Profil & Intervista

Mira Shehu, mësuesja fierake kandidate për në Këshillin e Diasporës

Mësuesja dhe inspektorja e dikurshme e gjuhëve të huaja në Drejtorinë Arsimore të Fierit, Mira Shehu, prej 18 vitesh jeton në Kanada. Edhe këtu nuk i është ndarë mësimdhënies, madje duke arritur të dallohet e vlerësohet. Sot Mira Shehu renditet si një ndër kandidatet për në Këshillin Koordinativ të Diasporës, e propozuar nga Shoqata “Illyria” Halifax, Nova Scotia.

Si është historia e emigracionit të znj. Mira Shehu?

Fillimisht zysh Mira emigroi me familjen në Calgary, Alberta. Pas një muaji filloi si vullnetare në mësimdhënien e gjuhës angleze si gjuhë shtesë EAL, e më pas në profesion. Prej 9 vitesh punon në Halifax. Ajo është vlerësuar për punën nga eprorët duke u shpallur dy herë mësuesja e muajit. Aspektet kryesore të vlerësimit kanë qenë aftësia e veçantë për të menaxhuar klasat, trajtimi i situatave të vështira, dhe vëmendja ndaj detajeve.

Flasshqip: Si e vlerësoni aktivitetin e komunitetit shqiptar në Halifax?

Mira Shehu: Komuniteti shqiptar në Halifax është relativisht i ri dhë i vogël. Janë bërë vazhdimisht përpjekje nga të gjitha kryesitë për të sjellë komunitetin të bashkuar. Shumë anëtarë të sukseshëm të komunitetit kontribuojnë financiarisht e rregullisht për shoqatën dhe për shkollën shqipe. Gjatë gjithë këtyre viteve janë festuar rregullisht Festat e Nëntorit dhe Dita e Pavarësisë së Kosovës

Janë organizuar piknikë të përvitshëm e aktivitete me më të rinjtë e komunitetit. Luhet futboll në fundjavë e gratë festojnë si 8 marsin ashtu edhe ditën e nënës kanadeze. Nxënësit e shkollës japin dy shfaqje të përvitshme.

Flasshqip: Ç’mendoni mbi zhvillimet e fundit në lidhje me raportet që synohen të krijohen mes shtetit shqiptar dhe diasporës bazuar në ligjin “Për Diasporën”?

Mira Shehu: Mendoj se informacioni është i rëndësishëm. Për këtë, institucionalizimi i këtyre marrëdhënieve do të ndihmonte. Nëse ka një institucion në Shqipëri, mirë do të ishte të kishte një përfaqësi edhe në vende të ndryshme në mënyrë që të mbahen gjallë kontaktet. Ose një Website ku gjithkush nga emigrantët të ketë mundësi të pyesë e të promovojë aktivite të ndryshme e suksese të emigrantëve në vendet e emigrimit. Nëse krijohet një Website, është e nevojshme që ai të funksionojë në mënyrë profesionale e të ketë persona përgjegjës, të cilët të jenë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve, por edhe të shqyrtojnë informacionet e marra. Qeveria shqiptare mund të ndihmojë duke ndërhyrë e biseduar me qeveritë e vendeve të tjera për probleme të ligjeve të pensioneve, bashkimeve familiare, studimeve, turizmit, bizneseve etj. Një fushë e shpejtë e zhvillimit të marrëdhënieve dhe për ruajtjen e tyre janë arti e sporti. Shkëmbimet e ndërsjella të artit (të gjitha llojet, figurativ, muzikor, letrar), sportit, pjesëmarrja në ngjarje të mëdha të përvitshme e grupeve nga Shqipëria në Kanada e vende të tjera do ta bënin të njohur vendin tonë e do të rritnin krenarinë e emigrantëve dhe motivimin e brezit të ri për të ruajtur gjuhën e kulturën amëtare në emigracion.

Flasshqip: Çfarë keni parasysh me këtë?

Mira Shehu: Për shembull këtu është një ekspozitë: World Peace Pavillion dhe ka gurë (rocks) nga vende të ndryshme, madje edhe nga muri i Berlinit, por jo nga Shqipëria. Po ashtu çdo vit organizohet show më i madh në botë i sallave të mbyllura (indoors) që quhet Tattoo (nuk ka të bëjë me tatuazhet, mund ta gjeni në Google për më tepër informacion). Çdo vit vijnë ekipe nga vende të ndryshme, mund të vinin nga Shqipëria e më tepër kanadezë do të mësonin për ne. Po ashtu njohja e promovimi në Shqipëri i shqiptarëve të suksesshëm këtu.  

Dhe më e rëndësishmja përkrahja për shkollat shqipe në diasporë. Psh. unë shkoj në Shqipëri me pushime, do të doja të kisha dikë të zyrtarizuar në institucion qeveritar që të bisedoja për shkollën shqipe këtu, të bëja pyetje e të merrja përgjigje, si psh. të merrja programet e librat e rinj e të standardit zyrtar. Unë tani aktualisht shkoj në librari e blej libra sipas mendjes sime dhe kjo nuk më pëlqen, por nuk kam zgjidhje tjetër. Do të doja të kisha mundësi të shkoja në një shkollë, por ama e zyrtarizuar jo duke u përpjekur të gjej të njohur etj.

Gjatë bisedës së Flasshqip me znj Mira Shehu u diskutua edhe mbi sfidat që e shoqërojnë emigracioni si dhe disa ide se çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e identitetit shqiptar në emigracion si dhe për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare

Znj Shehu rendit ndër sfidat më kryesore për emigrantët shqiptarë, qoftë edhe për një pjesë të tyre, çështjet e integrimit në mjedisin e shoqërinë e re, punësimin në profesion, njehsimin e kualifikimeve, mardhëniet familjare dhe midis brezave. Gjithashtu ajo thekson temat e trajtimit të fëmijëve në vende publike, bashkëpunimin me institucionet arsimore e aktivitete jashtë shkollore të fëmijëve, gjetjen e balancës midis të qënurit prind në vendin tonë e në Kanada. Sipas saj, përfitimi i eksperiencës kanadeze ka vështirësitë e veta. Gjuha, rregullat e ligjet e funksionimit të shoqërisë kanadaze, respektimi pa paragjykime i qytetarëve të prejardhjeve të ndryshme, feve e orientimeve seksuale. Vlerat multikulturore në shoqërinë kanadeze, respekti për të gjithë pavarësisht nga mosha, prejardhja, niveli arsimor, etj, etika profesionale e shoqërore.

***

Lidhur me idetë se çfarë mund të bëhet më shumë për ruajtjen e identitetit shqiptar në emigracion si dhe për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare për ta bërë atë më të prekshme për shoqërinë kanadeze, znj. Mira na renditi 4 shtylla të rëndësishme.

  1. Mundësitë e studimeve në universitetet kanadeze;
  2. Shkëmbimet mes pedagogëve të të dy palëve;
  3. Mundësitë e aplikimeve dhe njohja me jetën, disa aspekte institucionale të jetës kanadaze përpara emigrimit;
  4. Punësime sezonale.

Edhe Znj. Mira Shehu, si edhe kandidatët e tjerë të pasqyruar në Flasshqip, sjell ide nisur nga përvojat e saja profesionale e jetësore. Duket qartë motivimi i lartë për të qenë aktive e për të kontribuar me vlerat që mbart.

I urojmë zysh Mira Shehut suksese!

@Flasshqip.ca