Komunitet

Ottawa, nga 27 qershori fillojnë aplikimet për pasaporta në Ambasadën e Shqipërisë

  • Published in Komunitet

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, konfirmohet se duke filluar nga data 27 qershor 2022, për të gjithë shtetasit shqiptaro-kanadezë me banim në Kanada, bëhet më në fund i mundur aplikimi për marrjen apo rinovimin e pasaportave dhe letërnjoftimeve biometrike, përmes Ambasadës të Republikës së Shqipërisë në Ottawa. Deri tani e vetmja mundësi për marrjen apo rinovimin e dokumenteve zyrtare shqiptare për shqiptaro-kanadezët ka qenë vajtja në Tiranë, ose aplikimi përmes Zyrës Konsullore të Republikës së Shqipërisë në New York të SHBA.

Pas pajisjes me vizën hyrëse kanadeze, në datën 26 qershor mbërrin në Ottawa supervizorja e Departamentit të “Enrollmet Support” pranë Kompanisë “Aleat”, e cila do të kryejë instalimin përfundimtar të pajisjeve që patën mbërritur qysh në fund të shkurtit si dhe do të trajnojë personelin përkatës të Ambasadës shqiptare në kryeqytetin kanadez.

Kompania “Aleat” Sh.p.k. është një kompani që operon në Shqipëri në bazë kontrate konçesioni të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe konsorciumit Idemia Identity&Security (Francë) dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve (Shqipëri) për prodhimin dhe shpërndarjen e Kartave të identitetit dhe Pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë. Kontrata e konçesionit u ratifikua me Ligjin nr. 9972 datë 27.08.2008, plotësuar më vonë me dy ligje të tjera më 2013 dhe 2021.

https://www.aleat.al/al/pasaport%C3%AB-biometrike

Pas çdo aplikimi në Ambasadën shqiptare (pas regjistrimit online ne portalin e-albania.al), procedura dhe tarifat e të cilit do bëhen të ditura zyrtarisht së afërmi, të dhënat i përcillën kompanisë “Aleat” e cila brenda dy javëve në Tiranë prodhon dokumentet përkatës, letërnjoftim ose pasaportë. Dokumentet i përcillen Ministrisë së Jashtme, e cila më pas ka detyrimin t’i dërgojë ato me postë në Ottawa përsëri pranë ambasadës.

Linku i aplikimit në e-albania.al: 

https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9765 

©Flasshqip.ca