Komunitet

Në Kanada ka Zot, por ka dhe shtet - Nga Bela Aleksi

  • Published in Komunitet

Udhëtuam javën e kaluar për në St. Martin. Më në fund pushime pas 2 vjetësh të katërt si familje.

Për ata që nuk e dinë, ishulli St. Martin është pjesë e Ishujve Leeward në Detin e Karaibeve. Ishulli është territor i BE dhe u përket dy shteteve europianë, në anën veriore Francës (e quajtur Saint-Martin) dhe në anën jugore Holandës (e quajtur Sint Maarten).

Biletat i morëm me Airline Elite. Kompania na i dërgoi me email vendet, pa patur nevojë për check-in online një ditë para. Ditën e nisjes, zgjohem në ora 5 të mëngjesit dhe duke ditur radhët e gjata në aeroport gjatë kësaj periudhe, mendova ta bëja check-in e valixheve. Provova disa herë duke skanuar pasaportat dhe sistemi më thoshte kontrollo pasaportën e Oltës, vajzës. E shikoj edhe një herë, për të dhjetën herë pasaportën e saj dhe them me vete: Sa e vogël çupa këtu!? Shikoj datën… kishte skaduar në maj 2022… Kohë për të shtyrë udhëtimin nuk kishim, pasi ishin rregulluar punët, shkollat, angazhimet e të gjithëve, plus menjëherë kur të ktheheshim do niseshim për në Shqipëri…

Kërkova në Google informacionin a lejohet në St. Martin hyrja me pasaportë shqiptare dhe informacioni thoshte që lejohej pa vizë deri në 3 muaj. Me vrap nisemi 4 orë përpara udhëtimit në aeroport me çertifikatën e lindjes në Kanada të vajzës dhe pasaportën e saj shqiptare. Sa zbresim nga Uber, takojmë 2 policë kufiri jashtë në aeroport. Ata na thonë kontaktoni ambasadën, apo konsullatën kanadeze në vendin ku do shkoni. Më pas drejt e tek sporteli i agjencisë më të cilën kishim rezervuar udhëtimin. Këto kohë, ngaqë “nuk ka njerëz mjaftueshëm”, në shërbimet me publikun janë vënë disa që duken sikur i kanë sjellë me zor në punë dhe nuk e ben askush detyrën si duhet. Vetëm rrinë, tërheqin këmbët zvarrë, bëjnë muhabet dhe plas po deshe…

Një nga ky lloj na qëlloi dhe ne. Nuk mund të niset vajza insistonte. Vendosni çfarë do bëni. Djali tha kthehem unë me motrën, shkoni ju të dy. Genci, bashkëshorti, iu përgjigj djalit shko ti Kris, se ne ishim me pushime, ti ke kohë pa shkuar… Ndërsa unë ndërhyra prerë: do ikim të katërt, opsion tjetër nuk ka!

Këta tipat nëpër sportele janë mësuar që bëjnë punë rutinë, kontrollo pasaportën dhe biletën e vazhdo. Po dole pak nga skenari, hardallosen dhe nuk dinë si të bëjnë, thërrasin supervizorët që s’dinë më shumë se ata në fakt.

Do udhetojë fëmija, iu drejtova, me pasaportë shqiptare, lejohet. “Po si do kthehet?” - m’u përgjigj.

Mbase nuk do kthehet, ia ktheva unë, do qëndrojmë andej 3 muajt që na lejohet, e më pas do shkojmë diku tjetër, nuk është puna juaj.

“Jo!” - ma ktheu - “mbaj unë përgjegjësi nëse ajo nuk kthehet dot”.

Ok, thashë unë, më thirr menaxherin. Ajo i binte një telefoni, ndërkohë unë gjeta në Google informacionin për përfaqësinë kanadeze në St. Martin dhe i rashë numrit të kontaktit që figuronte në website. Ora 6 e mëngjesit.

Bie zilja dhe une prisja mesazhin kur hapej zyra, ndërkohe dikush pergjigjet: “Hello.”

Une: A jeni konsullata kanadeze në St. Martin? “Po.” - m’u përgjigj zëri nga ana tjetër e linjës. O Zoti im… aty loti vuuu. Nuk po e besoja. Po më dukej si mashtrim.

“Qetësohu zonjë!” - më thoshte personi që m’u përgjigj. I shpjegova situatën dhe ai më tha”: “Po, travel document për kthim bëhet kur të vini ketu”.

Por këta nuk na lejojne të nisemi, ia ktheva unë. Zotëria në anën tjetër më jep dhe numrin e celularit të tij dhe më shpjegon me hollësi procedurën dhe dokumentat që duhej të kishim me vete. “Do të t’ju marr përsëri” - shtoi.

Ndërkohë, mesazhi nga menaxheri në telefonin e sportelit thoshte: “Jo, nuk do niset!”. Unë ia ktheva që sapo fola me Konsullatën Kanadeze në St. Martin dhe do e bëjnë ata travel document, por ata s’besonin e s’pranonin. Nuk u bëhej vonë hiç.

Atë moment bie telefoni im. Ishte zotëria i Konsullatës Kanadeze. Nuk pranojnë, i them. “M’i kalo mua!” - m’u përgjigj.

E vura në speaker dhe ai me durim i mësonte si ta shënonin dhe duhej ta trajtonin si rast pasaporte të humbur.

“Kush jeni ju zoteri?” - pyeti sportelistja. “Jam konsulli vetë, quhem Pierre DeCelles” - u dëgjua zëri në linjë.

Qetësi. Mua më ngriu zemra. Thashë me vete, ka Zot.

Ata i morën të dhënat e tij dhe na thanë gojarisht se nuk mbajnë përgjëgjësi për çfarë ndodh. Më në fund u nisëm.

Si një baba i vërtetë, Konsulli Pierre DeCelles na mori më pas disa herë në telefon, që të sigurohej që i kishim dokumentat dhe çdo gjë shkoi mirë.

Në St. Martin na orientoi dhe na priti në studion e fotografive për dokumentat. Kur e takuam pamë që ishte një burrë i gjatë, diku 70-75 vjeç, french canadian. Na qerasi duke mos pranuar ofertën tonë për të paguar. Erdhi dy herë në hotel që ne mos të prishnim pushimet, për të firmosur ne dhe për të na dorëzuar vetë travel document. Një zotëri i vërtetë, që kishte 40 vjet në atë detyrë, se në Kanada nuk të heq njeri sa herë ndërrohet qeveria. Konsulli mbulonte 4 ishuj, ashtu me modestinë dhe deshirën për të shërbyer sa më mirë.

Teksa bisedonim i them: Ka Zot se ju u përgjigjët atë ditë në 6 të mëngjesit, ndërsa të nesërmen nuk u përgjigj deri në ora 9 paradite.

“Isha në mbledhje në Zoom, por kam një detyrë t’u shërbej njerëzve dhe e di që kur më bie telefoni, dikush ka një urgjencë dhe “emergency is emergency”, nuk pret puna. Duhet të bëni patjetër pasëaporten e re kur të ktheheni në Toronto, se aty nuk ju ndihmoj dot” - u përgjigj ai.

Ne e quajtëm “the last dinosaur”, se vërtet janë në zhdukje njerëz të tille. E uruam pa fund me premtimin që do t’i sjellim një souvenir nga Shqipëria kur të shkojmë përsëri në St. Martin, janarin e vitit që vjen.

Konsulli dërgoi mesazhe si shkoi rruga dhe kontrolli deri të nesërmen si dhe më pyeti çfarë bëra për pasaportën, të cilën në fakt e nxorrëm dje brenda ditës, pasi kishin hapur express lines për udhetimet brenda 48 orëve.

Fuqia dhe segmentet e shtetit ndihen dhe provohen kur ke nevoje. Ndoshta jo për shume gjatë pasi “dinosaurs” si Mr. Pierre DeCelles, janë në zhdukje, duke u zëvendësuar nga njerëz që nuk e bëjnë punën që kanë marrë përsipër, por e neglizhojnë atë.

Cheers to good humans like him!

©Bela Aleksi