Ajdin Kozmaqi: Intelektualët e rinj duhet të marrin timonin e shoqatave

Intervistoi: Taulant Dedja
Kemi shkruar më parë në FlasShqip për shqiptarët e qytetit Regina në provincën Saskatchewan. Për shoqatën e tyre dhe aktivitetet që zhvillohen atje. Një tablo më e plotë rreth tyre do të ishte fort e mangët nëse nuk do të përmendej emri dhe kontributi i Ajdin Kozmaqit, me të cilin zgjodhëm të bisedojmë kësaj here. Ajdini i lindur dhe rritur në Kosovë në një familje intelektuale, diplomuar në mjekësi në Universitetin e Prishtinës, ka qënë ndër 24 familjet e para që janë vendosur në Regina për shkak të luftës në Kosovë.
I përkorë dhe i kujdesshëm në fjalët që zgjedh në bisedë, ai e konsideron veten me fat për kohën kur lindi dhe u burrërua, epokën e ndryshimeve dhe lëvizjeve të mëdha progresive për kombin shqiptar në përgjithësi.
Si e kujtoni sot periudhën e viteve ’90 në Kosovë?
Ajdin Kozmaqi: Fillimi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi, për të cilën ne shqiptarët konsideroheshim si një antigjen (trup i huaj) në një organizëm falso çfarë ishte vet Jugosllavia, solli raprezalje, segregacion të paparë dhe terror të pafund. Intelektualët e kohës u ngritën dhe vendosën që t’i kundërvihen këtij diskriminimi. Isha shumë i ri atëbotë, shpresoja se përgatitjen time profesionale do ta vija në shërbim të popullit. Edhe unë si shumë e shumë intelektualë të tjerë iu bashkangjita atëherë lëvizjes gjithë popullore, “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Ushtrova detyrën e kryetarit të një nëndege dhe u angazhova deri në atomin e fundit të energjisë sime në sigurimin e fondeve për mbarëvajtjen e procesit.
FlasShqip: Po si mjek, çfarë do të veçonit nga angazhimet tuaja në atë kohë?
Ajdin Kozmaqi: Vlen të përmendet inisiativa dhe angazhimi im së bashku me të ndjerin Dr. Gani Demollin (drejtor i Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”) për hapjen e klinikës mjekësore në fshatin Mazgit. Në këtë qendër me vite të tëra kemi ofruar shërbime mjekësore falas për popullatën e stërvuajtur.
Ju keni spikatur edhe në fushën e futbollit. Sa e vështirë ka qenë të mbaje gjallë edhe sportin në atë kohë?
Ajdin Kozmaqi: Ngaqë ishim shqiptarë nuk lejoheshim që të luanim në stadiumet tona të futbollit. Edhe futbollin dhe sported e tjera i mbajtëm gjallë, duke organizuar me vetmohim të pashoq kampionate paralele. Kam luajtur në Ligën e Parë, ca kohë për FC Prishtina ku dhe pësova një lëndim, bëra një pauzë dhe u riktheva në Ligën e dytë. Luajta për një sezon dhe u shpalla realizatori më i mirë.
Me daljen në skenë të UÇK-së, ju varët në qafë pushkën apo stetoskopin?
Ajdin Kozmaqi: Vitet rridhnin dhe status-quo-ja në Kosovë u vu si një re e zezë mbi ne, asgjë nuk ndryshonte, dhuna vinte dhe shtohej, liria e shumë pritur nuk vinte dot me rezistencë paqësore. Doli në skenë UÇK-ja, filloi dhe lufta çlirimtare. Nuk e mora pushkën në duar, jo se u frikësova, por profesioni më obligonte që të kujdesesha për shëndetin e mijëra “refugjatëve” në vendin e tyre. Popullata civile vazhdimisht zhvendosej në zona më të “sigurta”, dhe unë isha gjithmonë me ta. Kishim shumë fëmijë dhe të moshuar të sëmurë, shumë nuse shtatëzënë. Së bashku me Dr. Haki Jasharin kemi ndihmuar nënat e reja në aktin më të rëndësishëm në këtë botë, lindjen e jetëve të reja. Të qarat e fëmijëve të posalindur, ata filiza të rinj na bënin edhe më të fortë. Edhe pse Kosova digjej flakë në çdo cep, prapë shqipet e reja lindnin.

A ka patur ndonjë rast ku jeni ndjerë në vështirësi? Cili ka qenë momenti më i rëndë për ju?
Ajdin Kozmaqi: Momenti më i rëndë në jetën time ishte ai moment kur policia dhe paramilitarët serbë na detyruan që të lëshojmë vendlindjen. U deportuam me dhunë për në Maqedoni. Aty qëndruam për 2 javë dhe nga aty emigruam në Kanada. Fillimisht u vendosëm së bashku me vajzën, gruan, nënën, babain dhe vëllain me familjen e tij në një bazë ushtarake në New Brunswick, afër Fredricton-it. Aty qëndruam për dy muaj dhe më pas Zyra e Emigracionit Kanadez na transferoi për në Regina. Pra, zgjidhja nuk ishte e jona.

Me zhvendosjen në Kanada, filluat një jetë të re. Çfarë bëtë fillimisht për t’u përshtatur me ndryshimin?
Ajdin Kozmaqi: Po, filloi një etapë e re në jetën time. Gjuhën angleze e zotëroja mirë dhe nuk prita shumë dhe aplikova që të evaluoj diplomën në lëmin e mjekësisë. Kalova me sukses njërin nga tre provimet e nevojshme për të marrë liçencën e ushtrimit të profesionit. Por fati deshi që jeta të shprehë ashpërsinë e saj mbi supet e mia. Babai u kthye në Kosovë që të ndihmonte kolegët e tij që të ristartonin dhe të rindërtonin sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ai ishte një nga ekspertët më të mirë për çështjet penale. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe u sëmur nga kanceri renal. Isha vazhdimisht me babain dhe humbja e tij më goditi shumë. Brenda një periudhe pesë-vjeçare humba edhe vëllain dhe mbesën si dhe djalin dhe vajzën e motrës në aksidente të ndara komunikacioni. U ktheva në Kanada i dërrmuar dhe me zemër të bërë varr. Tani kam një pozicion menaxherial në industrinë ushqimore. Jetoj me gruan Shqipen, dy vajzat Aurelën dhe Kaltrinën, që të dyja studente në Universitet. Aurela në vitin e tretë për psikologji dhe Kaltrina në vitin e parë për shkenca mjekësore si dhe djalin Artin student i klasës së dhjetë.

Krahas punës dhe familjes, një vend me rëndësi në jetën tuaj ka edhe shoqëria dhe komuniteti. Ç’mund të na thoni për organizimet sociale komunitare dhe shoqatën nē Regina ku ju keni qenë edhe drejtues i saj?
Ajdin Kozmaqi: Qysh në vitin 2013 së bashku me disa bashkëkombas (Xhelil Neziri, Arben Balliu, Spiro Prifti, Spartak Laçka) morëm inisiativën që të formojmë shoqatën e parë shqiptare në Saskatchewan. Formuam embrionin e shoqatës mirëpo nuk arritëm që ta legalizojmë. Në vjeshtën e 2015-tës me inisiativën e bashkëkombasve: Erjon Brinja, Xhelil Neziri, Elhame Morina, Pirros Kulira, Spiro Prifti, Endri Domi, Arben Elshani, Lejdi Ago përfundimisht mbajtëm zgjedhjet e lira dhe me votim unanim zgjidhem kryetar i Shoqatës. Isha shumë i nderuar dhe ende ndihem shumë i nderuar që pata rastin që për dy vite e gjysëm t’u shërbeja bashkëkombasve të mi të mrekullueshëm.

Gjatë kësaj periudhe kohore arritëm që të hapim klasën e mësimit plotësues për Gjuhën Shqipe. Krijuam dy klube futbolli dhe organizuam shumë e shumë tubime socializuese dhe tubime festive për nder të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Jam shumë i lumtur që fëmijët tanë në Regina mësojnë shqip, shqiptarët e Reginës flasin dhe frymojnë shqip. Jemi më unik se kurrë më parë. Falenderoj Ambasadën e Kosovës në Ottawa, posaçërisht zonjën Blerta Ademi për ndihmën me tekste shkollore për mbarëvajtjen e proçesit mësimor për Gjuhën Shqipe. Falenderoj gjithashtu mësueset e palodhshme: Makfire Terziu-Neziri, Sidorelë Metolli, Dritë Elshani dhe Shqipe Kozmaqi.
Ju keni qenë një drejtues i suksesshëm. Pse nuk kandiduat përsëri?
Ajdin Kozmaqi: Shoqata jonë është në duar të sigurta dhe të shëndosha. Patëm obligim statutor që në muajin Maj të mbajmë zgjedhjet e lira. Nuk u rikandidova me të vetmin qëllim që energji të reja dhe intelektualë të rinj ta marrin timonin. Shoqata është rifreskuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Shumë i nderuari kryetari Lejdi Ago dhe kryesia e Shoqatës do ta gëzojnë përkrahjen time deri nē frymëmarrjen time të fundit.
Për t’u vlerësuar mënyra juaj e të menduarit Ajdin. Po lidhur me politikën shqiptare të viteve të fundit, ke ndonjë opinion?
Ajdin Kozmaqi: Sa i përket zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në Kosovë nuk kam se çfarë të them më shumë, vetëm se shpresoj që një ditë do të vijë momenti që personat e duhur ta udhëheqin shtetin. Shpresoj që një ditë edhe ne të kemi Qeveri të pa korruptuara.
Faleminderit për kohën dhe historitë e jetës tuaj që vendosët t’i ndani me ne.
©FlasShqip












