Komunitet

Lutje dhe shpresë - Nga Endrit Mullisi

  • Published in Komunitet

Këto që do shpreh më poshtë, i kam menduar prej shumë muajsh dhe do përpiqem t’i permbledh:

-Të vaksinohesh që të kesh mundësi të kalosh kufirin, nuk është arsyeja e duhur.

-Të vaksinohesh që të kesh mundësi të shkosh në restorant apo palestër, nuk është arsyeja e duhur.

-Të vaksinohesh që të dukesh si anëtar i denjë i komunitetit, nuk është arsyeja e duhur

-Të vaksinohesh që të mbash vendin e punës, nuk është arsyeja e duhur.

E vetmja arsye që një individ i informuar dhe në gjendje të lirë duhet të vaksinohet, është për shkak të mbrojtjes së shendetit personal. Të tjerat duhet të jenë dytësore dhe tretësore.

Gjithë këto muaj na janë lodhur veshët me një fushatë bombarduese të shpikur kushedi se në cilën zyrë marksiste apo fashiste - që i përfshin të gjitha: kërcënimin, frikën, ndëshkimin dhe shpërblimin, nëse të behet çfarë të kërkohet.

Në këtë situatë përgjegjësia është e niveleve të ndryshme, duke filluar që nga politikanët e mirëfilltë, tek shumica e medias, tek ata që interpretojnë të dhënat politikisht dhe deri tek njerëzit e thjeshtë, që lejojnë propagandën t'u errësojë syte dhe të shohin armikun tek komshinjtë, miqtë dhe kolegët.

Mashtrimi masiv është i mundshëm dhe ka disa nivele, herë me dashje dhe herë nga interesi. Disave u ka interesuar ajo që ka ndodhur këto dy vjet. Më kujtohet se si një mik pyeti shokun që ishte pronar i një shtëpie funerale: "Si ecën puna?" "Mirë, bereqavers, kemi patur punë këtë periudhe" - iu përgjigj tjetri.

Dhe në këtë ambient frike, shumë as nuk duan ta kenë këtë temë në biseda, sepse ose duan të shmangin diskutimet, ose e dinë që vendimi i tyre bie poshtë katërcipërisht me atë që ata kanë menduar. Mos flas pastaj për nivelin shumë të lartë të vetë-censurimit që ka arritur në nivele të frikshme…

Niveli më i ulët dhe i ndyrë që kam parë përgjatë 30 viteve që e quaj veten të rritur, është kërcënimi i njerëzve me humbjen e punës. Kjo është më keq se sa hyrja në Partinë Komuniste, apo PD e pas 91' për përfitime jo të marra me meritokraci. Kjo i ka bërë shumë njerëz që unë njoh, të marrin vendim kundra ndërgjegjes së tyre, për të mos ndërprerë të drejtën e familjes dhe fëmijëve për t'u ushqyer, për t'u veshur dhe për të patur banesë.

Asnjëherë nuk do i gjykoj ata që e kanë marrë vendimin të vaksinohen që të kënë mundësi të mbajnë vendin e punës, por jam duke luftuar brenda meje nëse do të kem dot fuqi të fal ata qe i kane detyruar njerezit te veprojne kundra ndergjegjes. Unë mund të fal padijen, por lutem që të gjejnë atë që kanë mbjellur, cilido që e ka mbjellur ligësinë, frikën me dashje dhe me qëllim.

Lutja ime është që vendi im të pastrohet nga ideologjira dhe njerëz që i frymëzojne ato, që duan t'a kthejnë popullin në qënie të bindura sociale pa patur mundësi të jenë plotësisht të lirë. Lutja ime është që Kanadaja (por dhe Shqipëria) të bëhet një vend ku vërtet njerëzit janë të lirë, kanë paqe, punojnë sëbashku për të mirën e përbashket, një vend ku besimi në Perëndi nuk quhet si i prapambetur, por i inkurajuar, kudo që njerëzit e pranojnë si të rëndësishëm.

Unë kam ende shpresë, që pas kësaj shkundje, ne mund ta rishohim njëri-tjetrin në sy, pavarësisht se në cilën llogore luftuam, apo në cilët divanë vegjetuam, e t'i themi që "bëra më të mirën që dija, me fal për atë që nuk dija", apo "unë kam qenë shumë egoist dhe kam parë që të më shkojë vetëm puna ime mbarë, pa u shqetësuar fare për ty", e të tjera si këto.

Unë kam ende shpresë që pajtimi në këtë komb mund të ndodhë, jo pas 100 vjetësh dhe jo me letra pompoze, por së shpejti dhe në nivele njerëzore.

Ju ftoj të gjithëve të bëheni katalizatorë të paqtimit, por pa sakrifikuar në altar atë që për ju është e shenjtë dhe e vërtetë.

Zoti na dhëntë dritë të gjithëve!

©Endrit Mullisi