Komunitet

Virtuozi Jani Papadhimitri - Artisti me karrierë në tre shtete dhe dy kontinente

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Siç e kam nënvizuar edhe në shkrime të tjerë të rubrikës profil&intervistë, në Toronto, qytetin më të populluar të Kanadasë ku jeton shumica dërrmuese e diasporës shqiptaro-kanadeze, ndodhet edhe shumica e artistëve shqiptarë që kanë imigruar këtu në 25-30 vitet e fundit. Ndër ta edhe një emër shumë i njohur, violinisti i shquar dhe virtuoz Jani Papadhimitri, njëherazi dhe kompozitor e artist shumëplanësh. Maestro Jani është një ndër figurat më të spikatura dhe më autoritare të shkollës shqiptare të violinës dhe muzikës nga e cila kanë dalë shumë e shumë artistë instrumentistë, që sot e ushtrojnë me shumë sukses e dinjitet profesionin në të katër anët e botës. Ndërsa për mua personalisht, këto radhë që shkruaj tani, kanë një domethenie unikale dhe të papërsëritshme. I dedikohen njeriut që më futi në rrugën e artit, që me durim e me një pedagogji të rrallë për nga origjinaliteti, më mësoi instrumentin e violinës, që ishte profesioni im i parë. E kam bindje dhe e them me plot gojën se, nëse ka një njeri që ka ndikuar shumë në formimin tim në fëmijëri e rini përveç prindërve të mi, ai është Jani Papadhimitri. Si tani i kujtoj seancat e mësimeve mes të cilave ai gjente kohën të ulej e improvizonte në piano me një shkathtësi prej virtuozi, apo të vizatonte aq bukur me laps portrete (vizatimi është një ndër talentet e tij të trashëguar prej prindërve), si e si ta bënte ndërveprimin pedagog-nxënës sa më dinamik e tërheqës. Sigurisht, me kalimin e viteve, kohë kur edhe u diplomova pas 4 vitesh student në ILA në klasën e vëllait të tij, Vangjush Papadhimitri (violinist dhe pedagog i shkëlqyer), raportet me Janin u shndërruan në një miqësi unikale që ka mbetur e tillë edhe sot. Nuk mund të mos përmend dhe faktin që, të luaja krijimet e tij për violinë ka qenë për mua një përjetim i papërsëritshëm.

 

Familja Papadhimitri, një familje e shquar artistësh

Violinisti dhe kompozitori Jani Papadhimitri ka lindur në një familje artistësh. Nëna e tij ishte piktorja e parë shqiptare, e mirënjohura Sofia Zengo Papadhimitri, ndërsa babai, skulptori-ksilograf Akilé Papadhimitri (vëllai i tij Vangjush Papadhimitri gjithashtu është një ndër violinistët më të shquar të shkollës shqiptare të violinës). Prindërit e tij të dy u diplomuan në Akademine e Arteve të Bukura në Athinë dhe ushtruan profesionin e pedagogut. Në klasat e tyre u edukuan shumë nxënës, një pjesë e të cilëve u bënë artistë të njohur. Njëkohësisht ata ishin edhe krijues dhe me artin e tyre realizuan vepra mjeshtërore. Natyrshëm ishin nëna dhe babai, ata që e nxitën Janin drejt rrugës së artit. Ai qysh fëmijë i dëshmoi edhe prirjet e tij për pikturë. Nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ai nisi të studionte violinën me pedagogun e njohur Genc Bogdo ndërsa pianon me pedagogen Afërdita Morina. Në vitin e fundit të 7-vjeçares, ai madje përveç muzikës ndoqi edhe klasën e pikturës pranë mjeshtrit Zef Shoshi, por edhe pse në të dy lëndet kryesore (violinë dhe pikturë) u vlerësua maksimalisht, ai në mëndjen e vet e kishte bërë tashmë zgjedhjen për të ardhmen e vet: Muzikën. Pas përfundimit të Liceut Artistik, Jani nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në klasën e violinës të Sofokli Paparistos, me të cilin mbrojti dhe diplomën, ndërsa në piano me pedagogun Spiro Theodhosi. Të gjithë mësimdhënësit, pa përjashtim, ai i kujton me shumë respekt, veçanërisht për dedikimin që ata kishin ndaj nxënësve dhe studentëve të tyre.

Po si e vlerëson në veçanti Maestro Papadhimitri shkollën shqiptare të violinës dhe muzikës? Siç thekson ai, shkolla jonë e violinës u krijua nga pedagogë të diplomuar në konservatorët e Europës dhe si model u zbatua shkolla ruse. Si në Liceun Artistik, në Konservator dhe më vonë në Institutin e Lartë të Arteve, ndiqej një program shumë progresiv, si në anën teknike, ashtu edhe artistike. Për instrumentistët, ishte e detyruar të studionin teorinë e muzikës, pianon, muzikën e dhomës, si edhe klasën e orkestrës. Ndërkohë, sipas tij, kryesorja që duhet vënë në dukje është serioziteti i mësimdhënies dhe stimulimi i studenteve më të mirë për të interpretuar si solistë në koncertet e shkollës. Nga kjo shkollë kanë dalë instrumentistë, këngëtarë dhe kompozitorë mjaft të zotë, që janë bërë të njohur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat e botës.

Me tej e luta Maestron të flasë për përjetimet e kohës si nxënës e student dhe ja si rrëfen ai: “Që në moshën 9 vjeç fillova të luaj në skenë rregullisht. 10 vjeç luajta si solist Koncertin e Vivaldit me Orkestrën e Harqeve të Liceut nën drejtimin e prof. Genc Bogdos. Disa vite më vonë, rreth moshës 16 vjeç, përveç muzikës klasike, fillova të luaj në piano edhe muzikë xhaz, që në fakt ishte e papranueshme për atë kohë. Më kujtohet që në mbrëmjet e vallzimit që organizoheshin në shkolle, luaja xhaz në piano për 2-3 orë, pa kuptuar si kalonte koha, gjë që më pas e ndjeja tek dhimbja e duarve disa ditë rresht. Në moshën 17 vjeç, kompozitori Simon Gjoni, Drejtori i Muzikës në Lice, më propozoi të krijoja një orkestrinë, gjë që më pëlqeu. Kështu une fillova të orkestroj shumë pjesë që ishin në modë asokohe dhe kjo eksperience ishte fillimi i interesit tim për orkestrimin dhe kompozicionin. Më kujtohet në një nga mbrëmjet e vallëzimit të Vitit të Ri në Istitutin e Lartë të Arteve, së bashku me kitaristin Alfons Balliçi dhe Xhekun në bateri, po luanim jazz, pa e kuptuar që po na dëgjonte ministri i Arsimit dhe Kulturës, i cili ishte shprehur: “Këtu e paskeni bërë Amerike”. Menjëherë u lajmëruam dhe ne filluam të luanim një valle popullore. Ai qeshi dhe u largua. Në të njëjtën periudhë interpretova në Televizion në disa programe live me pjesë virtuoze violinistike, ndër të cilat mund të përmend “Polonaise de Concert” të Wieniawskit dhe “Fantazi nga Opera Carmen” të Sarasates. Në vitin e dytë të Konservatorit (ILA), hapa dhe klasen dhe time të violinës në Liceun Artistik”.

Intermexo me 3 pyetje

Kompozitori i preferuar? Pa dyshim J. S. Bach. Ai është disashekullor dhe njëkohësisht i kohës, përveç që për mua është babai i gjithë kompozitorëve, mbasi të gjithë ata e kanë studiuar dhe kanë përfituar prej tij. Edhe mua Bach më ka shoqëruar në rrugëtimin tim në muzikë përgjatë gjithë kohës.

Violinisti që ke patur idhull? David Oistrach. Jo vetëm për mua por edhe për gjithë botën violinistike ka qenë etalon, kryesisht për konceptimin muzikor të veprave, tingullin e ngrohtë dhe padyshim virtuozitetin.

Vepra violinistike më e preferuar? Për mua është koncerti për violinë dhe orkestër i Beethovenit, të cilin e kam luajtur disa herë në skenë dhe kam përjetuar një ndjenje lirike të jashtëzakonshme e cila më ka çuar në një realitet tjetër shumë sublim.

(Me Yehudi Menuhin në Athinë, 1991)

ARTISTI ME TRI KARRIERA

Jani Papadhimitri, si artist shumëplanësh mbetet një ndër figurat më të kompletuara në historinë e artit shqiptar modern, por ai mbetet gati unikal edhe në aspektin e rrugëtimit të karrierës së tij profesionale solistike e pedagogjike, prej gjysëm shekulli, karrierë e cila ka evoluar në tre vende, në Shqipëri, Greqi (ku shumë artistë shqiptarë imigruan pas shembjes së diktaturës) e prej 22 vitesh në Kanada.

Vitet e Shqipërisë

Pas diplomimit me vlerësimin maksimal në Institutin e Lartë të Arteve, Jani Papadhimitri emërohet Koncertmaestër i Orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit. Paralelisht gjatë asaj periudhe ai performon në shumë recitale me piano, trio, kuartet si dhe si solist me orkestër, ku mund të veçohet interpretimi i koncerteve të Çajkovskit, Beethovenit, Bahut, Mozartit, etj. Ndërkohë, talenti i tij spikat edhe jashtë kufijve. Në “Javën e Kulturës Shqiptare” në Kairo dhe Aleksandri të Egjiptit, në vitin 1987, ai interpreton si violinë e parë e Kuartetit Shqiptar, i cili u vlerësua shumë lart nga kritika muzikore egjiptiane. Një vit më vonë, në “Festivalin e Orkestrave Simfonike të Ballkanit” në Athine, sërish si solist, së bashku me violonçelistin Gjergj Antoniu, luajnë Rapsodi-Koncertin për violinë, violonçel dhe orkestër të Thoma Gaqit, ku nata shqiptare u vlerësua nga kritika si koncerti më i mirë i Festivalit. Paralelisht ai punoi gjatë atyre viteve edhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Kësaj periudhe i përkasin dhe shume krijime pedagogjike për violinë dhe piano, që nga niveli fillestar deri tek niveli pasuniversitar, ku spikatin 12 Kapriçio për violinë solo. Ato janë luajtur për herë të parë në Konservatorin Superior të Parisit, në klasën e violinistit të njohur francez Gerard Poulet. Secili nga 12 studentët e tij luajti nga një kapriçio në “Mbrëmjen Papadhimitri”. Më vonë kapriçiot janë luajtur si pjesë diplome në Royal Conservatory of Music-Londer, në Greqi, Shqipëri dhe Kanada. Gjithashtu janë regjistruar në CD nga Shtëpia e disqeve IRIDA (Greqi) të interpretuara nga vëllai i tij, Vangjush Papadhimitri. Gjatë viteve të karrierës në Shqipëri, Maestro Jani kompozoi një numër veprash, si albume për violinë dhe piano, Rapsodi për violinë dhe orkestër, suita për orkestër, valle sinfonike dhe gjithashtu baletin “Shqiponjat”, që deri në vitin 1990 u shfaq rreth 40 herë në skenën e TOB. Kësaj periudhe i përkasin gjithashtu incizime në RTSH të shumë veprave shqiptare për violinë, si dhe pjesë virtuoze e sonata nga autorë klasikë, romantikë dhe bashkëkohorë. Në vitin 1985 ai emërohet Drejtor Artistik i TOB. Gjatë 3 viteve që e ushtroi këtë detyrë, u zhvillua një jetë shumë e pasur artistike në Teatër, me një numër të madh recitalesh të muzikës së dhomës, koncerte të orkestrës sinfonike, koncertet e Majit, si dhe u vune në skenë nga repertori klasik vepra të njohura si opera “Boheme” e Puçinit, “Traviata” e Verdit, baleti “Don Kishoti” i Minkus etj. Në këtë periudhë u vunë në skenë si premiera edhe operat “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit kosovar Rauf Dhomi, opera “Toka Jonë” e Pjeter Gacit si dhe baletet “Shqiponjat” (Jani Papadhimitri) dhe “Gjergj Elez Alia” i Feim Ibraimit. Dy vitet e fundit të aktivitetit në TOB ai emërohet solist-violinist prane këtij Teatri dhe vazhdon pa ndërprerje jetën koncertale. 

Greqi 1990-2001: “Duhej të vinte një violinist nga Shqipëria që të na tregonte çfarë sonatash për violinë e piano kemi…” 

Në vitin 1990, i fuar nga Radio Televizioni Grek në aktivitetin e dhënies së çmimit “Nike” për gazetari, Maestro Jani realizon një koncert të suksesshëm së bashku me pianistin Thanas Paskali në Athinë. Atë mbrëmje ai pati rastin të njihet me disa personalitete të artit dhe kultures greke. Ishte pikërisht ky momenti që krijon një oportunitet të ri karriere. Së bashku më familjen ai zhvendoset në Athinë dhe nis punën në disa orkestra, si ajo e Radio-Televizionit, Orkestra e Ngjyrave me dirigjent Manos Haxhidhakis, Orkestra Shtetërore e Athinës, si dhe në Orkestrën e Pireut si koncertmaester i saj. Kryesisht ai punoi si violinë e parë në Teatrin e Operas dhe Baletit të Athinës dhe paralelisht ka qenë edhe pjestar i rregullt i Orkestrës së Muzikës Kontemporane në Athine, e drejtuar nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur Theodhoros Antoniu, ku u aktivizua edhe si solist. Gjatë viteve në Greqi, Jani Papadhimitri ka qenë gjithashtu pedagog në Konservatorin Ndërkombëtar, Konservatorin Nakas etj. dhe njëkohesisht anëtar i jurisë për dhënien e diplomave në violinë. Siç kujton vetë ai, “ishin vite edhe me një aktivitet të pasur artistik si solist me orkestër, recitale violinë-piano, apo edhe si pjestar i ansambleve te muzikës së dhomës”. Kryesisht në recitalet e tij ai ka bashkëpunuar me pianisten e mirenjohur greke, Vicky Stilianu, ku vlen të përmenden 2 netët me 10 sonata me titullin “Nga Vivaldi tek Kanas” (Kanas, kompozitor kontemporan grek), që u transmetuan direkt në Radion Greke. Gjithashtu nën kujdesin e kompozitorit Manos Haxhidhakis, ata kanë luajtur një recital me repertor romantik dhe bashkëkohor, në sallën e njohur “Pallas” në Athinë. Në vitin 1997, me rastin e 150 vjetorit të vdekjes së Brahms-it, Instituti Goethe në Athinë organizoi një koncert me vepra të kompozitorit të madh gjerman, ku Maestro Jani interpretoi me pianistin e mirënjohur austriak, Claudius Tanski, profesor në Konservatorin e Salzburgut. Vlen të përmendet gjithashtu pjesëmarja në Festivalin e mirënjohur Ndërkombëtar Muzikor në ishullin Skiathos, ku luajti një program të plotë me sonata dhe pjesë virtuoze violinistike, i shoqeruar nga pianisti i mirenjohur grek, Manolis Papasifakis. Në vitin 2001, nën kujdesin e muzikologut Jorgos Leotsakos, mik i Shqipërisë, së bashku me pianisten V. Stilianu interpretohet një koncert me 4 sonata të kompozitorëve grekë, i cili pati një sukses të madh. Shtypi grek ndër të tjera do shkruante: “Duhej të vinte një violinist nga Shqipëria që të na tregonte çfarë sonatash për violinë e piano kemi.” Përveç aktiviteteve koncertale, në këtë periudhë janë interpretuar dhe incizuar edhe disa nga krijimet e Maestros si albumi për violinë e piano “Adolescence” me 6 pjesë, në Programin e dytë të Radios Greke, album i cili gjithashtu u botua nga Shtëpia Papagrigoriu-Nakas në Athinë. Po ashtu, disa nga kapriçiot e tij janë luajtur vazhdimish nga violinistë të ndryshëm dhe vlen të përmendet që kapriçio nr. 6 me motive nga Veriu i Shqipërisë, luajtur mjeshtërisht nga violinisti i mirënjohur grek, Jorgos Demertzis, pati një sukses të madh në sallën e koncerteve “Megaros Musikis” në Athinë. Një sukses tjetër ishte dhe interpretimi i suitës orkestrale “A nice weekend” nga orkestra e Programit të dytë të Radios, nën drejtimin e dirigjentes Nina Patrikidhu në shumë qytete dhe ishuj grekë, vepër e cila u incizua dhe u bë edhe CD.

Viteve të Greqisë i përket dhe krijimi i “Trio Fammus”. Duke parë progresin artistik dhe interpretimet e suksesshme në skenë të vajzave të tij, Sofia në piano dhe Livia në violinë, si dhe duke marrë më konsideratë sugjerimet e disa kolegëve dhe personaliteteve të muzikës (kompozitori dhe pianisti i mirënjohur Konstandin Kidhoniatis dhe muzikologu Jorgos Leotsakos) Maestro vendos të krijojë trion, që së bashku me vajzat e emërtuan “Trio Fammus” d.m.th Family Music. Koncerti i parë në publik që u bë në “Qendrën e Librit” në Athinë, në vitin 1999, u prit me shumë interes. Muzikologu J. Leotsakos, në artikullin e tij në shtyp, u shpreh me shumë entusiazem për koncertin. Trioja vazhdoi aktivitetin e saj të suksesshëm edhe në salla të tjera në Athinë, por surpriza më e madhe në atë kohë, siç kujton Maestro, ishte ftesa nga Bashkia e qytetit Tripoli në Peloponez, për të intepretuar atje në mbrëmjen e ndërrimit të Mijëvjeçarëve 1999-2000. Salla ishte e ndriçuar nga 2000 qirinj, po ashtu dhe skena. Një sukses i paharruar…

2001 - Përtej Atlantikut, në Kanada 

Aspirata e një perspektive më të mirë për familjen, sidomos për vajzat, e nxiti Maestro Janin, së bashku më bashkëshorten e tij Mikaela (me origjinë nga familja e njohur korçare Bimbli), të imigrojnë së dyti, kësaj radhe drejt Kanadasë, ku u vendosën në Toronto. “Si për të gjithë”, kujton Maestro, “fillimi ishte sfidë, por duke patur të qartë qëllimin për të cilin kishim ardhur dhe duke patur edhe eksperiencën e Greqisë, u integruam relativisht shpejt në jetën e Kanadasë. Duke zgjedhur nga mundesitë më optimale që m’u ofruan, në fillim punova në orkestra, ansamble dhome dhe konservatorë si pedagog dhe njëkohësisht, “Trio Fammus” filloi aktivitetin koncertal në komunitete të ndryshme. Mbas një viti u ftuam për një koncert nga komuniteti grek në Phoenix-Arizona (USA) që u prit me shumë ngrohtësi. Madje jo vetem koncerti por edhe CD e parë e Trios që sapo e kishim nxjerrë. Mbas një kohe të shkurter m’u dha gjithashtu mundësia të filloja si pedagog i violinës dhe pianos në Qendrën Kulturore Italiane (Columbus Centre), ku punova për disa vjet deri sa m’u propozua të hap klasën time të violinës dhe violës në Kingsway Conservatory of Music. Në këtë shkollë prestigjioze pata mundësi të arrij rezultatet e dëshiruara me studentët e mi”. Vlen të përmendet që pjesa më e madhe e studentëve të tij janë vlerësuar me medalje ari dhe argjendi në festivalet e ndryshme që janë organizuar në Toronto dhe Ontario. Paralelisht me mësimdhënien, Maestro u bë pjestar i Ansamblit të njohur të Harqeve “Sinfonia Toronto” me të cilin zhvilloi një jetë intensive koncertale. Në këtë periudhë me propozim të dirigjentit të mirënjohur të këtij ansambli, Nurhan Arman, u luajt disa herë me sukses edhe suita e tij “A nice weekend”. “Academy Concerts of Toronto” ishte një tjetër aktivitet i rëndësishëm në jetën e tij koncertale. Së bashku me dy instrumentistë virtuoze me origjinë ruse, Alexander Kats, pianist dhe Nikolay Tarasov, klarinetist, ai krijoi trion me të cilën janë mbajtur Academy Concerts për 8 vjet rresht. Një tjetër aktivitet që vlen të përmendet ka qenë edhe bashkëpunimi i tij me pianisten virtuoze me origjinë rumune Georgiana Boronica Dana, me të cilën ka realizuar disa koncerte të suksesshme.

Një kontribut tejet të çmuar dhe të vlerësuar nga publiku shqiptar i Torontos dhe jo vetem (për fat të keq i pavlerësuar nga shteti shqiptar) Maestro Jani dhe “Trio Fammus” kanë dhënë në të gjitha aktiviteteve artistike të organizuara nga komuniteti shqiptaro-kanadez në Toronto, si dhe nga Ambasada shqiptare në Ottawa, përfshi koncertin jubilar me rastin e 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kanada. Kujtoj gjithashtu që Maestro Jani ishte interpretues dhe drejtues artistik i koncertit madhështor që u realizua në Toronto me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndërkohë, vitet e fundit ai ka qenë prezent me artin e tij edhe në atdhe, si pjesëmarrës në MIK Festival Korçë (korrik 2019), event i organizuar nga artistja e mirënjohur Inva Mula, në koncertin e hapjes të edicionit të dytë, dedikuar motrave piktore Zengo, ku u luajtën premierë romanca “Dy Motrat” dhe suita për trio “Bukuri korçare”. Po kështu, në maj të vitit 2022 u intepretua për herë të parë në Korçe “Pastorale dhe Humoreska” për flaut dhe orkestër harqesh, me soliste Jonela Golemi dhe dirigjent Eno Koço si dhe po këtë vit në shtator, në Festivalin e Ansambleve të Muzikës së Dhomës në Elbasan u luajt nga Orkestra e Harqeve të Korçës me dirigjent Kostika Tanto suita “A nice weekend”, që u vlerësua nga juria me Çmimin e Parë, si “krijimtaria më e mirë shqiptare e festivalit”.

Tradita artistike vazhdon…

Ky portret i artistit të shquar e virtuoz Jani Papadhimitri, do të mbetej i paplotë, pa përmendur në veçanti dhe familjen e tij, bashkëshorten Mikaela dhe dy vajzat Sofia e Livia. “Gjatë gjithë karrierës time artistike”, shprehet Maestro, “Mikaela, ka qenë jo vetëm frymëzuesja, por edhe mbështetësja ime kryesore dhe pa dyshim ky bashkëpunim është pjesë e madhe e sukseseve të mia dhe gjithashtu të Trios me vajzat, që për më shumë se 20 vjet ka qenë aktiviteti më i rëndësishëm koncertal i familjes tonë. Vajzat tona kanë qenë nxenëse dhe studente të shkëlqyera dhe kanë punuar me përkushtim në instrumentet e tyre. Ato që të vogla kanë luajtur solo në skenë, janë nderuar me çmime dhe u diplomuan me vlerësimin “excellent”, Sofia në Konservatorin Shtetëror të Athinës për piano dhe teori muzike, ndërsa Livia në Universitetin e Torontos, për violinë dhe pedagogji. Të krijosh dhe të realizosh koncerte të plota dhe të suksesshme me pjestarët e familjes tënde, nuk është gjithmonë shumë e lehtë. Kryesisht duhet ndjekur një disiplinë e fortë artistike për të siguruar suksesin. Familja nuk ka nevojë të jetë perfekte, thjesht duhet të jetë e bashkuar. Sa për pak humor, po tregoj një episod që ndodhi përpara koncertit në Phoenix të Arizonës, në provën e mëngjesit, ku ne të tre luanim dhe Mikaela po ndiqte provën në sallë. Punonjësi i mirëmbajtjes, që kaloi aty pranë dhe pasi e pyeti kush ishte, iu kthye duke qeshur: E kuptova, ti qënke “Peacekeeper” i tyre. Sot shtëpia jonë është kthyer në një shkollë muzike, ku edhe të katër mbesat tona mesojnë violinën, pianon dhe këngën, gjithashtu edhe pikturën. Me një fjalë tradita artistike vazhdon…

Në vend të mbylljes

Duke i uruar shëndet e suksese të mëtejshme profesorit tim të dashur dhe njëherazi njërit prej personaliteteve më të shquara të komunitetit shqiptaro-kanadez, Maestro Jani Papadhimitrit, zgjodha ta mbyll këtë shkrim më disa radhë të shkëputura nga një artikull i disa viteve më parë, shkruar nga publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur Arben Kallamata. Kur i lexon të duket sikur janë shkruar dje: “Ne këtu në Toronto jemi me fat që kemi mes nesh një artist si Jani. Ndër violinistët më të shquar shqiptarë, Maestro Papadhimitri është edhe kompozitor i shkëlqyer… me shije të rrallë dhe pedagog i aftë… Jani është muzikant modern dhe me aftësi të veçantë për të kuptuar ndjenjat dhe kërkesat e artdashësve. Jani është njeri modest e fjalëpak. Ka një buzëqeshje të lehtë, dashamirëse, që s’i ndahet nga fytyra. Është nga ata njerëz që punon dhe iu jep të tjerëve shumë më tepër se ç’mund të marrë dhe është i lumtur që ka rast të na falë aq shumë kënaqësi me artin e tij. Ne këtu në Toronto i jemi mirënjohës.”

©Flasshqip.ca

Foto kryesore lart: Lgh Art Photography