Komunitet

Dr. Klodian Rado, magjistrati shqiptar që studioi diplomacinë e Gjykatës Supreme të Kanadasë

  • Published in Komunitet
Nga: Intervistoi Taulant Dedja

Në një rrefim të gjatë, që prek shumë tema, madje pa neglizhuar t’i përgjigjet asnjërës prej pyetjeve, vjen sot në intervistën e fundit për këtë vit në Flasshqip, Dr. Klodian Rado, themeluesi i Zyrës Ligjore Rado Canada Visa në Toronto, një ndër ekspertët më të spikatur dhe më të kompletuar shqiptarë nga pikpamja e formimit akademik në fushën e Drejtësisë, njëherazi dhe me një karrierë të pasur si prakticien, studiues dhe mësimdhënës. Klodian Rado prej pak më shumë se një dekade është vendosur familjarisht në Toronto, ku më 2018, pas një pune titanike 6 vjeçare pranë York University Osgoode Hall Law School, mbrojti dhe dizertacionin e doktoraturës në fushën e Drejtësisë me një temë mjaft interesante, nga ajo që njihet si Judicial Diplomacy, me fokus studimor Gjykatën Supreme të Kanadasë.

Në bisedë me Dr. Rado u ndalëm te e kaluara, te e sotmja, te aktiviteti i tij studimor dhe profesional, te Kanadaja, veçantitë e multikulturalizmit kanadez, te marrëdhëniet Shqipëri-Kanada, komuniteti shqiptaro-kanadez dhe roli i tij në thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, angazhimi i Klodianit së fundmi në përbërje të organizatës ACDA (Albanian Canadian Development Alternative), te e drejta e votes së diasporës si dhe te sfidat e vështirësitë me të cilat po përballet Shqipëria, sistemi i Drejtësisë atje, apo reformat e domosdoshme që duhen ndërmarrë, duke ndjekur dhe shembullin e përparuar të Kanadasë në fushën e aplikimit të zgjidhjes së çështjeve gjyqësore me mjete alternative, që do ta lehtësonin sistemin nga ngarkesa e tepërt e dosjeve që presin të shqyrtohen…

Po kush është Klodian Rado? Cili ishte rrugëtimi i tij jo i lehtë që nga fëmijëria e deri në vitet kur arriti të bëhet një profesionist i kompletuar si rrallëkush në fushën e ligjit?

Klodian Rado ka lindur në Gjirokastër, në një familje të persekutuar nga regjimi komunist. Siç rrëfen ai vetë, për shkak të pushkatimit të xhaxhait të tij të madh nga diktatura, të gjithë fisit iu ndalua edukimi në shkollë të lartë. Për atë vetë, fati e solli të vinte në jetë më vonë se të afërm të tjerë dhe kur i erdhi mosha të ndiqte studimet universitare regjimi tashmë ishte përmbysur. Fillimisht, në janar 1991, familja e tij emigroi në Greqi dhe atij i kujtohet që rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha e patën parë prej andej nga ekrani i televizorit. Ishte vetëm 12 vjeç në atë kohë dhe prej asaj periudhe i kanë mbetur të pashlyera në kujtesë radhët në dyqanet e bukës dhe qumështit, e sigurisht varfëria materiale e substanciale që mbretëronte kudo në vend. Pas qëndrimit prej disa vitesh në Greqi së bashku me familjen, vite që i konsideron vërtetë të bukura, duke pasur parasysh “ferrin” e diktaturës komuniste prej nga vinin, ai kthehen sërish në atdhe dhe fillimisht kryen shkollën e mesme në gjimnazin e qytetit të Libohovës.

Pas shkollës së mesme Klodiani e kish bërë tashmë zgjedhjen në mëndjen e tij, synimi ishte të studionte në fushën e Drejtësisë, që siç shprehet vetë, motivohej nga dy arsye kryesore, dëshira që të kontribuonte për vënien në vend të padrejtësive që i ishin bërë përgjatë regjimit komunisto-ateist gjithë shtresës së persekutuar nga e cila vinte dhe së dyti, dëshironte të bëhej gjykatës për të kontribuar sa të mundej edhe në sistemin e ri të drejtësisë, që gradualisht kish nisur të krijohej në Shqipëri. Këmbëngulja dhe pasioni bënë që të renditet në vendet e para pas konkurimit në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (dikur i aksesueshëm vetëm nga të privilegjuarit dhe të besuarit e diktaturës) kur në vitin që ai pranohet, nga 2500 konkurrentë, fitojnë vetëm 130 vetë. E kujton si moment unikal dhe të papërsëritshëm, që ndoshta asnjë prej të afërmve të tij nuk e kish imagjinuar as në ëndërr.

Pas fillimit të studimeve në Drejtësi, për shkak të rezultateve të larta si dhe angazhimit aktiv me organizimet studentore, Klodiani zgjidhet edhe President i Fakultetit të Drejtësisë. Mandej, në fillimet e karrierës angazhohet rreth 2 vjet si analist juridik tek gazeta “Shekulli”, ku mbulonte institucionet kryesore e sidomos Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Pas diplomimit Jurist dhe teksa po kryente edhe Masterin në Drejtësi, ish-dekani Prof. Kudret Çela si dhe konstutucionalistja Prof. Aurela Anastasi, i ofruan pozicionin si asistent pedagog për lëndën E Drejta Kushtetuese. Përveçse në Fakultetin Juridik të UT ai kontribuon rreth 7 vjet si pedagog edhe tek Fakulteti i Gazetarisë si dhe në disa universitete private. Më pas, në vitin 2004 konkurron dhe pranohet në Shkollën e Magjistraturës për profilin “Gjyqtar”, shkollë në të cilën nga rreth 300-400 konkurrentë me notën mesatare 8 e lart, fitonin vetëm 10 vetë. Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, Klodian Rado kryen detyrën e gjyqtarit në Pogradec dhe Durrës për rreth 5 vjet dhe angazhohet edhe si trajnues i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj. Në vitin 2010, Ambasada Britanike i akordon çmimin Chevening, çmim që i mundësoi kryerjen e një Masteri për të Drejtën e BE në Kings College London, UK. Pas kthimit nga Londra, ambasadorja e Britanisë së Madhe i dërgoi një letër individualisht ish-Presidentit të Shqipërisë si kryetar i KLD-së, dhe gjithë anëtareve të KLD-së të kohës, për ta provomuar Klodianin në institucionet kyçe të Drejtësisë shqiptare, por… dihet si funksiononte në Shqipëri karriera…dhe ai përfundimisht vendos të zgjedhë alternativën e Kanadasë, si shumë profesionistë të tjerë…

Flasshqip: Klodian si dhe pse vendosët të imigroni në Kanada?

Klodian Rado: Aplikimin për të imigruar në Kanada së bashku me bashkëshorten e nisëm që në vitin 2008, ndërsa në vitin 2010, kur na erdhi përgjigja pozitive, e kuptuam se largimi nuk ishte një vendim i thjeshtë për t’u marrë. I zhgënjyer nga situata e institucioneve të Drejtësise shqiptare dhe i motivuar nga përfundimi me sukses i studimeve në Londër, vendosa të aplikoj për studime doktorature në Kanada dhe po atë vit u përzgjodha një ndër pesë studentët në atë nivel nga Osgoode Hall Law School e York University të Torontos, që siç dihet është një ndër institucionet më prestigjioze në Kanada dhe në botë në fushën e Drejtësisë. Në të njëjtën kohë m’u ofrua edhe një kontratë 6-vjeçare si pedagog. Me të tillë ofertë, nuk mund t’i thoja «jo» Kanadasë dhe sot pas më shumë se një dekade, jam i lumtur që kam bërë të tillë zgjedhje…

Flasshqip : Cila ishte tema që zgjodhët për mbrojtjen e doktoraturës dhe sfidat që të shoqëruan gjatë kësaj rruge jo të lehtë?

Klodian Rado: Si ish-gjyqtar, zgjodha të kryeja studimet e doktoraturës pikërisht nga fusha e gjykatave dhe gjyqtarëve. Tema e dizertacionit me mbi 500 faqe, i mbrojtur në qershor 2018 dhe që titullohet «The Transnational Judicial Dialogue of the Supreme Court of Canada and its Impact», kishte si objekt dialogun global mes gjykatave dhe gjyqtarëve në mbarë botën dhe më konkretisht vlerësimin e impaktit që ka ky dialog transnacional mbi vendimarrjen e gjykatave Kushtetuese dhe të Larta në vende të ndryshme. Objektivi im shkencor ishte të kuptoja më shumë këtë fenomen që njihet si «judicial diplomacy» duke kontribuar akademikisht për të zbuluar çfarë ndodh «pas perdes» në këto takime dhe cilat janë pasojat. Gjykata që zgjodha në fokus ishte pikërisht Gjykata e Supreme e Kanadase (Supreme Court of Canada), që për hir të së vërtetës konsiderohet një nga gjykatat me reputacionin më të lartë në botë. Sigurisht studimi nuk ishte aspak sfidë e lehtë, aq më tepër për një imigrant të sapoardhur. Për ta realizuar atë, përveçse më duhej akses në arkivat e Gjykatës Supreme të Kanadasë (për të identifikuar të gjitha takimet ndërkombëtare të anëtarëve të saj si dhe çfarë diskutohej në këto takime) në projekt kisha synim të intervistoja të paktën edhe 3 gjyqtarë të kësaj gjykate.

Mbaj mend, që kur ia tregova projektin tim profesorëve në Osgoode Hall Law School, një nga supervizorët e temës time, që një nga figurat më të njohura të Kanadasë në fushën e ligjit, Profesor Emeritus Harry Arthurs (ish-dekan dhe ish-president i York University) me tha: «Good luck with that» (pra paç fat me këtë temë) dhe buzëqeshi me një lloj mosbesimi. Ai druante se do të ishte e pamundur të merrej një informacion i tillë që lidhet me diplomacinë e Gjykatës më të lartë Kanadeze, e aq më e vështirë do të ishte të intervistoheshin personalisht anëtarët e saj. Por, për fatin tim të mirë dhe falë bon sensit të vetë Kryetares së kësaj gjykate, që dha lejen personalisht, unë arrita të kem akses në arkivat e Gjykatës Supreme ku mora informacion në lidhje me aktivitetet diplomatike dhe marrëdhëniet e kësaj gjykate me gjykatat e tjera më të rëndësishme të botës të tilla si: Gjykata Supreme e SHBA, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, e Francës, Australisë, Afrikës së Jugut, etj. Gjithashtu, nga 3 gjyqtarë që pata planifikuar fillimisht të intervistoja, arrita të intervistoj 10 prej tyre, 5 ish-gjyqtarë që kishin dalë në pension si dhe 5 gjyqtarë në funksion, duke përfshirë edhe ish-Kryetaren legjendare të Gjykatës së Lartë, znj. Beverley McLachlin, si dhe kryetarin aktual të po kësaj gjykate z. Richard Wagner. Takimet dhe intervistat me të 10 gjyqtarët e kësaj gjykate janë vërtet nga momentet më mbresëlënëse të jetës dhe karrierës time profesionale. U jam mirënjohës atyre dhe do t’i kujtoj gjithmonë, sidomos për urtësinë, mirësjelljen dhe thjeshtësinë e tyre. Në përfundim të studimeve, tema e dizertacionit të doktoraturës u vlerësua maksimalisht, e po ashtu, kam marrë disa oferta nga shtëpitë botuese prestigjioze për ta botuar si libër, përfshi edhe Universitetin e Torontos.

Flasshqip: Me sa jemi në dijeni, përveç mbrojtes së dizertacionit të doktoraturës, ju keni kryer dhe disa studime të tjera në fusha të specializuara gjatë këtyre viteve prej kur erdhët në Kanada. Si e vlerësoni këtë eksperincë krahasuar me studimet e mëparshme në Shqipëri apo Britaninë e Madhe?

Klodian Rado: Po e vërtetë. Kam patur fatin që përveç doktoraturës që zgjati plot 6 vjet, të kryej gjithashtu programin 1-vjeçar Diplomë Pasuniversitare në Kolegjin Ashton të British Columbia mbi çështjet e imigrimit në Kanada si dhe dy Mastera, njërin mbi organizimin dhe funksionin e sistemit gjyqësor kanadez (York University) dhe tjetri mbi Common Law kanadez pranw Osgoode Hall Law School. Në raport me sistemin e edukimit në Shqipëri (ku kam kryer Bachelorin 4-vjeçar në Drejtësi, Masterin 2-vjeçar si dhe programin 3-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës) apo edhe me sistemin e edukimit në Britaninë e Madhe ku kreva masterin 1-vjeçar, në gjykimin tim, sistemi kanadez është vërtetë pararojë. E them me plot gojën që Kanadaja ka një nga sistemet e edukimit më të mirë në botë, sidomos në lidhje me substancën dhe kujdesin ndaj studentit, duke e vendosur atë gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Flasshqip: Tashmë keni themeluar një zyrë praktike ligjore me fokus imigracionin, Rado Canada Visa. Më konkretisht cilat janë shërbimet që ofron kjo zyrë?

Klodian Rado: Në parantezë do thoja se gjatë 20 viteve të aktivitetit tim në fushën e ligjit, si pedagog, por edhe si prakticien, çështjet e të drejtave të njeriut, ato të refugjatëve, si dhe në veçanti të drejtat e emigrantëve, kanë qënë gjithmonë në vëmendjen time. Ndaj dhe vendosa që aktivitetin e zyrës ta fokusoja pikërisht në fushën e imigrimit. Pas kaq viteve si pedagog, në të dy anët e oqeanit, ishte i logjikshëm themelimi i një sistem shërbimi (ashtu siç jua përshkruaj studentëve) që ka në qendër individin dhe në veçanti ka për synim të gërshetojë etiken profesionale me aftësitë substanciale. Aktualisht zyra ime Rado Canada Visa është me qëndër në Toronto dhe ka degë në disa vende të botës, përfshirë dhe në Tiranë. Zyra ofron shërbime në të gjitha fushat e imigrimit. Shumica e klientëve tanë janë studentë - të cilëve iu ofrojmë që nga këshillimi akademik, deri tek miratimi i lejes studimore dhe vizës; punëtorë - të cilëve iu sigurojmë lejet dhe vizat e punës; kompani - që i ndihmojmë në procesin e gjetjes se punëtorëve nga jashte; natyrisht merremi edhe me sponsorizimet familjare, vizat turistike, programet për biznesmenët si dhe programet kanadeze federale apo programet e provincave për imigracionin.

Flasshqip: Cilët janë aktualisht programet kryesore që ofron shteti kanadez për të imigruar si dhe bazuar në aktivitetin tuaj dhe të dhënat që dispononi, a është rritur kohët e fundit kërkesa e shqiptarëve për të imigruar në Kanada?

Klodian Rado: Aktualisht, në Kanada ekzistojnë mbi 100 programe federale dhe provinciale, disa prej të cilëve jane programe permanente e disa të tjerë të përkohshëm. Më popullorët, janë programet permanente federale dhe provinciale, kontratat e punës, lejet studimore, sponsorizimet familjare si dhe vizat e vizitorëve. Nga Shqipëria, vërej që kohët e fundit ka një trend rritës emigrimi nga të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë, sidomos nga shtresa intelektuale. Por pak a shumë një trend rritës emigrimi nga shtresa e mesme drejt Kanadasë, e shoh edhe nga klientë jashtë Shqipërisë dhe kjo ndoshta lidhet me situatën e pergjithshme gobale. Sigurisht që trishtohem kur shoh që pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare dëshiron të ikë nga Shqipëria. Prandaj, një nga gjërat e para që iu them klientëve shqiptarë në seancat e konsultimit me ta, është që emigrimi është sfidë më vete dhe ka vështirësitë e veta. Por çfarë mund t’iu thuash, kur ne vetë kemi emigruar…

Flasshqip: Ka disa informacione sipas të cilave marrja e vizave, veçanërisht për studentët shqiptarë është vështirësuar dy vitet e fundit. Sa është e vërtetë kjo dhe përveç pandemisë a ka patur ndonjë shkak tjetër?

Klodian Rado: Për fat të keq, kjo është e vërtetë, jo vetëm për studentët shqiptarë, por edhe për studentët nga gjithë bota. Sidomos gjatë 1-2 viteve të pandemisë, statistikat zyrtare të Kanadasë arritën në mbi 90% refuzime, por muajt e fundit, situata duket që po kthehet drejt normalizimit. Megjithatë, përveç kësaj situate globale, një arsye tjetër se përse studentët apo aplikantët e tjerë shqiptarë refuzohen, është mosbërja e aplikimeve në standardet e duhura. Fatkeqësisht, në Shqipëri sot ka shumë “kioska” të cilat duke mos pasur as njohuritë e duhura, e aq më pak etikën profesionale, marrin në qafë qindra e mijëra studentë dhe aplikantë shqiptarë. Nuk e imagjinoni dot, se sa njerëz na kontaktojnë çdo ditë me aplikime të refuzuara dhe kur kuptojnë se çfarë është bërë me aplikimin e tyre, jo pak herë i shohim të lotojnë për zgjedhjen e bërë. Prandaj këshilla ime për të gjithë këta njerëz do të ishte: përpara se t’i besoni çështjen tuaj apo të fëmijëve tuaj dikujt, bëni kërkime serioze, shikoni nëse personi apo zyra që i besoni çështjen është apo jo e liçensuar nga shteti kanadez. Madje edhe nëse janë të liçensuar, garantohuni për etikën dhe aftësitë e tyre profesionale, duke parë edhe çfarë thonë për ta ish-klientët e tyre. E në rast se jeni dëmtuar, ju këshilloj që t’i denonconi, se vetëm kështu mund t’i parandaloni të dëmtojne të tjerë pas jush.

Flasshqip: Si e vlerëson multikulturalizmin e shoqërisë kanadeze dhe sa shanse sipas jush ka një imigrant i kualifikuar të integrohet shpejt këtu?

Klodian Rado: Multikuluralizmi është gur themeli i shoqërisë kanadeze dhe forca e Kanadasë është pikërisht tek njohja e këtij multikuluralizmi si dhe tek bashkëjetesa në diversitet. Kjo e bën më të lehtë përshtatjen e imigrantëve të rinj, krahasuar me vendet e tjera më pak diverse. Megjithatë, integrimi është një proces multidimensional, i cili kërkon kohën e vet, por edhe veprime konkrete nga emigranti i ri për të harmonizuar nivelin e vet të ekspertizës me standardin e kërkuar në Kanada. Nga ana tjetër, kjo kërkon që edhe Kanadaja, apo urdhrat e ndryshëm profesionalë në Kanada, të jenë më të hapur në njohjen e viteve të eksperiencës në vende të tjera, si dhe njohjen e praktikave të mira të këtyre vendeve, prej nga edhe profesionistët kanadeze pa dyshimin mund të mësojnë shumë.

Flasshqip: Për dikë që ka dëshirë të imigrojë, si do ta përshkruanit Kanadanë?

Klodian Rado: Unë kam jetuar që fëmijë si imigrant, kam pasur të bëjë gjithmonë me imigrantë, si dhe për shkak të punës, më duhet të flas çdo ditë me kandidatë për imigrantë pothuaj nga çdo kontinent. Nga të gjitha këto, unë kam dalë në përfundimin që Kanadaja, është padyshim vendi më i mirë në botë për të imigruar. Kjo për shumë arsye, që nisin që nga mendja e hapur e shoqërisë kanadeze për të pranuar të ndryshmin, e deri tek burimet e ketij vendi, shumëllojshmëria e opsioneve, apo respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.

Flasshqip: Në 35 vjet marrëdhënie diplomatike, Kanadaja dhe Shqipëria kanë nënshkruar vetëm një marrëveshje, atë të Sigurimeve Sociale. Cilat janë, sipas jush, mundësitë që marrëdhëniet dypalëshe të zgjerohen më shumë dhe a mund të ndikojë lobimi i komunitetit tonë në këtë drejtim? 

Klodian Rado: Me keqardhje e theme se shteti shqiptar nuk është në nivelin që duhet të ishte në raportet diplomatike bilaterale me Kanadanë. Kanadaja është një nga vendet më të rëndësishëm në botë dhe ka një numër jo të vogël shqiptarësh, të cilët për hir të së vërtetës janë diaspora shqiptare më elitare dhe me nivelin më të lartë të edukimit, krahasuar me diasporën shqiptare në çdo vend tjetër të botës. Si e tillë, është logjikshme të mendohet që vëmendja diplomatike e Shqipërisë, duhej të ishte shumë më e madhe në lidhje me Kanadane dhe raporti midis dy shteteve duhet të ishte në tjetër nivel. Fatkeqësisht, përveç Marrëveshjes së Sigurimeve Sociale (apo siç i themi të Pensioneve) e cila hyri në fuqi para disa muajsh, fakt që gjithsesi duhet përshëndetur, marrëdhëniet, sigurisht miqësore, kanë mbetur në vendnumëro. Shqipëria dhe Kanadaja sot mund të kishin marrëveshje dypalëshe, për mbrojtjen e investimeve, për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, apo në fushën e njohjes së patentave, në njohjen e diplomave apo liçencave profesionale, etj. Këto marrëveshje mund të ishin edhe në fushën e imigrimit, ku mund të vendoseshin procedura lehtësuese për studentët, për punëtorët, për punonjësit sezonalë, për turistët, apo programe “work and travel” për të rinjtë. Për shembull, a e dini se Kanadaja ka marrëveshje dypalëshe për lëvizjen e të rinjve pa qënë nevoja për të pasur paraprakisht kontrata pune, me afro 40 shtete, duke përfshirë edhe shtete të tillë si Ukraina, Kosta Rika, apo Kili? Shqipëria mund dhe duhej të ishte në listën e këtyre vendeve, apo në listën e vendeve që kanë marrëveshje lehtësuese për lëvizjen e lirë të njerëzve apo mallrave me Kanadanë. Por për këtë mendoj që nuk është vetëm faji apo pasiviteti i diplomacisë së shtetit shqiptar. Diaspora shqiptare në Kanada duhet të bëjë shumë më shumë për të qënë katalizator dhe urë lidhëse për inicimin, promovimin dhe lidhjen e të tilla marrëveshjeve, që në fakt janë në të mirën e secilit dhe të të gjithëve.

Flasshqip: A e ndiqni politikën kanadeze? Nëse po, çfarë ju tërheq më shumë?

Klodian Rado: Patjetër që e ndjek politikën kanadeze, madje një nga kandidatet për kryetar të Partisë Konservatore Kanadeze, Leslyn Lewis, që u rendit e treta në garën për kryetar të partisë, e kam pasur shoqe klase në programin e PhD në Osgoode Hall Law School dhe kam kontakte të shpeshta me të e gjithmonë diskutojmë çështje kryesore të politikës kanadeze. Personalisht, nuk jam anëtar i ndonjë grupimi politik këtu, por padyshim jam shumë i vëmendshëm në lidhje me tema kryesore të politikës kanadeze, e sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjet e lirive themelore, çështjeve të imigrimit, apo qëndrimeve politike të Kanadasë në raport me zhvillimet ndërkombëtare.

Flasshqip: Si e vlerësoni evoluimin aktual të komunitetit shqiptar në Kanada?

Klodian Rado: Komuniteti shqiptar në Kanada, të cilin siç e përmenda, e konsideroj në shumicën e tij si elitar krahasuar me diasporën në vendet e tjera, përsëri mendoj ka shumë për të bërë. Për fat të keq, pavarësisht potencialit të jashtëzakonshëm që ka, vërej që është një komunitet pasiv, që ka mungesë njohje të kapaciteteve dhe diversitetit që ka brenda tij, e deri tek mungesa e harmonizimit, organizimit dhe bashkëpunimit. Përveçse përbrenda saj, diaspora shqiptare mund dhe duhet të ishte më aktive në lidhje me qeverisjen lokale dhe qëndrore si në nivel provincial ashtu edhe federal. Kjo do të mundësonte që shumë nga marrëveshjet potenciale që listova më sipër, të ktheheshin në realitet. Megjithatë, duket që ka sinjale pozitive në këtë drejtim, pasi vërehet që ka nisma që duken premtuese, si për shembull Albanian Canadian Development Alternative (ACDA), që është një organizëm i ri i krijuar në maj të 2021, që ka për qëllim të mbushë pikërisht këtë boshllëk.

Flasshqip: Po ju personalisht përse vendost të angazhoheni me ACDA?

Klodian Rado: Unë besoj fort se ndryshimi nuk vjen vetëm duke folur, por duke vepruar. Është e thjeshtë të flasësh, e të mos bësh asgjë; por mendoni, nëse të gjithë vetëm do të flasin pa kryer vepra, nga do të vijë ndryshimi? Edhe vetë librat hyjnorë shpallin formulën universale që as Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, nëse pjestarët e tij nuk ndryshojnë veten e tyre, e ky ndryshim duhet të vijë jo vetëm me besim, por edhe me vepra. Prandaj, së bashku me një grup intelektualësh si Rudin Dakli, Genc Tirana dhe Laureta Vavla vendosëm te themelonim ACDA për të vendosur qoftë edhe një gur në drejtim të ndryshimit. ACDA ka në fokus krijimin e një rrjeti bashkëpunimi brenda komunitetit shqiptar në Kanada, jo vetëm për të qënë në funksion të vetë komunitetit, por u ndërtua edhe si një urë bashkepunimi midis Kanadasë dhe Shqipërisë. Fushat kryesore të veprimit të ACDA janë: edukimi, zhvillimi komunitar bazuar mbi vlerat, partnershipet për të ndërtuar besim dhe lidhje të qëndrueshme ndërmjet komuniteteve, agjencive ligjore, bizneseve dhe organizatave të tjera, si dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore shqiptare.

Flasshqip : Për faktin se përmendet ndër të tjera edhe trashëgiminë kulturore, cila sipas jush mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?

Klodian Rado: Identiteti dhe kultura shqiptare janë vlera që duhen ruajtur, por kjo kthehet në sfidë jo aq të thjeshtë, kur flasim për gjeneratat e dyta apo të treta të shqiptarëve këtu në Kanada. Neve gjeneratës së parë, na bie barra më e rëndë për ta përcjellë këtë mesazh me fjalë e me vepra. Po kjo duhe të kryhet në disa dimensione që përfshijnë rritje të koshiencës në nivelin individual, brenda familjeve tona, e sigurisht edhe në komunitet. Edhe në këtë kuadër, ka shumë për të bërë, përfshirë edhe mua personalisht.

Flasshqip: Nisur nga karriera juaj dhe profesioni, në një bisedë të tillë vështirë se mund të shmanget situata dhe gjendja e Shqipërisë aktuale, politika konfliktuale, skandalet korruptive apo e shumëpërfoluara Reforma në Drejtësi… Sa e ndiqni nga larg realitetin në atdhe?

Klodian Rado: Situata politike dhe sociale në Shqipëri, si dhe gjendja në institucionet shqiptare, e sidomos ato të Drejtësisë, janë gjithmonë në vëmendjen time. Ndihem shumë i shqetësuar nga zhvillimet politike në vend, ku gjithmonë e më shumë shihet nevoja ulëritëse për një klasë të re politike me një mentalitet tërësisht të ri, që ka në fokus qytetarin shqiptar dhe jo interesat vetjake. Në lidhje me skandalet korruptive, shpresoj që institucionet e reja të drejtësisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme të jenë shumë më efektive në sjelljen para drejtësisë të cilitdo që duhet, pavarësisht se kush ka qënë, apo kush është në hierarkinë e institucioneve shqiptare. Kjo me shpresën që t’i kthehet sadopak shpresa shqiptarëve, që mund të ndërtohet një shoqëri e bazuar mbi vlerat universale dhe një shtet i së drejtës. Në lidhje me Reformën në Drejtësi, duke qënë se isha një nga ekspertët e grupit të punës që e projektua atën si dhe ndryshimet Kushtetuese të 2016-ës, mendoj se ka qënë gjëja e duhur për Shqipërinë. Megjithatë, zbatimi i Reformës mund të ishte më i shpejtë, më efektiv dhe me pasoja më të prekshme për shoqërinë shqiptare. Në vitin 2018, unë u ktheva përsëri në Shqipëri i thirrur nga BE si një nga ekspertët konsitucionalistë për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe së bashku me ekspertë të tjerë të BE u munduam të bëjmë gjithçka që t’i modelojmë ato sipas standardeve më të mira perëndimore. Tashmë e kam bindje, që në letër institucionet e reja të Drejtësisë kanë një strukturë të kënaqshme. Megjithatë, praktikisht, sot pas 6 vjetësh që Reforma ka hyrë në fuqi, shumë më shumë mund dhe duhej të ishte bërë në terren.

Flasshqip : Bazuar në ekspertizën dhe eksperiencën tuaj si konstitucionalist dhe ish-gjyqatar, cilat janë rrugët dhe reformat më efikase që mund të përmirësojnë funksionimin e shtetit shqiptar?

Klodian Rado: Unë kam bindjen që në Shqipëri duhet të kryhen të paktën katër lloj operacionesh të thella që të mundësojnë mirëfunksionimin e shoqërisë shqiptare dhe të shtetit. Së pari, ndërhyrja duhet të kryhet në plan individual, pra në mendësinë që formësohet që nga kopshti e deri ne universitet, ku të promovohen vlerat dhe të denoncohen antivlerat. Pa formimin e një ndërgjegje të tillë tek të rinjtë shqiptarë, si nga ndikimi i familjes ashtu edhe nga edukimi në shkolla, është e vështirë që të rriten breza që flasin dhe veprojnë kundër padrejtësive dhe që sjellin ndryshimin e shumëpritur. Pra ndryshimi i parë duhet të jetë në plan individual. Së dyti, ndërhyrja duhet të kryhet në klasën politike shqiptare. E thashë dhe më lart, është ulëritëse nevoja që në Shqipëri të dalin në pah organizime të reja politike që promovojne vlerat dhe kanë në qendër interesin e çdo individi dhe të shoqërisë si e tërë dhe jo interesat vetjakë. Po ashtu, klasa politike ekzistuese shqiptare dhe ata që do i mbijetojnë një reformimi të tillë, duhet të bëjnë një «mea culpa» të sinqertë, sidomos individët e lidhur me ish-regjimin komunist, apo të lidhur me abuzuesit e deritanishëm të politikës shqiptare. Së treti, ndërhyrje të mëtejshme duhet të kryhen në sistemin e Drejtësisë. Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem më efektiv i cili i motivon dhe vlerëson gjyqtarët dhe prokurët. Sado e çuditshme mund t’ju duket, por janë dhjetëra gjyqtarët dhe prokurorë shqiptarë, që më kontaktojnë për të emigruar në Kanada dhe të cilët mundohem t’i dekurajoj ta braktisin sistemin. Një situatë e tillë edhe pas Reformës, është e trishtë, sidomos po të kemi parasysh që ata të cilët më kontaktojnë janë disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e rinj dhe më të mirë të sistemit. Prandaj, sistemi i ngritur duhet të jetë më motivues, ku minimalisht të garantohet një mjedis pune dhe një jetese dinjitoze për ata që kryejnë shërbimin e shenjtë të dhënies së Drejtësisë atje. Së fundi, por jo për nga rëndësia, Shqipëria duhet të shikojë mundësinë e krijimit dhe përdorimit të mjeteve alternative të zgjidhjes së konflikteve, edhe jashtë gjykatave.

Aktualisht, statistikat zyrtare tregojnë se sistemi është në kufijtë e një kolapsi total, për shkak të ngarkesës së madhe prej mijëra çështjesh të trashëguara që ka mbi tavolinën e tij çdo gjyqtar apo prokuror. Zgjidhja për këtë nuk është vetëm rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë rrotën nga fillimi për të zgjidhur këtë situatë. Bota e zhvilluar e ka zgjidhur këtë problem ndryshe, përfshirë edhe Kanadaja. Siç e kam thënë shpesh në auditor me studentët e mi, apo në media, madje ia kam thënë edhe personalisht ish-ministres së Drejtësisë (që ka qënë shoqja ime e klasës në Fakultetin e Drejtësisë në UT), zgjidhja e duhur është futja e detyruar e mjeteve alternative të zgjidhjes së konflikteve (Alternative Dispute Resolutions-ADR) në të gjitha çështjet civile, në të gjitha çështjet familjare, në të gjitha çështjet e marrëdhënieve të punës, e pse jo edhe në shumë nga çështjet administrative apo penale. Ky revolucion është i domosdoshëm në Shqipëri dhe nuk është shumë i komplikuar, nëse ka vullnet politik dhe thirren ekspertët e duhur për ta modeluar. Ligjërisht mund të kryhet vetëm me amendimin e 3-4 neneve në Kodet e Procedurave Civile, Penale, Kodin e Familjes dhe Kodin e Punës. Në këto nene mjafton të vendoset parimi që, askush nuk mund t’i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e nje konflikti gjyqësor, pa ezauruar më parë zgjidhjen e konfliktit me anë të negocimit, ndërmjetësimit, apo arbitrazhit. Hapi i radhës është krijimi i infrastrukturës, pra trajnimi adekuat i këtyre profesionistëve, por meqënëse ky është një profesion i lirë, tregu pa dyshim që do të selektojë më të mirët.

Ngritja e një sistemi të tillë, që nuk është aspak i komplikuar, jo vetëm që do të çlirojë në mbi 90% ngarkesën në gjykata (ashtu siç ndodhi edhe në Kanada ku pas implementimit të ADR, mbi 97% të çështjeve zgjidhen përmes tij), por do të ulë konfliktet në shoqëri, do të rrisë koherencën sociale, do të ketë impakt shumë pozitiv financiar, e pa dyshim që do të ulë korrupsionin. Mendoni, sa e logjikshme është. Një çështje mund të zgjidhet shumë më drejt dhe më shpejt me aplikimin e ADR. Në këtë proces, palët në konflikt kanë shansin të negociojnë zgjidhjen që u duket më e përshtatshme duke gjetur «win-win situations» për ta, mund të zgjedhin vetë personin që ia besojne zgjidhjen e çështjes së tyre, e në disa raste mund të zgjedhin edhe ligjin që duan të aplikojnë. Për hir të atij populli dhe vendi që e duam aq shumë, shpresoj dhe i lutem Zotit që i tillë revolucion në mendësinë dhe praktikën e Drejtësisë shqiptare të ndodhë një orë e më parë në Shqipëri.

Flasshqip : Dhe së fundi një temë gjithashtu shume e diskutuar, sidomos dy vitet e fundit, pjesëmarrja e drejpërdrejtë e diasporës në votime dhe një vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri…

Klodian Rado: Kjo është një tjetër çështje madhore në Shqipëri, e cila pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, kam shpresë se do të shkojë në drejtimin e duhur. Vetëm para disa ditësh, Gjykata Kushtetuese vendosi «Konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor» si dhe «Detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi». Ky është pa dyshim një lajm i shkëlqyer për diasporën shqiptare kudo që gjendet, por edhe për votuesit shqiptarë që gjenden në Shqipëri, të cilëve tashmë u shtohen edhe po aq ose më shumë votues të tjerë, që janë më të lirë dhe që e shqyrtojnë me më shume gjakftohtësi politikën e Tiranës. Ky vendim është unik edhe për standartin e ri të sjellë nga Gjykata Kushtetuese shqiptare - ashtu si simotrat e saj nëpër botë - ku antikushtetueshmëria mund të ndodhë edhe me ometim/boshllëk ligjor. Së fundi, ky lajm me shumë gjasa do të sjellë krijimin e subjekteve të reja në politikën shqiptare, që do t’i hedhin syte tek diaspora shqiptare, qoftë si votues, qoftë dhe si përfaqesues të tyre. Duke e mbyllur, ju falenderoj shumë për intervistën dhe për kontributin tuaj jo thjesht informues por transformues me anë të medias tuaj. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen! Ashtu u bëftë!

Flasshqip: Edhe ne ju falenderojmë Klodian për intervistën shumë interesante dhe shumë profesionale, duke ju uruar njëkohësisht suksese të mëtejshme dhe një vit të mbarë 2023 në çdo drejtim!

©Flasshqip.ca

Për më shumë informacion mbi aktivitetion aktual të Dr. Klodian Rado shihni linkun më poshtë :

https://radocanadavisa.com/

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me Flasshqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar lart butonin “donate”. Faleminderit!