Profil & Intervista

Bardhyl Gjevori, shqiptari i Operas së Torontos

Intervistoi Taulant Dedja

Deri në vitin 2001 Bardhyl Gjevori ishte pjesë e Orkestrës Sinfonike të Radio-Televizonit Shqiptar si dhe pedagog në Akademinë e Arteve të Tiranës. Kishte një emër të ngritur me punë dhe talent në Shqipëri, dhe si shumë prej kolegëve e shqiptarëve të tjerë, një ditë vendos të emigrojë. Çfarë e shtyu muzikantin të largohet nga atdheu duke lënë karrierën, miqtë dhe gjithçka tjetër? Si përfundoi në Kanada, me çfarë merret atje dhe si është jeta e tij sot? Për këto dhe të tjera pyetje i mirënjohuri Bardhyl Gjevori na përgjigjet sinqerisht duke rrëfyer detaje të rrugëtimit të tij.

FlasShqip: Si ndodhi që vendose të emigrosh në Kanada?

Bardhyl Gjevori: Ishte një vendim që po bluhej prej vitesh në mendjen tonë si çift. Megjithëse ne konsideroheshim me punëra të mira, unë në Orkestrën e RTSH, po ashtu edhe në Akademinë e Arteve dhe gruaja ime Enkelejda si veterinere në Bashkinë e Tiranës, nuk ishim të bindur se do të kishim mundësi të krijonim një të ardhme të sigurtë për veten dhe për vajzat tona në Shqipëri. Unë po konstatoja me keqardhje se trajtimi që iu bëhej artistëve, si nga ana financiare ashtu edhe morale, po përkeqësohej. Megjithatë ne gjithmonë shpresonim se gjërat do të mund të përmirësoheshin në Shqipëri. Ngjarjet e vitit ‘97 ishin guri i fundit që i vrau këto shpresa dhe ne (mund të them që bashkëshortja ishte iniciatorja kryesore) vendosëm të emigronim. Kanadaja ishte i vetmi shtet që pranonte emigracion legal, një vend ku emigranti nuk shikohet shtrembër, ku vlerësohet puna e ndershme dhe ku njeriu çmohet për atë që bën.

FlasShqip: Fakti që muzika është “gjuhë” universale, a e lehtësoi periudhën e akomodimit e më pas të integrimit?

Bardhyl Gjevori: Nuk jam unë i pari që them se emigrimi është një proces i dhimbshëm. Ne lamë vendlindjen dhe e gjetëm veten në një vend të huaj, shumë të ndryshëm, ku ne nuk njihnim askënd, me dy vajza, 3 dhe 5 vjeç, pa asnjë përkrahje familjare dhe pa asnjë siguri për të ardhmen. Besoj se është një eksperiencë e përjetuar nga të gjithë bashkatdhetarët që emigruan në Kanada. Unë mund të them se ne ishim të motivuar që do të bënim të pamundurën për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen tonë, dhe asnjëherë nuk u ankuam se çfarë lamë pas andej nga erdhëm, por gjithmonë pamë për mundësitë që ofroheshin për t’u integruar. Për sa i përket “gjuhës” universale, unë besoj se ka qenë faktor ndihmues në integrimin tonë në shoqërinë kanadeze. Për shembull, mund të them që kur u thua njerëzve që je muzikant, ata reagojnë në një mënyrë më pozitive dhe kjo të ndihmon në kontaktet paraprake që mendoj se janë shumë të rëndësishme.

FlasShqip: Cili ishte rrugëtimi që të çoi drejt Operas së Torontos.

Bardhyl Gjevori: Ne arritëm në Toronto në Maj të 2001. Në Korrik mendova të shkoj në Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Torontos. Meqë ishte periudhë vere, atje kishte shumë pak njerëz dhe duke trokitur nëpër dyer e duke pyetur, mora emrin e një kolegu që punonte në Toronto Symphony. Pasi i telefonova, ai u tregua shumë i gatshëm që të takoheshim. Mendoj se “gjuha” universale më ka ndihmuar edhe në këtë rast. Ishte një takim shumë i këndshëm, ku ai më pyeti për Shqipërinë, për të cilën nuk kishte fare njohuri. Nga ana ime, unë gati e mbyta me pyetje të shumta për jetën artistike në Toronto. Ai me një mirësi të jashtëzakonshme, pa asnjë lloj xhelozie profesionale, më këshilloi se si duhet të veproja dhe kë duhet të takoja. Emri i parë që më dha ishte i Kornistes së Parë të Operas së Torontos, Joan Watson.

Ne u takuam në shtëpinë e saj dhe luajtëm bashkë disa duete. Më bëri shumë përshtypje thjeshtësia dhe përzemërsia e saj. Ajo ishte një instrumentiste e jashtëzakonshme dhe unë ngela i mrekulluar nga loja e saj. Më premtoi se do të më ndihmonte me sa kishte mundësi. Më vonë kur ne u bëmë shumë miq, ajo më tha se kishte ngelur shumë e kënaqur nga loja ime, në mënyrë të veçantë se si tingujt e instrumentave tanë fuziononin bashkë si një instrument i vetëm. Pas asaj dite, menaxherë të ndryshëm të muzikës filluan të më telefononin për punë të ndryshme si inçizime apo koncerte. Unë e kuptova që Joan e kishte mbajtur fjalën që do të më ndihmonte,

Dua të shtoj diçka interesante që e mësova vite më vonë. Disa nga këta menaxherë, me të cilët më pas u bëra mik, pranuan se në fillim ata hezitonin të më merrnin në telefon sepse nuk dinin si të ma artikulonin mbiemrin dhe kishin frikë se mos më ofendonin. Ata kishin preferuar më mirë të mos më thërrisnin fare se sa të ma thonin mbiemrin gabim. Në verën e 2002, një nga kornistët e Operas u sëmur me një sëmundje të rëndë dhe u largua për një kohë të gjatë. Joan nguli këmbë qe të isha unë ai që do të plotësonte vendin bosh. Në gusht trupa e Operas mori pjesë në festivalin e Edinburgut në Skoci. Ishte një turne qe do të mbetet gjatë në memorien time. Në vitin 2003 vendi bosh, që unë po e plotësoja përkohësisht, u bë permanent. Normalisht institucioni duhej të hapte një konkurs pranimi, por Joan, tepër e kënaqur nga loja ime dhe nga impakti i jashtëzakonshëm (fjalët e saj) që unë pata në sektorin e kornove, nguli këmbë që mua të më ofrohet pozicioni pa patur nevojë për konkurs dhe ashtu u bë. Ky është pak a shumë rrugëtimi im drejt Operas së Torontos. Unë e them me bindje se ky rrugëtim do të ishte i pamundur pa mbështetjen e mikeshës time Joan Watson. Fatkeqësisht ajo u nda nga jeta para 2 vjetësh, duke lënë një zbrazëtirë të jashtëzakonshme në jetën time si mikeshë e familjes sonë dhe si artiste e papërsëritshme.

FlasShqip: Ç’do të thotë të jesh pjesëtar i një orkestre prestigjioze për përditshmërinë e një instrumentisti?

Bardhyl Gjevori: Besoj se dihet historia, ose të them më mirë një fabul për një turist në New York. Ai pyeti një vendas “si shkohet në Carnegie Hall? (një sallë koncertesh e famshme në New York). Dhe vendasi u përgjigj: me punë, punë dhe vetëm punë. Ndoshta kjo histori është treguar shumë herë, por mendoj se e përmbledh më së miri jetën e një instrumentisti në një orkestër prestigjioze. Hyrja atje është vetëm fillimi. Niveli i lartë kërkon përgatitje të pandërprere. Orë të panumërta studimi, edhe gjatë pushimeve. Ndodh ndonjëherë që kur kthehem nga puna shkoj në studio dhe vazhdoj studimin. Ditët e vitit që unë nuk e prek instrumentin mund të numërohen me gishtat e dorës. Shkurt, është një jetë plot sakrifica personale, por që mua më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër. Të luash në një teatër me famë botërore për akustikën e tij, të jesh pjesëtar i prodhimeve muzikore si seria e operave të Wagnerit “Unaza e Nibelungve”, ose e Stravinskit “The Nightingale”, që të përmend vetëm  dy, janë evenimente shumë të rralla që mund t’i ndodhin një artisti në jetë.

FlasShqip: Po kur e di që në sallën ku shfaqet opera ndodhet edhe dikush që flet të njejtën gjuhë me ty si ndihesh?

Bardhyl Gjevori: Unë kam disa miq që vijnë dhe ndjekin rregullisht shfaqjet e operave. Sa here që ata vijnë dhe më përshëndesin në pushim, ose para fillimit të shfaqjes, unë ndjehem shumë i emocionuar.  Unë shoh në sytë e tyre kenaqësinë dhe krenarinë që një bashkatdhetar i tyre është pjesëtar i këtij institucioni artistik me emër dhe mundohem që ajo natë të jetë e veçantë. Në fillim si duke qeshur iu thoja kolegëve të mi të orkestrës: “Sot kini kujdes se në sallë janë disa miq të mi shumë të apasionuar pas operas dhe që nuk tolerojnë asnjë gabim”. Dhe kjo tani është bërë si ritual. Sa herë kolegët shohin që vijnë njerëz dhe më përshëndesin para fillimit te shfaqjes, ata vijnë e më thonë: “fansat tuaj personalë janë këtu sonte, kështu që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, se gabimet nuk janë të lejuara.”

FlasShqip: A të mungon diçka nga Shqipëria? Po lidhjet me kolegët e atjeshëm a i mban?

Bardhyl Gjevori: Unë nuk shkoj shpesh në Shqipëri dhe periudha e gjatë larg vendlindjes ta shton mallin. Mendoj se sa më shumë kalon koha, aq më shumë idealizohen vitet që ke kaluar atje, duke hiperbolizuar kujtimet e bukura dhe duke anashkaluar ato të pakëndshme. Në vitin 2017 pata mundësinë të kaloj atje një periudhë relativisht të gjatë. Kisha kënaqësinë të luaj bashkë me disa kolegë në një koncert në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.  Emocionet që provova gjatë koncertit do të mbeten gjatë në kujtesën time. Po ashtu ndoqa disa koncerte të orkestrës së Radio-Televizionit dhe asaj të Teatrit të Operas dhe Baletit. Dua të shtoj me keqardhje, se periudha e qëndrimit atje më kujtoi të gjitha arsyet pse vendosa të largohem dhe po e lë me kaq…

FlasShqip: A është bërë e njohur tradita muzikore shqiptare këtu, po të kemi parasysh që numri i muzikantëve shqiptarë në Ontario nuk është i vogël?

Bardhyl Gjevori: Të gjithë artistët, dhe posaçërisht ata që jetojnë jashtë vendlindjes, janë ambasadorë të artit dhe kulturës së vendit nga kanë ardhur. Kur unë fillova të angazhohem në jetën artistike këtu në Toronto, Shqipëria si emër ishte fare i panjohur, lëre pastaj tradita e saj muzikore, por mendoj se pak nga pak me kontributin tim në fillim, pastaj dhe me ardhjen e artistëve të tjerë si Josif Gjipali, Inva Mula, Enkelejda Shkoza, u krijua një përshtypje se ky vend, megjithëse i vogël dhe i panjohur, ka një tradite muzikore të konsiderueshme. Po ashtu mund të shtoj edhe muzikantët e tjerë të talentuar që japin kontributin tyre të çmuar si Jani Papadhimitri, Cin Simoni, Rudin Lengo, po ashtu edhe Qazim Kallushi si administrator i institucionit artistik: The Greater Toronto Philarmonic Orchestra, që ka organizuar disa koncerte ku janë interpretuar krijime të kompozitorëve shqiptarë.  Unë mund të them me krenari se bashkë me muzikantët e tjerë, kemi dhënë një kontribut të çmuar në njohjen e Shqipërisë në Toronto si vend me një traditë të pasur muzikore.

***

Dhe vërtet, personalitete si Bardhyl Gjevori, të cilët japin çdo ditë kontribut të çmuar me punën e tyre të mirë, kudo ku jetojnë, ngrenë lart jo vetëm emrin e tyre, por edhe të Shqipërisë. Flasshqip i uron suksese muzikantit të mirënjohur shqiptar dhe e falenderon për gjithçka që ndau me lexuesit.

©FlasShqip.ca

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me Flas-Shqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!