Për ruajtjen e identitetit shqiptar çdo gjë nis nga familja - Intervistë me Ing. Saimir Budo, Calgary
- Published in Komunitet
- Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Sot, i ftuar në rubrikën Profil-Intervistë të Flasshqip, është inxhinieri Saimir Budo, me banim në Calgary të provincës Alberta. Saimiri jeton aty prej një dekade, së bashku me bashkëshorten dhe dy djemtë, Geri dhe Tedian. Ai njihet edhe për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë si një nga drejtuesit kryesorë të Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze në Calgary gjatë viteve të fundit. I pasionuar pas letërsisë dhe futbollit, ai pranoi të ndajë me ne një pjesë të historisë së rrugëtimit të tij nga Shqipëria në Kanada...
Flasshqip: Saimir ku ke lindur e je rritur? A mund të ndash me ne pak fjalë mbi familjen dhe vendlindjen?
Saimir Budo: Unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë në një familje të njohur e me tradita, me origjinë nga Gjirokastra. Si familje, jo vetëm ajo e vogla, por edhe ajo më e madhja, kemi qenë gjithmonë pranë njëri-tjetrit. Kjo ka bërë që sot, megjithëse jemi të shpërndarë nëpër botë, ne brezi i dytë i asaj familjeje, të ruajmë një lidhje të fortë mes nesh. Sa i takon Tiranës, vendlindjes, me bukurinë apo kaosin (ndonjëhere deri në dhimbje, të shkaktuar nga një zhvillim i pakontrolluar), me ritmin e dinamikën e saj, mendoj se ka qenë pjesë e formimit tim si njeri. Une e dua Tiranën!
Flasshqip: Çfarë kujton më shumë sot nga fëmijëria, shkolla dhe vitet kur ke jetuar në Shqipëri?
Saimir Budo: Eh, fëmijeria ime, ashtu si e një pjese të mirë të brezit tim, ka qenë e pasur e shumë aktive. Ajo që mbaj mend është se nga ajo kohë kam miq të vyer që i gjen rrallë në jetë. Vitet e mia të shkollës ishin të veçantë. Kam perfunduar 8-vjeçaren tek Emin Duraku dhe gjimnazin tek Petro Nini. Me gjithë kohët e trazuara të fundviteve 80-të dhe fillimviteve 90-të, të qënurit pjesë e një brezi që kishte shumë nga ata që shpejt u afirmuan si artistë, sportistë, njerëz të njohur të biznesit apo edhe pjesë e politikës, ta bën memorien shumë të pasur. Disa prej tyre ndodhen sot në Amerikën e Veriut, e kur kemi patur mundësi, kemi kujtuar ato vite të veçantë. Shqipëria, sidomos pas viteve 90-të kaloi (dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë) në një tranzicion dinamik me shumë ngjarje. Kjo ka bërë që jeta jonë të ishte intensive, ku stresi dhe kënaqësia ishin pjesë e përditshmërisë.

Flasshqip: Cili ka qenë aktiviteti yt profesional në Shqipëri para ardhjes në Kanada?
Saimir Budo: Përpara se të vij në Kanada kam punuar si inxhinier në një kompani private në projektimin dhe zbatimin e disa projekteve të rëndësishëm për kohën në Tiranë dhe në Shqipëri, siç ishin rindërtimi i rrjetit të tensionit të ulët në Tiranë dhe disa qytete të tjerë të Shqipërisë dhe ndërtimi i rrjetit të antenave të kompanisë Plus Communication. Ka qenë një eksperiencë e vyer si personale e njerëzore, ashtu edhe profesionale.
Flasshqip: A mund të rrëfesh diçka mbi historinë tënde të emigrimit. Si vendose të largohesh nga Shqipëria, cilat ishin arsyet?
Saimir Budo: Arsyeja që u largova ishte pak a shumë si e një pjese të madhe të shqiptarëve. Dëshira e një prindi, të arrirë kënaqshëm në karrierën profesionale, për t’i ofruar fëmijes së tij pasjen e mundësive për të zgjedhur një të ardhme më të mirë. Bashkeshortja ime, në atë kohë, po përfundonte Universitetin në New York dhe duke parë nga afër mundesitë që ofronte Amerika e Veriut, e menduam dhe si një zgjedhje të përshtatshme zhvendosjen në Kanada. Alberta e fillim viteve 2010, kishte nevojë për profesionistë të drejtimeve tanë. Kështu që vendosëm të provonim Calgary, gjë për të cilën nuk jemi penduar.
Flasshqip: Cilat ishin përshtypjet e para nga Kanadaja dhe sfidat apo vështirësitë e fillimit?
Saimir Budo: Mbaj mend që shumë shpejt Calgary më bëri që të ndihem si në shtëpi. Mbase ngaqë ne erdhëm në pranverë dhe ajo stinë këtu në Calgary është shumë e bukur. Më pëlqeu qetësia dhe konforti që të ofronte qyteti. Personalisht, një nga vështiresitë e para që kam hasur konsideroj mentalitetin e ndryshëm me të cilin po përballesha. Megjithëse si pjesë e karrierës time kisha edhe eksperienca në kompani të mëdha ndërkombëtare, ballafaqimi me realitetin e ri nuk ishte i lehtë. Një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje ishte kuptimi i shprehjes “Eksperienca kanadeze” (Canadian experience). U mundova që ta kuptoja nga bisedat me ata pak shqiptarë që njoha në ato fillime, se çfarë ishte, por do të më duhej ca kohë për ta mësuar vetë “në kurriz”. Nuk kishte të bënte me pjesën profesionale të personit, por me kulturën kanadeze të të (bashkë)jetuarit dhe (bashkë)punuarit brenda komunitetit ku jeton e punon. Pjesa tjetër i takon vështirësive të zakonshme të dikujt që ishte mësuar që pazarin ta bënte gjithmonë poshtë pallatit, nga pak përditë, por që tashmë duhet të bënte 8 kilometra me makinë, sa herë që i duhej qumësht dhe bukë në shtëpi.
Flasshqip: Saimir, duke patur parasysh profesionin tënd dhe kërkesat e tregut të punës në Kanada për inxhinierë, por edhe kapacitetin e adaptimit të shpejtë që na karakterizon si shqiptarë, mendoj se integrimi profesional për ty nuk ka qenë ekuacion me shumë të panjohura, apo jo?
Saimir Budo: Në çdo rast, fillimi asnjëherë nuk është i lehtë dhe ashtu siç e thashë edhe më lart, mund të përballesh me sfida të cilave ndonjëherë nuk u di as zgjidhjen. Megjithatë, personalisht, në një provincë të pasur dhe që ofronte shumë mundësi, arrita që brenda një kohe të shkurtër të punësohesha në një pozicion të përshtatshëm me eksperiencën time, për t’i krijuar kësisoj mundësinë vetes për t’u rritur profesionalisht si inxhinier. Kjo rrugë mori disa goditje dhe kthesa të papritura për shkak të mënyrës se si ishte e përqëndruar ekonomia në provincën e Alberta-s. Pas goditjes së parë që mori industria e naftës dhe gazit në fillim të vitit 2015, e gjykova të domosdoshme rritjen e aftësive për t’u përshtatur me tregun e punës. Pas disa viteve në fushen e gazit dhe naftës, m’u ofrua mundësia që të merrem me Sigurimin Teknik dhe Kontrollin e Cilësisë. Kompania ku punoj quhet CASK Global Canning Solutions, është e veçantë dhe lider në llojin e aktivitetit të saj.

Flasshqip: Si do ta përshkruaje shoqërinë kanadeze dhe mjedisin ku jeton tani?
Saimir Budo: Me kalimin e kohës kupton që shoqëria kanadeze është një shoqëri e hapur dhe e ndryshme. Integrimi, në një ambient ku shumëllojshmëria e kulturave shihet si një vlerë, nuk është i pamundur dhe kjo të bën të kuptosh se si njerëz të kësaj bote kemi shumë pak ndryshime nga njeri-tjetri. Unë kam jetuar vetëm në Calgary, por kam takuar shumë njerëz nga e gjithë Kanadaja që jetojnë këtu dhe besoj se ky referim e përfaqëson shumë mirë të gjithë Kanadanë.
Flasshqip: Po politikën kanadeze a e ndjek? Nëse po, cili është mendimi yt rreth saj?
Saimir Budo: Ka pak mundesi që të kesh jetuar në Shqipëri e të mos jesh i “infektuar” nga politika. E ndjek politikën këtu me aq sa më lejon koha. Atë që po ndodh sot në politikën kanadeze mund ta përmbledh me një fjali: “Është koha e duhur për ndryshim”. Arsyet, besoj, ata që duan, i shohin dhe i dinë…
Flasshqip: Si e përjetove periudhën e pandemisë? A ndikoi në aktivitetin dhe jetën tënde të përditshme?
Saimir Budo: Mund ta shpreh vetëm me një fjalë: “trishtim”. Kompania që punoj, për natyrën e biznesit, u konsiderua “essential service” dhe mua, për vetë pozicionin që kam brenda saj, më është dashur të shkoj përditë në punë, pa ndërprerje. Të shikoje një qytet që në orarin e pikut të trafikut ishte i zbrazur e pa jetë, ishte me të vërtetë shumë e trishtueshme dhe e jashtëzakonshme. Patjetër që ndikoi në përditshmërinë time dhe të familjes. Mbyllja e shkollave dhe mesimi on-line solli një problem të ri. Përfshirja e fëmijeve në aktivitete fizikë ishte e detyrueshme dhe kjo duhej bërë në një mënyrë sa më të sigurtë. Kështu që pas shume viteve iu kthyem përsëri biçikletave dhe vrapimit në natyrë.

Flasshqip: Çfarë të pëlqen të bësh më shumë në kohën e lirë dhe cilët janë pasionet e tua jashtë profesionit?
Saimir Budo: Letërsia artistike (shqiptare dhe e huaj), muzika dhe rigjetja e pasionit për biçikletën janë një pjesë e gjërave që më plotësojnë kohën e lirë. Gjithashtu një pjesë të konsiderueshme të kohës ka zënë dhe të qënit trainer në një nga klubet e futbollit për fëmijë në Calgary. Kam qenë trainer me ekipin e djalit të madh dhe tani edhe me atë të djalit te vogel. Gjithashtu gjej kënaqësi që të jem pranë njërit prej ekipeve të futbollit të shqiptarëve FC Albania O35, këtu në Calgary.
Flasshqip: Saimir, ke qenë shumë aktiv në veprimtaritë e komunitetit shqiptar në Calgary dhe për disa vjet një nga drejtuesit kryesorë të shoqatës atje. Çfarë përfaqëson për ty shoqata dhe cilat janë mbresat nga kjo eksperiencë?
Saimir Budo: Shoqata për mua perfaqeson një mekanizëm që synon organizimin e shqiptarëve dhe mbështetjen e promovimin e kulturës dhe indentitetit tonë, me qëllim që një dite edhe ne të jemi pjesë domethënëse e multikulturalizmit kanadez. Të qënit pjesë e drejtimit të shoqatës është gjë e bukur, por jo e lehtë. Kërkohet impenjim dhe pasion. Puna në grup dhe dakordësia për mënyren e arritjes së qëllimit që i kishim vënë vetes ishte një faktor kryesor në suksesin e këtyre viteve të fundit. Por si çdo gjë që duam të zhvillohet e të ecë përpara në përshtatje më kohën, edhe grupi drejtues i shoqatës kish nevojë për një ndryshim, kish nevojë për energji dhe ide të reja, ndryshim që e realizuam me sukses para disa javësh. Unë personalisht kam patur shumë kënaqësi nga përfshirja në organizimin e aktiviteteve të shoqatës.
Flasshqip: Si e vlerëson evoluimin e komunitetit shqiptar në Kanada, bazuar kjo dhe në informacionin që qarkullon prej disa vitesh në media dhe rrjete socialë…
Saimir Budo: Ne jemi komunitet relativisht i ri në Kanada. Kemi filluar që të organizohemi në bazë lokale, nëpër qytete. Tashmë pak nga pak, ka ardhur koha që vetë shoqatat brenda një province, apo edhe midis provincave, të bashkëpunojnë më shumë me njëra-tjetrën. Dhe ky bashkëpunim të jetë jo vetëm në aspektin e organizimit të aktiviteteve festivë, por edhe në këmbimin e eksperiencës, për mënyren e drejtimit dhe arritjet e secilës shoqatë. Kjo mund të çonte edhe në lehtësimin e njohjeve dhe bashkëpunimit midis bizneseve shqiptarë nëpër të gjithë Kanadanë.

(Me ish-kryetarin e Bashkisë Calgary, Naheed Nenshi)
Flasshqip: A shkon në Shqipëri shpesh dhe si të duket ajo aktualisht?
Saimir Budo: Ka disa vite që nuk kam shkuar në Shqipëri, por megjithatë e ndjek atë që ndodh atje. Shqipërinë, kur e sheh nga jashtë (e viziton për pushime) është e bukur, e mrekullueshme, por kur e njeh nga brenda, fatkeqësisht mendoj që akoma po vazhdon dhe do të vazhdojë edhe për kush e di sa vite të përpëlitet në ethet e një tranzicioni pa fund. E shoh si një vend që prodhon një rini, një pjesë e së cilës akoma kërkon të ikë e të mos kthehet dhe një pjesë tjetër, që e sheh punën në shtet si një mundësi për një pasurim të shpejtë. Pak pesimist si përshkrim, por ky mendoj se është realiteti, që disa kanë ngurrim ta shohin siç eshtë në të vërtetë.
Flasshqip: Vihet re në jo pak raste, që fëmijë nga familje shqiptare që lindin në emigracion, e humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat (natyrisht kjo ndodh dhe me komunitete të tjerë). Ç’mendon për këtë, po të kemi parasysh që në Kanada nuk ka aspak presion asimilues, por përkundrazi një nga themelet e kësaj shoqërie është multikulturalizmi? Calgary ka një shembull pozitiv në këtë drejtim…
Saimir Budo: Unë besoj se çdo gjë fillon nga familja. Atje ngjizet gjithçka. Duke e njohur shoqërinë kanadeze, besoj se nuk bëhesh më shumë kanadez, apo nuk të ndihmon të integrohesh më shpejt e më lehtë, nëqoftëse u flet fëmijëve anglisht në shtëpi. Përkundrazi, besoj se mund të fitosh më lehtë respektin e njerëzve që të rrethojnë, nëse ti tregon atë që me të vërtetë je. Dhe kjo lidhet edhe me faktin e mesimit të gjuhës e kulturës shqiptare në shkollat shqipe në Kanada. Këtu në Calgary, kemi fatin që kemi një thesar të mësimdhënies, zysh Adriana Fishta Bejko (siç e thërrasin të gjithë). Një pjesë të madhe e meritës për suksesin e shkollës në Calgary i takon asaj. Duke pare se qëllimi i shoqatës, i ka themelet tek një shkollë shqipe e suksesshme, atëherë mbështetja jo vetëm e jona si bord i shoqatës, por edhe e të gjithë komunitetit ka qenë e jashtëzakonshme. Janë ata femijë që shkojnë sot në shkollë, tek të cilët ne duam të përçojmë kulturën e traditat shqiptare.
Flasshqip: Cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së kulturës shqiptare në emigrim përveç mësimit të gjuhës?
Saimir Budo: E vërtetë, vetëm mesimi i gjuhës nuk mjafton. Duhet që kultura e traditat tona të bëhen më të prekshme. Pasja e mundësisë të organizimit të mini-panaireve (apo diçka e ngjashme) me libra nga letërsia shqiptare, në shqip ose të përkthyer, ekspozita të piktorëve shqiptarë, kinematografi shqiptare apo teater. Duke qenë se jemi larg Shqipërisë, besoj se komuniteti është “i uritur” për aktivitete të kësaj natyre dhe në të njëjtën kohë prezantohemi me dinjitet edhe në shoqerinë kanadeze. Do të ishte një mrekulli sikur nëpërmjet lidhjeve apo njohjeve, të kishim edhe mundesinë e organizimit të nje aktiviteti sportiv të nivelit të lartë.
Flasshqip: Falemnderit për intervistën Saimir. Të urojmë shëndet dhe suksese të mëtejshëm familjarisht!
©Flasshqip.ca












