T'u përkushtohesh fëmijëve si Ina Xoxa!

Intervistoi: Jeta Dedja
Zysh Ina Xoxa është e njohur për komunitetin shqiptar në Toronto, pasi ajo prej disa vitesh ka organizuar fëmijët e talentuar të bashkatdhetarëve, duke ndihmuar jo vetëm talentin e tyre personal të zhvillohet por edhe duke ushqyer dashurinë për kulturën e vendit të origjinës. Dhe të mendosh që zysh Ina, pasionante deri në detaje e muzikës dhe aktiviteteve, në formimin e saj bazë është një mjeke. Si ndodhi që vitet e investuara në Shqipëri në fakultetin e preferuar të mjekësisë, ku jo kushdo e zgjidhte si degë studimi, për Inën u shumëzuan me zero, duke nisur një karrierë krejt tjetër?? Le ta zbulojmë në intervistën që Ina Kocaqi Xoxa, ka dhënë për Flasshqip…
Ina, ti përfundove studimet në mjekësi, që do të thotë se shumë shpejt do siguroje një punë të mirë dhe rrjedhimisht edhe të ardhura. Pse vendose të largoheshe nga Shqipëria?
Ina Xoxa: Po, e vërtetë. Unë jam diplomuar si mjeke e përgjithshme në vitin 1997. Në këtë kohë, të cilën shqiptarët e mbajnë mend më tepër për shkak të trazirave, ne vendosëm të emigrojmë. Unë punova përkohësisht në një laborator privat në Tiranë sa të mbaronin procedurat e emigrimit dhe nuk bëra planifikim të vazhdimësisë së karrierës në Shqipëri meqënëse mendjen e kishim të ngritur për të ikur. Ndërkohë im shoq, Vaska Xoxa, krahas punës si pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit drejtonte edhe firmën e tij të projektimit. Financiarisht ishim të stabilizuar edhe me perspektivë për rritje. Por nuk ishte aspekti ekonomik që na nxiti mendimin e largimit. Të tjera arsye na shtynë të iknim si: struktura e dobët e shtetit, burokracirat dhe mosbesimi në zbatimin e ligjeve, pasiguria pas 1997-tës, një ambient tranzicioni që nuk të lejonte të jetoje ndershmërisht dhe brenda rregullave. Nuk donim të ndërtonim të ardhmen në një shoqëri ku mendonim se do ta kishim të vështirë të mbijetonim.
Por ju nuk ikët menjëherë apo jo, pati një aplikim besoj dhe iu desh një farë kohe?
Ina Xoxa: Po ne emigruam nëpërmjet një agjensie. Pasi u kryen të gjitha procedurat, mbërritëm në 15 prill 2000 në Kanada. Drejtuesit e agjensisë na e lehtësuan vendosjen pasi na kishin gjetur një apartament me qera në lagjen Marlee, na ndihmuan të blinim mobiljet e para, e gjithashtu na dhanë me shumë dashamirësi të gjithë informacionin që kërkonim. Unë fillova punë si telemarketer që javën e tretë. Lagja ku u vendosëm ishte plot me shqiptarë dhe isha shumë e gëzuar! Mendoj se kur vjen me mendjen e mbledhur të pushton një energji pozitive që të jep forcë të përballosh ndarjen me njerëzit e dashur dhe adaptimin me vendin e ri! Ne erdhëm si çift (pa fëmijë) dhe ishim shumë entuziastë pasi kishim ardhur jo me kokën mbrapa, por me një vendim të pjekur.
Duket gjithçka kaq e thjeshtë…gjetët shtëpi, fillove punë, pra normalitet. Hasët ndonjë vështirësi?
Ina Xoxa: Po, fakti që 6 muajt e parë të emigrimit i përballova vetëm, pasi im shoq Vaska u kthye të mbaronte disa projekte në Tiranë, ishte një lloj vështirësie. Gjithashtu me ardhjen në jetë të dy fëmijëve tanë brenda 2-vjeçarit të parë u shtua ngarkesa për mua, por edhe u ndërpre planifikimi i integrimit tim. Ndërkohë Vaska filloi studimet Master në Universitetin e Torontos. Gjithsesi vitet e para janë më të bukurit e jetës sime.
Si ia dolët mbanë të siguroni të ardhurat duke patur dy fëmijë të vegjël për të rritur pa asnjë ndihmë tjetër?
Ina Xoxa: Ne vendosëm që fëmijët të mos i çonim në çerdhe në mënyrë që të rriteshin me më shumë dashuri, meqë ne këtu nuk kishim asnjë njeri (familje apo kushërinj) vetëm miq e shokë. Zgjodhëm të bëjmë një jetë më të thjeshtë e t’u përkushtoheshim fëmijëve. Unë kam punuar disa vite në turnet e natës në Aeroport e më tej në kompaninë “Cision Canada” që të kisha mundësi të përkujdesesha për fëmijët ditën. Bëra një zgjedhje të vështirë të punoj natën në funksion të fëmijëve që të ishin 24/7 nën kujdesin e prindërve. Vaska pasi përfundoi Masterin gjeti punë si Inxhinier Ndërtimi-Projektimi, ndërkaq jepte edhe mësim si pedagog me kohë të pjesshme në kolegjin “George Brown”. Pasi fëmijët u rritën e u bënë për shkollë, në periudhën 2007-2008 ndoqa studimet në Universitetin e Otawas ku u diplomova si mësuese e ciklit 8-vjeçar.
Mesa kuptoj ke ndërruar disa punë. Si funksionon në Ontario gjetja e një pune?
Ina Xoxa: Punën e parë në Kanada si telemarketer e gjeta përmes njoftimeve në gazetë. Herën tjetër në Aeroport shkova pa rekomandim në intervistë dhe e fitova. Ndërsa në kompaninë “Cision Canada” më rekomandoi një shoqe rumune. Mendoj që nëse kërkon të punosh vullnetarisht natën ke përparësi në intervistë.
Dhe tani që fëmijët janë rritur nuk të duhet të punosh më natën. Më trego pak për punën tënde të tanishme, por edhe të Vaskës, i cili pas studimeve Master besoj se ka bërë karrierën që ka dashur apo jo?
Ina Xoxa: Që prej katër vjetësh punoj si mësuese e ciklit 8-vjeçar në Bordin Publik të Peel (PDSB). Ndërsa bëja punë vullnetare në shkollën e fëmijëve më pëlqeu puna me fëmijët dhe prandaj vendosa të bëhem mësuese. Kërkonte vetëm një vit universitet pasi mu njohën 6 vitet e studimeve në mjekësi në Tiranë. Po, tani mund të them se bëj punën që dua dhe më pëlqen. Ndërsa im shoq punon si pedagog në “Humber College” si dhe drejton kompaninë e tij në fushën e inxhinierisë. Ëndrrat e tij profesionale janë bërë realitet. Të dy jemi shumë të kënaqur me punët që bëjmë dhe i jemi mirënjohës shtetit kanadez për mundësitë që ju ofron emigrantëve të rinj.
Përmende më lart punën vullnetare në shkollën e fëmijëve. Por vullnetarizmi yt nuk mbaron me kaq. Shumë shqiptarë në Toronto kanë dëgjuar për Fëmijët e talentuar të lagjes Marleee që organizohen nga Zysh Ina. Si të lindi ideja, e cila duhet thënë se është e jashtëzakonshme?
Ina Xoxa: Dëshira për t’u marrë me aktivitete artistike s’më ka munguar asnjëherë. Puna me fëmijë më jep gëzim dhe e bëj më shumë pasion dhe vullnetarisht. Jemi një lagje e madhe në Marlee dhe i kemi rritur fëmijët së bashku duke ndihmuar njëri-tjetrin. Unë kam punuar shumë me dy fëmijët e mi për t’i prezantuar me muzikën, veglat si dhe për t’u mësuar këngë e valle shqip. Mendova që njëkohësisht mund të punoja edhe me fëmijët e lagjes. E kështu me prindërit vendosëm të organizojmë një Talent Show me fëmijë shqiptarë. 3 vitet e para provat i bëja në shtëpinë time, por më vonë grupi u rrit dhe tani i bëjmë në sallën e artit të kompleksit. Sivjet në “Marlee`s Got Talent 2018” morën pjesë 50 fëmijë dhe jo vetëm nga lagja Marlee.
Interesi për këngët e vallet shqiptare është rritur së bashku me pjesëmarrjen. Mendoj që fëmijët tanë të mirë meritojnë të mirat e të dyja kulturave shqiptare dhe kanadeze. Benefitet e këtij eventi janë të shumta si: kujtimet që do kenë në të ardhmen për këto aktivitete, rritja e besimit në vetvete, bashkëpunimi, përballja me stresin e skenës, njohja me artin foklorik shqiptar, këngë, valle, kostume etj. Fëmijët duhet të dinë sadopak për prejardhjen e tyre ashtu si bashkëmoshatarët e komuniteteve të tjera në Kanada. Ky aktivitet është i rëndësishëm edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Po fëmijët e tu i kanë me qejf këto aktivitete?
Ina Xoxa: Të dy fëmijët kanë studiuar për vegla muzikore. Scott për kitarë akustike ndërsa Olivia për piano. Kanë luajtur bashkë në disa aktivitete shqiptare. Janë shumë të kënaqur në lagjen ku jetojmë, aktivitetet që bëjmë, kanë shumë shokë shqiptarë si në shkollë ashtu dhe në lagje.
Na trego diçka më tepër rreth tyre. Si prezantohen kur i pyesin nga janë? A flasin shqip?
Ina Xoxa: Scott është 17 vjeç, sivjet mbaroi gjimnazin dhe pret të fillojë studimet në Universitetin e Wilfrid Laurier në Waterloo dega Ekonomik-Financë. Olivia është 15 vjeç dhe mbaroi vitin e dytë të gjimnazit. Identifikohen si shqiptaro-kanadezë dhe kur i pyes si e ndjeni veten më thonë: “Në mes”. Pra mundohen të marrin më të mirën e të dy kulturave. Duke u rritur me shqiptarë dhe me bashkëmoshatarë me prindër nga ish-vendet komuniste e kuptojnë shumë mirë karakterin e prindërve të tyre. Nëse do të ishin rritur në lagje me më shumë kanadezë të vjetër mendoj se do ta kishin me të vështirë. Peruidha që unë kalova me ta derisa shkuan në parashkollor ka qenë më shumë rëndësi për të krijuar një lidhje midis nesh si prindër dhe fëmijëve të lindur këtu. Janë rritur me përralla shqiptare ato që më tregonte edhe mua babi, me muzikë e filma shqiptarë. Filmi “Skënderbeu” është nga më të dashurit për ta ndërsa pjesa kur thyhet violina e Bardhit në “Tinguj lufte” momenti më tronditës. Edhe sot i përdorin batutat e filmave për humor. Jam shumë e lumtur që munda t’ua transmetoja dashurinë në shqip, do ta kisha shumë të vështirë në një gjuhë tjetër. Ata tani kuptojnë dhe flasin shqip dhe nuk kanë komplekse, madje në shkollën e tyre kanë edhe “Albanian Club”. Sigurisht ne e ruajmë si familje balancën, duke jetuar edhe si qytetarë kanadezë, sidomos tani që fëmijët janë rritur.

Si është një ditë e zakonshme e familjes tuaj? Çfarë tiparesh keni asimiluar nga kulturat e tjera që ju rrethojnë në Kanada?
Ina Xoxa: Të gjithë shkojmë në shkollë (qesh) pasi edhe ne të dy prindërit punojmë në shkollë. Fëmijët janë më të pavarur pasi janë adoleshentë. Studiojnë në dhomat e tyre dhe shikojnë programet që iu pëlqejnë. Na mungon të drekuarit së bashku sikur ishin më të vegjël. Përveç kuzhinës shqiptare kemi futur në menunë e familjes edhe shumë receta të kulturave të tjera. Mundohemi t’i edukojmë fëmijët si qytetarë të mirë duke i brumosur me cilësitë më të mira kanadeze edhe shqiptare. Jemi munduar që nëpërmjet bisedave dhe vizitave në Shqipëri të njohin si cilësitë e mira ashtu edhe jo të mira të shqiptarëve edhe të kuptojnë arsyet e emigrimit të prindërve. Ndërkaq diskutojmë edhe për problemet e Kanadasë dhe e vlerësojmë mendimin e fëmijëve. Si të lindur këtu ata priren të mendojnë më shumë si kanadezë.
Si janë marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë? Çfarë ju mungon nga Shqipëria?
Ina Xoxa: Marrëdhëniet i mbajmë kryesisht përmes medias sociale. Këmbejmë të rejat me prindërit, familjen, etj. Nuk kemi mundësi të shkojmë për vit, por kur shkojmë kënaqemi, pasi takohemi me prindërit, motrat, vëllezërit e miqtë e vjetër. Shoqërinë e kemi zëvendësuar, por ajo që na mungon më shumë këtu është familja. Mungesa e atdheut për mua është si mungesa e vendlindjes me gjithë kujtimet e fëmijërisë kur martohesh larg. E nëse ke gjetur fatin e duhur, në vendlindje kthehesh vetëm për vizitë.

Si do të kishte qenë e ardhmja jote nëse do kishe jetuar në Shqipëri?
Ina Xoxa: Ndoshta do ishim më të pasur, por për mua shumat monetare s’kanë vlerë përpara pasurisë dhe qetësisë shpirtërore.
***
Dhe vërtet, tek Ina dallohet lehtë se sa rëndësi i kushton pjesës shpirtërore. Në bisedë me të ndihet menjëherë dashuria e saj për vendin ku jeton, për vendin ku ka lindur, për punën që bën, për njerëzit që e rrethojnë. Ajo nuk shpreh kurrfarë zhgënjimi, vetëm mirënjohje për të gjithë e gjithçka.
Ndoshta këtë ndjesi pozitive përjetojnë të gjithë ata prindër që i kanë besuar Inës fëmijët e tyre në aktivitetet artistike. Sepse Ina Xoxa reflekton mirësi dhe përkushtim! Faleminderit Ina!

Korrik 2018
©Flasshqip.ca












