Sfida në Kanada e inxhinierit Dhimitri Gusho, i njohur dikur si “djali i Doktoreshë Merit”
- Published in Komunitet

- Nga: Intervistoi Taulant Dedja
Dhimitri Gusho, apo Miti, siç e thërrasin të gjithë të afërmit, miqtë dhe shokët e tij, bën pjesë në një listë të gjatë njerëzish që kam patur rastin të njoh nga afër në vitet e fëmijërisë, rinisë dhe fillimit të karrierës profesionale, me të cilët fati e solli të rigjendemi pranë, në “atdheun” tonë të dytë, Kanada. Kam bindjen po ashtu që atë e njohin drejpërdrejt, jo vetëm për shkak të njërit prej aktiviteteve që ai ushtroi pas ardhjes në Toronto, edhe shumica dërrmuese e bashkëatdhetarëve tanë që u vendosën këtu, në dy dekadat e para të emigrimit pas përmbysjes së komunizmit. Ai është djali i një çifti mjekësh shumë të njohur (e kush nuk e mban mend nga brezi ynë të famshmen Doktoreshë Meri), por edhe nip i Dr. Afërdita Gusho, ikonë e pediatrisë shqiptare. Pikërisht në familjen e kësaj të fundit, më një bashkëshort erudit si Zef Rakacolli dhe tre fëmijë të shkëlqyer (Mirën, Adelën dhe Gentin), familje me të cilin banonim në një pallat në Tirane, në rrugën “Mihal Grameno”, jam njohur për herë të parë me Mitin në vitin 1981. Kujtimet e atyre viteve mbeten të mrekullueshme dhe lidhja miqësore është bërë si “vera e vjetër”… Rrëfimi i tij në këtë bisedë në Flasshqip është shumë i sinqertë dhe origjinal. Me plot humor, por edhe me shumë realizëm e pa zbukurime… Për ju që e keni mik të vjetër, sigurisht që do gjeni të njëjtin Miti që njihni, por edhe detaje që për shkak të largësisë mbase nuk i dini, ndërsa për ata që nuk e njohin drejtpërdrejt, kjo bisedë më poshtë është si një roman jete i përmbledhur në pak faqe, roman i jetës së dikujt, një profesionisti të zot, që është përfaqësues tipik i një brezi, i cili për shkak të përmbysjeve të mëdha që pësoi Shqipëria dhe tranzicionit të vështirë të tri dekadave të fundit, iu desh me shumë mund dhe sakrifica të ndërtojë një jetë të re mijëra kilometra larg atdheut…
Flasshqip: Si e kujton sot fëmijën Dhimitri Gusho, prindërit që të sollën në këtë botë dhe familjen ku u rrite, dy prindër mjekë të famshëm, për të cilët shumë prej brezit tonë kanë patur rastin dhe fatin të dëgjojnë të flitet për ta apo t’i njohin drejtpërdrejt… Çfarë mban mend në veçanti nga ajo kohë?
Dh. Gusho: Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1960 dhe jam një “mistake child”. 😊 Prindërit i mi, të dy ishin mjekë dhe janë martuar relativisht të mëdhenj. Nëna ime në atë kohe punonte me orë të tëra në X-ray. Kishte shqetësimin që nuk po mbetej shtatzënë. Gjinekologu i madh Dr. Kosturi (binjaket e tij Zhaneta dhe Silvia janë qytetare të nderuara të Kanadasë), e urdhëroi nënen time të largohej nga rrezet. Kështu lindi motra ime e vetme Violeta. Në atë kohë leja e lindjes ishtë vetëm 6 javë dhe nëna u kthye përsëri në punë. Kujtoi se X-rays ishin “birth control pill”. 😊. Ishte 3 muaj shtatzanë me mua kur e konstatoi. Me babain morën vendimin për abort, pasi ishte shumë e vështire të rrisje dy fëmijë fare të vegjël aso kohe. Në shtëpi kishin për motrën një babysiter, murgeshë katolike të dedikuar. Ajo i dëgjoi dhe iu lut prindërve ditë për ditë mos e bënin abortin. Prej asaj kam jetën. Une nuk jam fetar por jam shumë kundër abortit. Ndërsa nënës me shaka i thoja nuk i kuptoj mësimet se më ke bëre me X-ray. 😊 Sigurisht isha i privilegjuar të isha djali i dy mjekëve shumë të njohur në Tiranë.
Nënën time Dr. Meri ende e kujtojnë, pasi ka qënë mjekja e parë e pas çlirimit apo mjekja e parë pa pagesë. Kompozitori i njohur Agim Prodani dhe e shoqja, këngëtarja e famshme Anita Take, këngën e mjekut ia dedikuan nënës sime. Unë, nuk kisha emrin tim, por më quanin djali i doktoreshës. Nga fëmijëria mbaj mënd që doja të martohesha që në kopësht. 😊 Kisha gjetur tre nuse. Më kujtohen emrat: Aida, Rozeta dhe Lejlaja. Një ditë babai (ka qënë me shumë humor) dhe djemtë e tezes që ishin më të mëdhej se unë, më dhanë një afat një javor për të vendosur për njërën. Në fund të javës u thashë që kishte ardhur një vajzë tjetër në kopështin 30 tek sheshi Avni Rustemi dhe quhej Zamira. Mu mbush mendja për Zamirën… 😊 Për ta plotësuar më mirë hapësirën që përfshin pyetja, do doja gjithashtu të tregoj që unë mbaj emrin e gjyshit. Babai im, Dr. Kostaq Gusho, mbante edhe ai emrin e gjyshit, ndërsa djalin e madh timin po ashtu e quajnë Kostian. Mendoj që kjo traditë përfundon këtu. Nuk e pelqeja emrin tim, pasi gjithë shokët i kisha me emra modernë, ndersa unë me një emer antik. Babai donte të më quante Roland, por nëna insistoi të më vinin emrin Dhimitri. Fatmirësisht prej emrit, që ka origjinë kristiane-ortodokse, kam gjetur shumë punë këtu në Kanada… 😊
Flasshqip: E bukur kjo histori e kopshtit…dhe ku vazhdoi shkollimi më pas? Po përjetimet e atyre viteve si të rikthehen pas kaq kohësh?
Dh. Gusho: Shkollën fillore, e bëra tek më e mira e asaj kohe, “Kosova”. Edhe ky ishte një privilegj i madh. Atje, që në klasë të parë mendova të martohem me vajzën e Ramiz Alisë. 😊 Kjo, sepse kur na ftoi disa nxënës për ditëlindje, mua më pelqeu shumë shtëpia e saj. Mendova që e vetmja mënyrë për të jetuar atje ishte të martohesha me të. Kujtoj që kam patur një shoqëri të shkëlqyer në fillore tek “Kosova”, në tetëvjecare tek “Fan Noli” dhe në gjimnaz tek “Sami Frashëri”. Shumë shokë të sotëm i kam njohur që femijë. Një jetë së bashku. Edhe prindërit u bënë miq. Babai i im thoshtë: “Miqësi nga baza. Nga poshtë lart”. Në universitet studiova në degën e Inxhinierisë Mekanike. Nuk ishte kjo zgjedhja ime, por në atë kohë e keqja dhe e mira ishte që nuk të pyesnin shumë. Them e mira, sepse shoh sot shumë prindër shqiptarë që kanë fëmijë me orientim të gabuar, sipas mendimit tim, ose pa orientim fare. Fëmijët ndërrojnë mëndje shumë herë, vërtiten si miza pa kokë, ndërkohë që prindërve u kushton shumë para. Do t’iu rekomandoja, jepuni një profesion dhe jo njohuri: inxhinier, mjek, ekonomist, jo filozofi, punë sociale, shkenca politike, etj. Mbas diplomimit si inxhinier me rezultate shumë të larta, (vetëm 4 nota nga 58 nuk ishin 10) më emëruan pedagog në Katedrën e Rezistencës së Materialeve në Fakultetin e Inxhinierisë. Po ashtu punova edhe në Katedrën e Informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në atë kohe pagesa ka qenë fikse. Ne, rinia punonim shumë vetëm nga pasioni. Kam mbajtur mbi dyfishin e ngarkesës gjithë viteve të punës si pedagog…
Flasshqip: Vitet si pedagog në Universitetin e Tiranës përkojnë edhe me një periudhë përmbysjesh dhe transformimesh të mëdha…
Dh. Gusho: Në ato vite pedagogu kishte shumë fuqi dhe kjo do të thoshte dhe shumë përgjegjësi. Varet si e përdorje. Dy zgjedhje kishe, mund të ishe i korruptuar materialisht dhe fatkeqësisht moralisht, ose mund të bëje të mira. Unë në jo pak raste i kam marrë studentët në shtëpi kur ishin të semurë, pasi në Qytetin “Studenti” nuk kishin asnjë ndihmë mjekësore. Shpejt fitova një reputacion shumë te madh ndër ta. Ma ngjitën emrin “Mesues i Popullit”, që ka qënë dikur një titull i lartë. 😊 Më vonë, pas vitit 1990, më quajtën “Nënë Tereza”. Disa studentë madje më thanë: E shikon, sheshit para Universitetit Politeknik iu vu emri “Nënë Tëreza” prej teje... 😊 U bëra i njohur si metodist dhe edukator, ndonëse në moshë të re. Mendoj që ka qënë një karrierë e suksesshme, por sigurisht kam qënë edhe me shumë fat sepse kam punuar pranë njerëzve shumë të ditur, shumë të mirë dhe shumë të gatshëm për të ndihmuar dhe përkrahur.
Flasshqip: Çfarë ndodhi që more vendimin të emigrosh në Kanada? Me sa dimë, ke qenë ndër të parët menjëherë pas viteve 1990-1992, që sollën dhe ndryshimin e sistemit politik… Si e përjetove fillimin?
Dh. Gusho: Vendimi për të emigruar u kushtëzua nga rrethana familjare dhe nuk nguroj të them se ka qënë shumë stresues, pasi si tërë të tjerët krijova një ëndërr në kokë dhe e besova edhe vetë. Ndërkohë, realiteti ishte komplet ndryshe. Më mbajti vetëm sedra, pasi shumë nga studentët që erdhën të më takonin dhe të më percillnin në Rinas, po të shikonin fytyrën time pas dy javësh do më quanin “looser”. Në fillim mendova të duroj 3 vjet që sakrifica të ketë një kuptim. Kam qenë, besoj ndër të parët e ardhur si imigrant me letra të rregullta në Kanada. I pari ose qan ose qesh. Unë qava dhe qava shumë. Mungesa e informacionit, për gjërat edhe më elementare ishte vështirësia më e madhe e fillimit. Nuk gjeja dot informacion as si merrej patenta, apo si të hapja një llogari në bankë, si të lëvizja me autobuz dhe shumë gjëra të tjera. Pastaj, si të gjithë, u adaptova dhe kur kaloi koha 3 vjeçare, u mësova dhe nuk e mendova më kthimin. Ndërkohë lindi djali i dytë dhe në kohe mendoj që ka qënë vendim mjaft i drejtë.
Flasshqip: Në vitet e para me sa dimë u angazhove mjaft edhe me procesin e imigrimit të profesionistëve shqiptarë në Kanada…
Dh. Gusho: Në fakt rastësia më bëri të ndihmoj shqiptarët që të vijnë ketu. Ndoshta shumë nuk e dinë, por pa përpjekjet e mia dhe ndihmën që pata këtej dhe andej, do të ishte shumë e vështirë dhe ndoshta e pamundur në ato vite të emigrohej në Kanada vetëm me diplomën shqiptare. Unë shkova në Tiranë dhe u mundova t’iu shpjegoja drejtuesve të universiteteve tona të më ndihmonin dhe jepnin dokumentacionin e nevojshëm, që arsimimi ynë i lartë të njihej për qëllime emigracioni nga shteti kanadez. Rektori i Universitetit të Tiranës, i nderuari dhe i paharruari Rajmond Sharko, më krijoi shumë lehtësira dhe bile më dha edhe vulen duke më thënë: “Miti bëji vetë. Unë e di që ti nuk do ta përdorësh për fallsifikime, por për një punë fisnike”. Ka qënë shumë i çmuar edhe kontributi i profesorëve Koço Bode, Ilirian Konomi dhe Valter Xhima. Këtu në Kanada pata përkrahjen e pakursyer të Fred Pristine, nga familja patriotike Prishtina, djali i Hysen Prishtinës. Ai ishte që më shtyu në këtë drejtim, më dha këshilla dhe më përfshiu në listën e donatorëve të politikanëve. Në ato vite jam takuar disa herë me Ministrin e Shtetësisë dhe Imigracionit të Kanadasë, Sergio Marchi, dhe sigurova që vizitat konsullore të zyrtarëve të imigracionit në Tiranë nga një herë në vit, të shtoheshin në pesë herë në vit. Në këtë fushë bëra një biznes shumë të suksesshëm dhe shumë të ndershëm. Më vonë pata zhgënjime shumë të forta shpirtërore dhe humbje të paparashikuara materiale, kur emigracioni i kaloi Romës. Dikur mund t’i dërgoje ku të doje aplikimet… Nga zyrtarët e shkëlqyer dhe që kanë mbështetur emigracionin e shqiptarëve dua të përmend Michel Dupuis dhe Ronal Eales.
Flasshqip: Shumë interesante këto detaje, që më të plota sigurisht do t’i vlenin shumë dhe hartimit të historikut të emigracionit shqiptar në Kanada (një projekt i të ardhmes për Flasshqip) …por duket se pasioni për mësimdhënien nuk t’u nda asnjëherë, ndaj edhe iu riktheve apo jo…
Dh. Gusho: Në arsim u ktheva përsëri pas shumë vjetësh dhe u përfshiva rastësisht. Historia ime është një nga ato historitë me të cilat mund të bëhen filma. Shansin e parë, papritmas ma dha një njeri i shkëlqyer, i quajtur Albert Danison. Një ndihmë shumë të madhe pata nga profesori i shquar i Elektronikës Vangjel Zaka, i cili u nis dhe udhëtoi për mua, në mes të dëborës. Ai e njihte personalisht Albertin dhe i foli për vlerat e mia. Ndihmë pata nga ish-studenti dhe shoku im i çmuar Lirian Ostrovica i njohur me biznesin e tij www.dhurata.com që u mundëson tërë bashkëkombasve të dërgojnë dhurata në mëmëdhe. Më mjaftuan vetëm 30 minuta dhe studentët u çuan nga vendi dhe filluan të më japin dorën. Rifillova si pedagog në 30 Mars 2014, ditën që djali i im i madh mbushi 25 vjeç.
Dhimitri Gusho dhe Albert Danison
Këtu e kam patur karrierën shumë të suksesshme dhe jam krenar. Prova janë vlerësimet apo letrat e mirënjohjes nga studentët. Kur përmendet emri im në ceremonitë e diplomimit ka gjithmonë duartrokitje dhe ovacione. Me dhjetëra ish-studentë më kontaktojnë çdo ditë. Kjo është shumë prekëse dhe më jep shumë forca. Më thonë vazhdimisht: ndihma e juaj më ka ndryshuar jetën. Edhe të dy djemtë e mi, edhe të afërm, i kam shtyrë drejt inxhinierisë, pasi ka shumë nevojë dhe punë në këto fusha. Siç thashë edhe në fillim, u rekomandoj prindërve shqiptarë në Kanada të kenë kujdes në zgjedhjen e drejtimit për fëmijët. Ka shumë që studiojnë shkenca politike, biznes, burime njerëzore dhe plot të tilla. Kandaja eshtë vend i përparuar për ekonomi dhe industri jo për politike. Shikoni çfarë kryeministri ka!?
Flasshqip: Cila është arsyeja sipas teje që mësimdhënësit shqiptarë janë të suksessshëm në Kanada?
Dh. Gusho: Universiteti i ynë na e dha formimin teorik të plotë. Izolimi na kishte bërë që të nënvleftësonim çdo gjë tonën dhe të mbivlëresonim çdo gjë të huaj. E kemi patur gabim. Ne këtu jemi superiorë në metodikë, pasi mësimin shumë prej nesh dhe atyre që na kanë mësuar, e konsideronim të shenjtë. Me krenari them që në mjaft raste kanë asistuar profesorë të tjerë për të më degjuar në leksion, megjithë barrieren që ka aksenti. Për fat në inxhinieri nuk është e rëndësishme si e thua, por çfarë thua… 😊
Flasshqip: A mund të rendisësh, sipas mendimit tënd, karakteristikat dhe vetitë që duhet të ketë një mësimdhënës dhe a mund të ndash me lexuesit diçka të veçantë nga vitet e mësimedhënies në dy kolegje shumë të njohur në Ontario?
Dh. Gusho: E para, mësismdhënësi duhet të ketë një nivel të lartë përgatitjeje. Dikur tek ne, në Shqipëri, pa mesatare të lartë nuk mund të jepje mësim në nivelin akademik. E dyta, duhet të ketë cilësi komunikuese njërezore, duhet të jetë model në sjellje dhe komunikim. Edukator unë nuk e quaj profesion por e quaj mision të përjetshëm. Tani në Shqipëri merren në punë me para, por edhe këtu kam parë fenomene shumë të theksuara të nepotizmit. Edhe pse për mua shumë studentë të inxhinierisë mekanike kanë shkruajtur në përshtypjet (reviews) me konsiderata shumë të larta, unë edhe pas 9 vitesh jam ende me kontratë, ndërkohë nga vjetërsia dhe rekordi duhet të isha një kandidat i padiskutuar. Po sjell një shembull konkret. Në Humber College, u caktua, një zot e di se si, një dekan me origjinë nga Irani, i cili pa u druajtur fare, solli një numër shumë të lartë mësimdhënësish nga vendi i vet, duke shkelur çdo normë akademike. Një rezyme e bukur dhe kaq, papritmas bëhesh pedagog, pavarësisht se nuk di mirë as gjuhën dhe as lëndën që duhet të japësh. Këto lloj padrejtësish nuk e kisha imagjinuar kurrë që mund të ndodhnin në një insitucion publik kanadez. Duke qënë në kontrast me ata profanë që ata punësuan, dhe i superlavderuar nga studentët, isha në shënjestër të dekanit. Por, për fat të mirë jetojmë në një vënd ku nuk mund të abuzohet me të drejtat e njeriut dhe shpejt a vonë do të gjesh atë që meriton. Në datën 7 Mars pata “dhuratën” më të bukur që kam marre për Ditën e mësuesit: u largua dekani siç e meritonte… Ndërkohë do shtoja që arsimi në Kanada eshtë shumë larg perfektit. Unë shpesh konsultoj studentë të universitetit dhe shoh jo pak të meta tek pedagogët që japin lëndët e mia. Ndoshta sepse në Shqipëri, më të mirët shkonin në universitet dhe ishin profesorë, ndërsa këtu shkojnë në sistemin privat, pasi fitojnë më shumë. Megjithatë duhet theksuar që kushtet e studimit dhe të mësimit në kolegjet George Brown dhe Humber janë të shkëlqyera. Mjafton të punosh sistematikisht dhe është një investim i sigurt. E përsëris, të dy djemtë e mi me detyrim dhe “iniciative” i shtyva në atë drejtim dhe sot janë fare mire të integruar me punë.
Flasshqip: Le të ndërrojmë pak temë e të flasim për Kanadanë në përgjithësi, për multikulturalizmin e saj dhe sistemin e imigracionit…
Dh. Gusho: Duke qenë dikur i përfshire në këtë biznes (sepse për Kanadanë imigracioni është biznes shumë i rëndësishëm) them që e njoh mirë edhe historikisht. Unë mendoj që imigracioni dhe politika kanadeze për imigracionin është një organizim i ç’organizuar. Nga ky sistem janë shumë njerëz që bëjnë para dhe e ndryshojnë apo sajojnë procedura gjasme në përputhje me kërkesat. Unë kam punuar në kompani transporti, nga më të rëndësishmet në Kanada. Ne gjithmonë na duheshin njerëz, Po ashtu kanë nevojë të gjitha kompanite e transportit. Profesioni i shoferit nuk ka qënë kurrë në lista. Kemi patur plot inxhinierë apo ekonomistë që punonin me autobuz. Dikur ka qënë shumë ndryshe. Nuk kishte “welfare” (ndihmë sociale), nuk kishte programe. Unë kisha të drejtë të sillja kë të doja, përderisa bëhesha përgjegjës. Kështu nuk bëhesh përgjegjes as per vellain tënd nëse e di që nuk e ke punëtor, pasi e ke në kurriz. Mund të sillje shokun, komshiun, kushëririn, përderisa e di që janë të aftë dhe punëtorë. Me këtë politikë rritën shumë komunitetet punëtore, si italianët, portugezët, gjermanët, hollandezët, etj. Këta erdhën për punë dhe jo për krime. Me vonë krijuan dhe sajuan gjëra dhe dy rrënues të sistemit kanë qenë Pearson dhe Trudeau (babai i kryeministrit të sotëm). Programet gjoja humanitare, janë pretekst për të marrë para nga taksat tona dhe për të ushqyer një tufë njërëzish, punonjës socialë, përkthyes, ndihmë ligjore, etj. Unë, që në tetor të këtij viti mbush 30 vjet këtu, fatkeqësisht shoh që shumë gjëra kanë vajtur mbrapsht në këtë vend…
Flasshqip: Po integrimin e shqiptarëve në Kanada si e vlerëson pas tri dekadash që ndodhesh këtu?
Dh. Gusho: Integrimi i shqiptarëve në Kanada është i shkëlqyer. Duhet të jemi vërtëtë krenarë. Në të gjitha fushat i gjen bashkëkombasit tanë shumë të suksesshëm dhe punëtorë. Do të kishte më shumë po të mos ishte Ambasada e Kanadasë në Romë, ose edhe sikur politikanët shqiptarë të mendonin 1% për popullin. Në kolegje dhe universitete kemi plot pedagogë shqiptarë të nderuar. Në Ontario Power Generation kemi plot inxhinierë shqiptarë. Kompani të medha të Property Managment janë me presidentë apo zëvendëspresidentë shqiptarë. Janë plot shqiptarë që punojnë nëpër banka, në kompani finaciare, në industri, në administratën publike, lokale, provinciale apo federale. Ka plot shqiptarë që kanë biznese të mëdha. Vjet vajta tek një miku i im që kisha kohë pa e parë. Dikur banonte në një godinë me qira, ndërsa tani ka një shtëpi 4 katëshe me ashensor brenda… Më kontaktoi një shqiptar pardje të cilin e kisha harruar. Dikur lyente shtëpi. Unë u kujtova nga emri, pasi i kisha bërë dikur letrat për të ardhur përmes bashkëshortes. Sot ai ka një fabrikë me shumë kontrata dhe kërkonte dy studentë të porsadiplomuar për projekte… kështu plot raste të tjerë që nuk del vendi t’i numëroj këtu.
Flasshqip: Po politikën kanadeze a ndjek? Cili është politikani yt i preferuar në nivel federal, provincial apo lokal?
Dh. Gusho: Patjetër që e ndjek. Më i preferuari për mua është Pierre Poilievre dhe më pak i preferuari Justin Trudeau. Kam dashur shumë Rob Ford dhe vërtet kam derdhur lot kur u nda nga jeta aq i ri. Ka qënë shumë mbështetës për shqiptarët dhe me një popullaritet të jashtëzakonshëm dhe të merituar në Toronto.
Flashshqip: Po për situatën që po kalon Shqipëria ç’mendim ke?
Dh. Gusho: Fatkeqësisht Shqipëria është rob i 4 politikanëve, të cilët bëjnë një show të pistë dhe e shkretuan atë vend. Dëshiroj ta shoh sa më mirë, por gjërat sa vijnë më keq bëhen. Nga të dyja anët, si shqiptar kam një kryeminsitër me arsim të mangët, që nuk përfaqëson aspak vlerat tona por edhe si kandez kam një injorant të një lloji tjetër. Si për njërin edhe për tjetrin nuk kam arsye të jem krenar...
Flasshqip: Si e kalon kohën jashtë punë profesor Dhimitri Gusho dhe çfarë e tërheq më tepër?
Dh. Gusho: Akoma lexoj me ëndje librat teknikë më shumë sesa ata letrarë. Lexoj librat historikë, ata nga Shqipëria, sidomos ata që flasin për kohën e diktaturës. Si çdo shqiptar dhe 95% e Botës, më pëlqen futbolli dhe patjetër Lionel Messi 😊, ndërsa këtu futboll quajnë diçka që luhet me dorë. U gëzova shumë kur Toronto Raptors fitoi titullin në NBA, pasi nuk besoja se do ta shikoja ndonjëherë në jetë.
Flasshqip: A do doje të ndaje dhe diçka tjetër me lexuesit e Flasshqip?
Dh. Gusho: Po dua të shtoj diçka. Unë kam provuar shumë padrejtësi nga zyra konsullore e Romës. Nuk e besoj të ketë familje shqiptare në Kanada që mos jetë ndëshkuar dhe trajtuar keq, pa të drejtë, të paktën një herë nga ajo zyrë. Duhet të bëjmë diçka. Po na abuzojnë tëpër. Racizmi dhe diskriminimi nuk duhet të kenë vënd në një shtet demokratik multikulturor ku dënohen me ligj…
© Flasshqip.ca