Aktivitete

Shqiponjat e Québec-ut hedhin vallen shqiptare

Nga: Blerina Ruka

Në Montréal prej 4 vitesh, me dashamirësinë e disa shqiptarëve, është krijuar grupi i valleve popullore “Shqiponjat e Québec-ut”. Ideal Hodo, njëri prej iniciuesve të grupit artistik, na tregoi për fillimet e këtij grupi, pjesëmarrjen dhe aktivitetet e fëmijëve.

Dëshira për të mbajtur gjallë folklorin shqiptar, mblodhi disa kryefamiljarë të cilët si fillim do të regjistronin fëmijët e tyre që do të ishin dhe pjesëmarrësit e parë. “Disa familje me origjinë çame ishin të parat që mbështetën këtë nismë mbase edhe për hatër të historisë” – shprehet Ideali, ndaj dhe duhet përmendur kontributi i Spartak Gjinikës, Gentian Myrtajt, Jani Jovanit, Ervisa Gjinikës apo Mevlan Hasanit. Ky i fundit, përkrah me Ideal Hodon eshtë themelues i grupit. Të dy ata kanë dëshirë t’a theksojnë e kujtojnë prejardhjen e tyre.

Ideali dhe Mevlani janë me origjinë nga Ninati i Konispolit, fshat që bën pjesë në komunën e Markatit në rrethin e Sarandës. Ninati është edhe vendlindja e dijetarit të madh enciklopedist Hasan Tahsini (ish rektori i parë i Universitetit të Stambollit) dhe e Bilal Xhaferrit, poet, prozator dhe publicist i shquar disident. Nga kjo zonë e ka origjinën edhe vallja e famshme e Osman Takes.

Janë pikërisht këta personazhe e mjaft të tjerë, ndaj të cilëve dy krijuesit e grupit të valleve ndjejnë detyrimin moral për të vazhduar traditën. Sipas tyre, Ninati është një fshat me plot kulturë që e ka njohur emigrimin prej kohësh.

Grupi i valleve “Shqiponjat e Québec-ut” është gjithmonë pjesëmarrës në të gjitha festat dhe evenimentet komunitare. Në repertor bëjnë pjesë kryesisht valle popullore të jugut, apo edhe disa karakteristike të krahinës së Çamërisë, si vallja e Osman Takës për burrat, Katjushka dhe Pogonishte. Edhe kostumet e përdorura, andej e kanë origjinën dhe janë siguruar nga vetë krijuesit e grupit. Ky element është një vlerë e shtuar që mund të shihet dhe në fotot e ndryshme kujtim nga aktivitetet, vlerë e shtuar sepse është pjesë e trashëgimisë kulturore të transmetuar brez pas brezi, për të cilën Ideali dhe Mevlani ndihen shumë krenarë.

Ajo që vlen të kujtohet, sipas themeluesve të grupit, është fakti që “fustanella e meshkujve, e përhapur edhe në Greqi, është element karakteristik i kulturës dhe trashëgimisë arvanitase dhe shqiptare. Ndaj është mjaft e rëndësishme që brezat që do të rriten në Kanada, t’a njohin të vërtetën e trashëgimisë sonë kulturore në mesin e gjithë kulturave ku jetojmë”.

Një kontribut që duhet sjellë në vëmendje në rastin e grupit “Shqiponjat e Québec-ut”, është edhe ndihmesa e Kujtim Ismailit. Ishte ky i fundit i cili bëri të mundur organizimin aktivitetit të parë prezantues ku ndodhej e pranishme edhe këngëtarja e mirënjohur popullore Merita Halili me bashkëshortin, fizarmonicistin virtuoz Raif Hyseni. Nga ai moment, zgjimi i interesit tek shume të tjerë solli dhe vazhdimësinë e iniciativës.