Pasi ‘Krenari Shqiptare’ na mblodhi bashkë, lind pyetja po pastaj? - Nga Ajet Nuro

Prelud
Një vit më parë, kur organizuam takimin e dytë të bizneseve shqiptare, u diskutua një takim tjetër edhe më i gjerë jo vetëm në numër por edhe në përmbajtje. Në thelb diskutimi u bë i tillë që e vinte në pikëpyetje vetë takimin mes bizneneve dhe të vetëpunësuarve shqiptarë. Pra, nëse bizneset shqiptare në Montreal janë të suksesshme ata nuk janë të vetmit. Një inxhinier shqiptar që punon për një kompani është gjithashtu i suksesshëm. Më tej akoma, nuk ka ardhur koha që shqiptarët e Montrealit të vlerësojnë sukseset e bashkëkombasve të tyre në një mbrëmje gala? A nuk janë shumë kërkesa të tilla? Po mirë, ja i realizuam këto kërkesa? Lind pyetje, kush, qysh, si? Dhe, nga këto pyetje, qoftë nga mungesa e përvojës, qoftë duke e ditur natyrën tone prej shqiptarësh që jetojmë në Kanada, përgjigjet sidomos për pjesën GALA më mungojnë. Sidoqoftë, si një premtim ndaj pjesmarrësve të 2 nëntorit 2018, gjatë gjithë vitit kam menduar formulën më të mire për të realizuar diçka më shumë se një 5 à 7. Duke u nisur edhe nga një “sondazh” i vogël në mbrëmjen e vitit të kaluar pra nga premtime se po të bëhej një mbrëmje shumica e atyre që morën pjesë vitin e kaluar do të ishin të pranishëm, e vendosa të mbaj fjalën dhe të organizoj një takim. Por, sot fjala e dhënë, nuk ka atë vlerën e sigurt të një herë kohës…
Një aktivitet i përmasave të tilla duhet planifikuar në një periudhë të përshtatshme për të gjithë (ata që mendohet se bëjnë pjesë tek të gjithë...). Por, ndoshta po të nisesh nga vlerësime të tilla, asnjë nga 12 muajt e vitit nuk është i përshtatshëm për të gjithë. Ndërsa për mua, Shtatori ishte mbase më i përshtatshmi por për ata që jetojnë në metropolin e Kebekut e dinë që në Shtator patëm një vizitë të rrallë siç është ajo e tre artistëve të mëdhenj shqiptarë si Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Çezari. Në mungesë të datave të tjera, data 9 Nëntor ishte më idealja. Pa e menduar, ajo ishte dita e 30 vjetorit të rënies së murit të Berlinit, ngjarje që dashur pa dashur, vendosi për fatet tona dhe si efekt domino, solli ndryshimet në bllokun e Lindjes e mes tyre edhe të Shqipërisë.
Sukses?
Që nga momenti që rezervuam një sallë, qëllimi ishte të grumbullonim mes 100 dhe 120 veta dhe në këtë drejtim ia arritëm qëllimit. Por, takimi i 9 Nëntorit mund dhe duhet të ishte edhe më madhështor edhe më tematik. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është t’a glorifikojë takimin sepse fjalë të mira dëgjuam dhe vazhdojmë të dëgjojmë gjithandej. Qëllimi i këtij shkrimi është për të bërë vërejtjet dhe për të sjellë korrigjime nëse ndonjë ditë do t’u rikthehemi aktiviteteve të tilla. I parashikuar të ishte takim i krenarisë dhe i suksesit, ai duhet të ishte pak më ndryshe nga formulat e zakonshme. Pra, njohja me njëri-tjetrin, njohja me personalitete të komunitetit tonë që janë më të njohur jashtë Montrealit sesa në Montreal do të ishin disa nga objektivat që duhej të realizonim në atë mbrëmje. Por, edhe të kesh muzikë të mirë, me këngëtarë të mirënjohur dhe të realizosh të gjitha objektivat e mbrëmjes është e pamundur.
Shqiptari i Montrealit
Para disa viteve, një gazetë e formatit të vogël prej 4 faqesh u bë pjesë e disa aktiviteteve këtu në Montreal. Por, ajo nuk i rezistoi dot kohës. Sidoqoftë, me një bashkpunim me Albanian Montreal Press dhe Blerina Ruka (që edhe mbajti peshën kryesore) ia dolëm të përgatisnim një numër dinjitoz që do ishte ndoshta edhe një zbulim i këndshëm i mbrëmjes së 9 Nëntorit. Një ndërthurje e lajmit, opinionit dhe publicitetit të bizneseve shqiptare, pjesmarrësit e pëlqyen publikimin dhe shpresojmë që të mos shërbejë vetëm si “souvenir” por edhe si pikë referimi për disa nga bizneset shqiptare në Montreal.
Dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në mbrëmjen e të shtunës së kaluar pasi këtu në Kanada, të gjitha mund t’i blesh veç kohës. Në mënyrë të veçantë do të doja të falenderoja ata që më ndihmuan nga fillimi gjer në fund, zotërinjtë Laze Leskaj, Maksim Haxhia dhe Prend Tanushi. Dua të falenderoj Anila Erindi për konsultimet dhe printimin e biletave. Dua të falenderoj Ambasadorin Ermal Muca për respektin ndaj aktivitetit tonë, për vizitën dhe vlerësimin që na bëri. Dua të falenderoj familjen time sidomos Almën që më krijon kushtet për të realizuar aktivitete të tilla. Dua të falenderoj zonjën Blerina Ruka për bashkëpunimin në daljen e numrit special të “Shqiptari i Montralit”. Dua të falenderoj miq të largët si Kozeta Miliku dhe Enri Islami nga Manitoba si dhe familjen Brati nga Ottawa. Dua të falenderoj artistët e mbrëmjes, Dritan Ajdini, Tan Beqari, Arjan Plasa si dhe rapsodin tashmë të mirënjohur për ne z. Mehdi Isufi. Falenderim gjithashtu, drejtuesve të organizmit CACI zonjës Anait Aleksanian dhe Ramon Arseni Carrasco Espinoza për pjesmarrjen dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar në aktivitete të tilla. Dua të falenderoj të gjithë miqët e mi që më dëgjuan dhe erdhën na ndihmuan në realizimin e këtij aktiviteti. Së fundi, dua të falenderoj gjithë bizneset që ndihmuan si për gazetën dhe për mbrëmjen.
- Altin Peti i Piccadily Boulangerie et pâtisserie (Gazeta dhe mbrëmja)
- Sotiraq Shegani i Restaurant Focaccio (Gazeta dhe mbrëmja)
- Prend Tanushi i Pizza Gourmande (Gazeta dhe mbrëmja)
- Amirouche Benmerar i La Capital Assurance de dommage (Gazeta dhe mbrëmja)
- Fatjon Dule i Entrepreuneur général F.D. Inc. (Gazeta)
- Hysni Marku i Hôpital vétérinaire Iberville (Gazeta)
- Tim Canaj i Construction Timmy Inc. (Gazeta)
- Mehdi Isufi i Groupe Alba inc. (Gazeta)
- Jim Koçiu i DIM Stone (Mbrëmja)
Po më tej?
Ata që më kanë pyetur se çfarë është kjo mbrëmje u jam përgjigjur shkurt se do jetë njëfarë “Thanksgiving” shqiptar, sepse vërtetë kemi çfarë festojmë. Një komunitet i ri që ia ka dalë të integrohet këtu në Kanada dhe kjo në të gjitha drejtimet nuk ka se si të mos jetë krenar për arritjet e veta.
Sukses ose jo, një aktivitet i tillë nuk është i lehtë për tu realizuar. Vështirësitë e hasura (premtime dhe fjalë që mbeten fjalë, anullime në minutën e fundit, heshtje në vend të përgjigjes etj etj) nuk të nxisin për ta ribërë. Ne po përjetojnë një moment që do ishte mirë ta shikojmë nga afër. Fëmijët tanë janë rritur dhe ata janë një brez tjetër që nuk kanë të njejtën të kaluar si dhe ne. Shumë prej tyre kanë lindur në botën e jashtme dhe nëse ne nuk do gjejmë mënyrën për ti integruar në komunitetin tonë sot, nesër do të jetë vonë.
Patriotizëm nuk është vetëm të kremtosh festën e flamurit një herë në vit. Patriot është ai që di të respektojë e ndihmojë shqiptarin dhe shqiptarinë, patriotizëm është kur veç interesit të ngushtë, duhet parë edhe atdheu. Ka njerëz që flasin për çfarë nuk shkon në Shqipëri dhe ata janë patriotë, ka nga ata që e promovojnë Shqipërinë dhe bukuritë e saj, edhe ata janë patriotë. Çdo njëri nga ne ka mënyrën e vet për ta dashur shqiptarin dhe shqiptarinë, Shqipërinë dhe gjithçka lidhet me të. Por, sa më shumë të jemi në çuarjen përpara të ideve bashkëpunuese aq më mirë do të jetë, aq më shumë do shkojmë larg. Ndryshe, ne do ngelemi secili në këndin e vet, të humbur në këtë botë të zhurmshme e pa fund.
Montreal, Nëntor 2019