Komunitet

Iljaz Loku, nga Gostivari në Toronto: Në Kanada erdha me një valixhe ëndrra që i bëra realitet

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Besoj që janë shumë të paktë në Toronto ata që nuk e njohin Iljaz Lokun, shqiptarin nga Gostivari (stërnipi i nacionalistit të shquar Xhemë Gostivari) i cili prej shumë vitesh jeton familjarisht në Kanada dhe sot është i ftuari i radhës në rubrikën tonë profil&intervistë. Një rrëfim i veçantë dhe origjinal ku fund e krye ndihet krenaria e të qënit shqiptar dhe dashuria për kombin, e sidomos kujdesi për Shqipen e shenjtë, siç e vlerëson ai, gjuhën që na bashkon të gjithëve si shqiptarë, pavarësisht ku kemi lindur e pavarësisht kufijve artificalë, pasojë e rrethanave historike.

Flasshqip: Iljaz, ju falenderojmë për pranimin e ftesës për këtë intervistë. Le ta fillojmë me qytetin ku keni lindur dhe jeni rritur, e me disa fjalë për familjen tuaj…

Iljaz Loku: I lindur në Gostivar në familje dërmuesisht zejtarësh, pas shpërnguljes nga Forina, fshati i prindërve. Si synim përparimi nga gjyshi im i urtë dhe largpamës, i cili ishte flaka e pishtarit të ardhmërise sime, sepse ishte i ngritur për atëbotë dhe si shef financash ishte mentori im i parë. Ai edhe në pleqërinë e tij e përcillte zhvillimin tim akademik. Gjyshi në oborr lexonte një libër nga “Zoologjia…” që unë pas jetës tij arrita ta zbërtheja se kishte të bënte me “Zodiak-un”, ose Rripin Gjallesor të 12 yjësive dhe rrugëtimit diellor dhe pandeh se e njihte kozmologjinë, ndoshta më shumë anën mitologjike, por për mua zgjoi kërshërinë e flaktë që ta kuptoja kozmologjinë mbi baza shkencore, siç tha Ajnshtajni “dua ta di se si mendon Zoti”, përkitazi me dukuritë natyrore dhe ligjet përkatëse, sepse gjasat për rastësi janë të stërimta. Kam dy djem me grada shkencore, Armendi dhe Fisniku, ish-asistentë në fakultetet ku kanë studiuar dhe një vajzë princeshë të mitur Rona Vlora (me ditëlindje të Pavarësisë) që synoj ta josh poashtu për programin akademik ShTIM (Shkencë, Teknologji, Inxhinjeri, Matematikë) ose anglisht “STEM”. Nusja Mirjeta, laborante, punon në klinikë private dhe në një spital shtetëror.

Flasshqip: Çfarë kujtoni më shumë nga fëmijëria, rinia dhe shkollimi apo aktiviteti profesional në Gostivar?

Iljaz Loku: Shtigjet e kujtimeve të shkuarsisë që shpien në fëmijëri, sillen mes lojërave dhe detyrave të shkollës, sidomos duke luajtur shuk dhe noti buzë lumit të bekuar Bardhar (Vardar), që buron në një fshat të Gostivarit. Im atë ishte ngarës i maunës dhe kombajnës për korrje dhe ndonjëhere më merrte me vete, por ai është idhulli im për nga mirësjellja dhe ndershmëria, kështu që, nëse dikush e vëren pasqyrimthi atë virtyt tek unë, atëhere është merita e tij që ne pasardhësit të jetonim me kushte të pakta dhe ndershmërisht, ndërsa nëna ishte amvisë stoike. Xhaxhain, zejtar biçikletash, e desha më shumë, sepse më përkdhelte e qeraste si djalin e tij. Rinia mjerisht nisi mbrapsht, me përndjekjet e shqiptarëve dhe trysnisë së ushtruar kundër zgjimit të kulturës shqiptare. Nga vetëdijësimi kombëtar pastaj u shfaqën vështirësitë e tjera gjatë studimeve në Shkup, sepse kisha profesorë maqedonë, që meritojnë lëvdata së paku për sjellje profesionale botërisht, por mjerisht kishte edhe mollë të kalbur që më shikonte si stërnip gjaku i Xhemë Gostivarit. Fatkeqësisht, gjatë asaj periudhe e dënuan me burgim dymujor xhaxhain e vogël, i cili ishte përplasur për çështje kombëtare me kolegët e tij maqedonë nga banka dhe deshte ta ftonte si qiraxhie librarinë “Rilindja” nga Prishtina. Mbarova Fakultetin e Anglishtes dhe u largova për në Perëndim.

Flasshqip: Pse vendosët të largoheshit nga vendlindja, cilat ishin arsyet? Na rrëfeni pak me më shumë detaje ju lutemi historinë tuaj të emigrimit, sepse si i thonë, çdo e tillë është një “libër” më vete…

Iljaz Loku: Kërshëria ime shkencore ndoshta ndikoi më shumë, njëkohësisht desha ta zbërtheja se pse “anglezi” është aq dinakërisht i zgjuar. Mirëpo, pas mbarimit të fakultetit në Shkupin dardan, siç e përmenda më lart në degën e Anglishtes, m’u ofrua një mundësi si lexues lajmesh në RTV e Shkupit, dega shqip dhe mendova se më buzëqeshi fati në kryeqendër, por që ditën e parë e morën në hetime një shqiptar të programit muzikor kinse për këngë me përmbajtje të papërshtatshme (lexo patriotike, akuza e zakonshme atëbotë ishte “irredentizmi” shqiptar) dhe ky dështim i drejtësisë bashkë me burgimin e xhaxhait, ishin paralajmërim i mjaftueshëm se edhe mua si disident njohës i arsyes së shëndetshme “Common Sense” nga Tomas Pein “qeveria si fustani është shenja e pafajësisë së humbur”, pasojësisht më priste fati i njëjtë prandaj u largova.

Flasshqip: … dhe si mbërritët në Kanada, çfarë kujton sot emigrant i dikurshëm?

Iljaz Loku: Frymëzimet e para buronin nga mbresat si hapësira e rrugëve të gjera dhe shtëpitë me oborr pa kangjella, si shenja qytetërimi. Nga Suedia e bekuar por tatimlartë erdha në Kanada me një valixhe plot me ëndrra dhe ishte e vërtetë ajo që kumtohej, se Kanadaja e viteve 80-të e 90-të ofronte mundësi për aftësim profesional dhe ngritje të çerdhes familjare, sepse pronat e patundshme ose qiratë nuk ishin pushtuar nga matrapazët pirateskë të brendshëm (dihet se jo të gjithë) dhe investitorët pretarë të jashtëm, të cilët e përjetësojnë problemin duke gjykuar gabimisht se janë pasuruar disa, sepse sot është vështirë që brezi i rinisë së njohur si “Mijëvjeçarët” të ëndërrojnë të njëjtën gjë, pasiqë qiratë janë nga më të shtrenjtat, bashkë me banesat e shtëpitë dhe kjo është papërgjegjësi e udhëheqësve politikë që lejuan “shtetrrethimin financiar” nga sektori ekonomik banesor, shkaku i pangopësisë dhe përfitimit afatshkurtër që ka gjasa të majme të shkaktojë pasoja të rënda për ardhmërinë e rinisë, sidomos duke shtuar edhe flamën e shpifur.

Flasshqip: Meqënëse zotëroje anglishten, a mendon sot se për ty ai fillim ishte disi më i lehtë?

Iljaz Loku: Jo fare lehtë. Meqë studjova anglishten, gabimisht pandeha se ishte më lehtë për mua, por të gjithë ma kalonin, sepse e njihnin më mirë se unë, përveç imigrantëve ballkanikë, sidomos grekët e turqit por edhe italianët e gadishullit Apenin, e të mos flasim për aziatët që nguronin ta mësonin dhe u detyrova të riaftësohem për Informatikë, degën time të dytë, më ngushtësisht për rrjetin kompjuteristik dhe u hapën shtigjet për punësim të mbarë dhe mirëqenie ekonomike.

Flasshqip: … dhe si arrite ta ndërtosh karrierën profesionale?

Iljaz Loku: Sa për korrektësi, por edhe mirënjohje, derisa studioja, kam bërë edhe punë të tjera, si kujdestar pallati për firmën e njohur shqiptare të familjes Bleta, e nëpër restorane. Pasi e kreva Informatikën në kolegjin përkatës, më mbajtën si ligjërues të rrjetit kompjuteristik dhe punova dy vite. Studentët ishin poashtu të rritur dhe nga mbarë bota; indianë, hebrej, rusë, maqedonë, kroatë, filipinas, arabë etj. që poashtu synonin riaftësimin risitar, sepse Informatika ishte risi dhe pagat ishin joshëse. Veçoj përshtypjen time më të madhe kur një student kroat, inxhinjer elektrik, nuk besonte se shqiptari mund ta mësonte atë të bëhej edhe inxhinjer i rrjetit kompjuteristik, ndonëse edhe koleget e tij ishin me grada shkencore, disa me doktorata dhe shprehnin befasinë e tyre të këndshme se kisha guxim të përfshija edhe disiplina të tjera gjatë shtjellimit të lëndës, mirëpo më në fund “Goran” ma solli dhuratën, një gotë qelqi të gdhendur me mbishkrim “Mësuesi Nr.1”, të shoqëruar me letër falënderimi pasi i kaloi provimet përkatëse me Novel e Microsoft. Pas dy vitesh pune në kolegj, para një çerekshekulli (i jam mirënjohës mikut tim shqiptar nga Çamëria) Agako Nouch më ftoi të ushtroja shkathtësitë e mia edhe në prodhimtari për firmën ku ai ishte President. Ai më pas kaloi në kompani tjetër ndërsa unë ngela aty ku jam edhe sot.

Flasshqip: Iljaz, përveç profesionit, ju prej vitesh i jeni përkushtuar disa fushave të dijes. Do të ishte me interes për lexuesit të na përshkruani përmbledhtazi fushën e interesit të studimeve dhe publikimeve tuaja…

Iljaz Loku: Jam miradias për këtë pyetje sepse parapëlqej të bashkëndaj atë që kam mësuar në shkencë, më shumë nga tjerët dhe njerëz qindra herë më të aftë, por përfshirë edhe eksperimentet vetjake sa për konfirmim dhe zbulim të ndonjë këndi tjetër vëzhgimi që nuk është hetuar si dhe duke zhbiruar mësimet e mugëta mistike gjatë botëbredhjes sime në katër kontinente, sidomos në Egjiptin e lashtë, vendin e hyjniut Thoti dhe “mësimet njëmijë fjalëshe” me vizatim, ku edhe Memedaliu ynë barasvlertas si Leka e Çezari dhe Saladini la gjurmët e tij. Atje ku dështoi Napoleoni ai ngriti Egjiptin bashkëkohor dhe dinastinë e tij 150 vjeçare. Këtu vjen në shprehje ajo se edhe shqiptari i nxënë mund të garojë me anglezin fisnik e finok sepse kur ke identitet të “Skenderbëmave” nuk pasqyron vetëm epërsi por origjinalitet, je i mirëfilltë me mençuri ndjenjore ose inteligjencë emocionale, ashtu siç je dhe ku je, kontribuon dhe të takon shpërblimi; nuk varesh nga pritshmëritë e tjerëve, as nuk lakmon miratimin e tyre dhe nuk vuan nga frika e së panjohurës sepse e panjohura qëndron qëllimisht prapa vellos përndryshe do të vuanim nga bezdia nëse i parashikojmë dhe dimë të gjitha. Jam jo më pak as më shumë, por një pemë tjetër për larmi si shqiptar evropian, prandaj jam mendjehapur mëdyshas dhe dua të mësoj edhe nga të huajt, vetëm se propagandën kundërkombëtare e përbuz.

Flasshqip: Ju njiheni si kontribues dhe aktivist i shquar i komunitetit shqiptar dhe një prej themeluesve dhe drejtuesve ndër vite të Shoqatës shqiptaro-kanadeze në Toronto. Si do ta vlerësonit sot komunitetin shqiptar në Toronto, sfidat dhe të ardhmen e tij? 

Iljaz Loku: Bashkësia shqiptare në Toronto ka kapital të lakmueshëm dhe potencial të madh intelektual, sepse i mësynë shqiptarët e shtetit amë më shumë se çdo vendi tjetër në botë, pastaj u bashkangjitën edhe vëllezërit dardanë dhe pararendësisht aty ishin shqiptarët iliridas e çamë, përfshiras edhe “malazias” e “luginas”. Dëshira ime e tokëzuar, si një nga themeluesit e Shoqatës shqiptaro-kanadeze, përvijon ngritjen e “SheSh-it”, Shtëpia e Shqiptarit që ta ngremë flamurin shqiptar për larmi, përsëris jo për hir të krenarisë së sëmurë por vetëshërbimthi dhe përshtatshmërisht që të përfitojmë edhe ne, ngase nuk e kemi “pishtaruar” ne këtë mendësi, por si bashkësitë tjera, ndoshta më të vogla nga ne, si lituanezët etj, pasiqë mundësitë për punësim dhe tregti janë të leverdishme për të gjithë edhe për shtetin kanadez që mirëpret tatimet tona. Le ta arsyetojmë edhe nevojën e “SheSh-it”, sepse shqiptarët kanë më shumë nevojë për qendra bashkësitare, se për qendra fetare, që realisht janë klube për pleq dhe nuk ka gjë të keqe, një mirësi më shumë për lëmoshtari e bamirësi, por të rinjtë ngelën jashtë e të papërfshirë, sepse ata kanë nevojë për qendra sportive dhe për argëtim. Për shembull, pavarësisht se statistikat pohojnë numra mbi 30 mijë ose deri mbi 60 mijë në mbarë vendin, mjafton vetëm 5 mijë shqiptarë të japin kontribut vetëm njëherë dhe atë me dy këste, dy çeqe nga 400 dollarë, për dy vite rresht, që nuk është ngarkesë e madhe financiare, por kontributi i përgjithshëm kap shumën prej 4 milionë dollarësh që të blihet së paku një godinë dhe të përdoret kryesisht për tregti derisa të mjaftojnë të ardhurat e reja për godinën e dytë, ashtu siç i kanë ngritur edhe kroatët ose shqiptarët në Detroit. 

Flasshqip: Iljaz a mendoni se shqiptarët këtu janë më të lirë në mendime se në atdhe?

Iljaz Loku: Besoj se mendimet më nuk censurohen si më parë nga diktaturat, me përjashtim të Kuçedrës së kuqe dhe Arushës polare ose Mjekroshistëve Meslindorë, sidomos sot falë teknologjisë qëndron edhe mundësia për t’u shprehur anonimisht, mirëpo të shprehurit i lirë nuk nënkupton urrejtje e shpifje, sidomos keqnjoftime e “çnjoftime enkas” (dezinformata) të cilat sjellin përfitim të përkohshëm, por vendosin parashembull të keq dhe përjetësohet vuajtja e prapambeturia nga vetëmashtrimi, kryevepra e njeriut, mjerisht negative. Le ta themi të vertetën sokratike se nuk ka njerëz të ligj. Çdo gjë e keqe buron nga mosarsimi (padituria ose injoranca), madje edhe psikopati kryen krimin ngase nuk është i vetëdijshëm, se i mungon ndjesia e dhembshurisë, prandaj kujtojmë lutjen e famshme “faljau o Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë”!

Flasshqip: Si do ta përshkruanit shoqërinë e sotme kanadeze?

Iljaz Loku: Shoqëri liberale që guxon të mendojë ndryshe nga fqinji i madh, por ndoshta tejet liberale për disa çështje që synojnë utopinë dhe mund ta pësojë shpërbërjen ose reagimin kundërkahës. Për shembull, nëse dikur dominon një gjuhë e tretë vetvetiu mbivendoset diktatura e shumicës që e përveton të drejtën për epërsim ose ta zhbëjë kulturën themeltare dhe mund të shkaktojë ndasi të mëtutjeshme sektare. Anija e përbashkët duhet të mos bjerë në duar të piratëve që kanë agjenda vetjake në kurriz të gjithë shoqërisë, qoftë grupe qoftë kompani.

Flasshqip: Po politikën kanadeze a e ndiqni? Nëse po, cili është mendimi juaj rreth saj dhe mënyrës si zhvillohet diskursi politik?

Iljaz Loku: Dikur po, por erdhi pika e ngopjes, sepse edhe demokracia mund të kapet peng nga oligarkia dhe grupet e interesit, sidomos politika identitare ndërsa ngeja në Perendim është e kufizuar dhe duhet shpenzuar kursimthi. 

Flasshqip: Cili është mendimi juaj për situatën e shqiptarëve në Ballkan dhe të ardhmen e tyre?

Iljaz Loku: Nuk kemi patur kurrë ndonjë mundësi të bekuar si sot dhe pjesërisht periudha e Skenderbeut, kryetrimit tonë, që të jetësohet “ilirizimi” i trojeve shqiptare si skandinavizimi, së paku në rrafshin ekonomik, sipas modelit emnak skandinav, sepse pavarësia politike tregtohet lehtë nga politikanët “haxhiqamila” e “janullatosa”, ndërsa pavarësia ekonomike më lehtë e ruan pavarësinë politike, prandaj besoj shkenca është shpëtimi i shqiptarisë, sepse ashtu përparoi edhe shtetuci i superfuqishëm Izraeli, Islanda e vockël ose Korea Jugore, ndërsa Korea kuqaloshe mbahet peng nga mendësia primitive e një grupi politik që e mbështet diktatorin kundër bashkimit vëllazëror, a Gjermania përparimtare u ribashkua mu para syve.

Flasshqip: Të flasim pak edhe për një temë që ju e keni fort për zemër, gjuha shqipe dhe tradita kombëtare në kushtet larg atdheut. Vihet re që fëmijët e shqiptarëve që lindin në emigracion i humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat? Ç’mendoni për këtë?

Iljaz Loku: Mjerisht ne vuajmë nga mallkimi i mërgimit, si pasojë e mosarsimit dhe moszhvillimit. Lindim e largojmë, pjellim e përcjellim derisa edhe vetë të shterim. Përfundimisht pa rifreskim mërgimtarësh nga atdheu ajo do të ndodhë me shqiptarët kudo, mjerisht edhe në Zvicër, madje edhe me arbëreshët e padorëzueshëm të Italisë nëse dështojnë e mungojnë entet përkatëse që e mbajnë kulturën gjallë si koloni. Mirëpo nëse shqiptarët i mbajnë mbiemrat e mirëfilltë, identiteti i tyre ngelet i njëjtë, prandaj edhe unë riktheva mbiemrin e fisit. Vërtetë fisi hebraik enkas i ndërronte emrat e mbiemrat që të pranohej e përshtatej në Evropën Perëndimore, por ne jemi vendas dhe nuk duhet ta humbasim tapinë historike të lashtësisë që për ne nuk përcaktohet nëpërmjet fesë, por nëpërmjet gjuhës së shenjtë shqipe dhe pastaj me mbiemrin. Paramendoni sa krenar do të ishte Osmani sot të mësonte se kryetarja e shtetit kosovar mban emrin e tij, në vend që të ishte shqip Mani, si pema. Emri vërtetë nuk ka rëndësi, sepse ka rëndësi njeriu, mandej emri edhe ashtu rifreskohet me brezin e ri, ndërsa mbiemri përcillet në trashëgimi si tapi dhe këtu bie ndesh thënia e Shekspirit se “trëndafili lëshon erën e këndshme”, pavarësisht emrit që mban (në të gjitha gjuhët), por mbiemri rrëfen lashtësi dhe ruan tapinë e pronësisë për shqiptarët vendas të gadishullit Ilirik. Mbiemri mund të ndërrohet ashtu siç është ndërruar më parë nga tjerët, me prapashtesa të paafërta dhe vrastare për veshin shqiptar, qoftë ski e qoftë viç.

Flasshqip: Ka individë që mendojnë se çdo komunitet emigrantësh duhet të asimilohet brenda kulturës së vendit që e mirëpret. Cili është opinioni juaj?

Iljaz Loku: Gjithmonë mirënjohës ndaj vendit që i mirëpret shqiptarët, por ky qëndrim i asimilimit duhet përmbysur, sepse talenti është i kudopërhapur nga Mëshira Hyjnore, prandaj kur shkon shqiptari në Romë nuk duhet të bëjë si romakët por si Konstantini ilir, në Egjipt si Memedaliu ynë, në Stamboll si Kemali dhe në Venedik si Skënderbeu, sepse përfiton edhe vendi mikpritës, nësë shpalosim dhuntitë tona dhe jo të ngasim vijën e mendësisë së turmës kopetare. Shqiptarët e kanë parashembullin e Skënderbeut, i cili e kuptoi rëndësinë e rrjetit të sigurimit atdhetar sepse sa herë e kanë pësuar të huajtë nga “fshesa” e mikrpritjes. Unë e kisha dhënë jetën time ta mbroj një bashkëvendas kanadez sepse të njëjtën pres edhe unë, por nuk duhet të gjithë të bëhemi globalistë të tërbuar, sepse individi e përbën bashkësinë dhe duhet ruajtur drejtpeshimin si parimi i barazimit nga Nobelisti Nash, të veprojmë ashtu sipas leverdisë së bashkësisë dhe jo në dëmin e saj, por as bashkësia nuk duhet ta furr dhuntinë kreative të individit, sepse sa herë individi e ka shpëtuar bashkësinë. Dualiteti i natyrshëm ose dyanësia është si medaljoni, bashkësi kundërshtimesh, vallzim ose martesim i kundërpalëve ku fshihet drejtpeshimi nga dallimi ose diferenca e kundërvlerave. Pa të ftohtë nuk ka nevojë për të ngrohtin dhe pa errësirën nuk ka nevojë për dritën, prandaj duhet mirëkuptuar edhe kundërshtarët sepse edhe ata dinë diçka dhe nga dualiteti në drejtpeshim buron harmonia ose shqip lumturia.

Flasshqip: Ju shquheni për kujdesin e veçantë ndaj pastërtisë së gjuhës shqipe. Cili është motivi që ju nxit?

Iljaz Loku: Profesoresha e huaj që ligjëronte Shekspirologjinë në fakultet më udhëzoi ta lexoja Shekspirin e shqipëruar nga Fan Noli dhe u habita, sepse Shekspiri thuhet se e ka pasuruar gjuhën angleze dhe ka punësuar mbi 20 mijë fjalë. Kur e pashë se sa e ngurtë dhe poaq e epur është shqipja jonë e shenjtë atëherë mu rrit vetëbesimi dhe fillova noliançe edhe unë, të gjeja barasvlera për ato që mungonin nga anglishtja shqip, si për shembull "disclaimer" si shpërgjegjësim, "pun" si lojafjalthi etj., derisa të gjenden barazvlera më të qëlluara.  

Flasshqip: Cila, sipas jush, mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së kulturës shqiptare në emigrim?

Iljaz Loku: Entet shkollore dhe mediat si FlasShqip, qendrat bashkësitare, bizneset që promovojnë turizmin me të rinjtë për në Shqipëri e viset e tjera shqiptare, mirëpo mbi të gjitha shkëmbimi i përvojave, sponsorizimi i shqiptarëve për në Kanada qoftë dhe vetëm gjatë pushimeve verore, sidomos për ndonjë specializim të shkurtër, sepse ashtu bën edhe shtetuci i superfuqishëm matanë Mesdheut, atje e flasin më mirë anglishten se sa amerikanët, sepse pa komunikim të gjallë nuk ka vazhdimësi dhe kjo duhet të jetë në dobi dypalëshe.  

Flasshqip:  A keni diçka tjetër që do donit ta ndanit me lexuesit sot…

Iljaz Loku: Uroj që familjet e pasura shqiptare vetë të zgjedhin një familje të panjohur në trojet shqiptare dhe ta sponsorizojnë çdo vit më një muaj rrogë, si rroga e 13, sepse dy a treqind euro ne na ikin vetëm për një mbrëmje festive. Unë jam krenar si nun kombëtar dhe më vjen shumë mirë që e pranuan kërkesën time për miqësim. Para flamës u munduam ta sponsorizonim studenten e familjes në fjalë, por shteti kanadez nuk e miratoi kërkesën nga frika se nuk do të kthehej mbrapsht në Shqipëri, edhe pse familijarisht dolëm dorëzanë për çdo gjë dhe i plotësonim të gjitha kushtet. Nuk di se sa mund të ndikojnë ambasadat përkatëse, pa u cilësuar si ndërhyrje, por së paku për të gjetur studentë të denjë që të vinë për specializime. Mjaftojnë së paku 10 familje në vit dhe për disa vite rresht e ndoshta vendoset një traditë e re e frytshme. Njëkohësisht të rinjve shqiptaro-kanadezë profesionistë t’u mundësohet nga shteti amë që të ligjërojnë për mësim plotësues, sepse rinia shqiptare e njeh relativisht mirë anglishten dhe mund të përfitojnë të dy palët ose të lindin marrëdhënie të reja në mënyrë të natyrshme, pa ndërhyrjen klasike të prindërve. Gjitha të mirat lexuesve të FlasShqip dhe i ftoj ta mbështesin shtypin dhe mediat shqiptare.

Flasshqip: Edhe njëherë falemnderit per bisedën Iljaz! Një vit të mbarë 2022 ju urojmë ju dhe familjes tuaj, si dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në hapsirën tonë shqip online, na lexojnë e na mbështesin vazhdimisht!

31 Dhjetor 2021

©Flasshqip.ca

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..