traditat dhe njëkohësisht të integrohemi në vendin që na ka mirëpritur. Siç e dijmë e mira e këtij vendi është se respektohet llojëllojshmëria (diversiteti) dhe kjo e bën më të pasur Kanadanë dmth. Kanadaja është më e pasur me ne si shqiptar! Kjo është shumë me rëndësi, pasi që ne po i rrisim fëmijët këtu, uroj që çdo fëmijë shqiptari të frymojë e të dijë shqip kjo i pasuron që t’jenë edhe kanadezë të mirë.

J.D. -Ardita pyetja e fundit. 14 vjet jetë në Kanada. Çfarë ka ndryshuar në botëkuptimin tënd?

A. M. -Është bukur dhe vështirë të shpreh me fjalë dashurinë që kam fituar për Kanadanë dhe për njerëzit e saj. Ardhja dhe jetesa ime në këtë vend është një përvojë e jashtëzakonshme që i tejkaloi të gjitha parashikimet e mia. Kanadaja më mësoi të jem shumë e duruar. Gjithashtu më mësoi të jem më mirënjohëse edhe për gjërat më të vogla. Disa njerëz dhe shumë surpriza të këndshme kanë ardhur në gjithë rrugëtim timin. Në përgjithësi, njerëzit janë të sjellshëm dhe të mrekullueshëm. Jam mirënjohëse dhe ndihem e lumtur që jam këtu ku jam. Kur flasim për njerëzit në Kanada, nuk dua të harroj edhe ketë, më pëlqen shumë kultura dhe gjesti i shumicës se njerëzve në këtë vend, që, mbase, vetëm këtu e kam parë. P.sh. kur hyni në dyqane, nëpër stacione të autobusëve dhe kudo, personi që është para jush e mban derën hapur për ju, derisa të hysh apo të dalësh... dhe kjo është e qëndrueshme çdonjeri e bën! Përgëzime Jeta për punën dhe faleminderit sinqerisht për ftesën! Suksese dhe punë të mbarë portalit Flasshqip!

 

12 Mars 2021

©FlasShqip.ca