Profil & Intervista

Edison Heba, avokati shqiptar në Vancouver

Intervistoi: Taulant DEDJA

Edison Heba nga Durrësi, ishte një emër i njohur i jurisprudencës shqiptare gjatë viteve 1991-1997. Me një karrierë të spikatur në fushën penale e administrative në Shqipëri, që nga Prokuroria e Përgjithshme e deri tek avokatia, falë aftësive dhe vullnetit tashmë ai e ka arritur suksesin edhe në Kanada, ku ka imigruar prej shumë vitesh. Portalit Flasshqip, nuk mund t’i mungonte një intervistë me avokat Hebën, i cili sëbashku me familjen jeton në Vancouver ku ushtron dhe profesionin e tij. 

Siç thonë shpesh shqiptarët, ishit mirë e bukur në Shqipëri, ishit prokuror, më pas avokat, domethënë kishit karrierë, ekonomi të mirë, pra çfarë ju motivoi të emigronit?

Në radhë të parë, falenderoj Flashqip.ca për rastin që më jepet për të folur në lidhje me eksperiencën time personale si emigrant që ndoshta është e ngjashme me përvojën e shumë bashkatdhetarëve të tjerë që u larguan nga atdheu “ku të duket balta më ëmbël se mjalta” nëse mund të huazoj këto vargje klasike të pavdekshme të poetit dhe juristit Andon Zako Çajupi. Jam i sigurtë që shumë emigrantë, në një rrethanë apo tjetër janë përballur shpesh herë me pyetjen tuaj në lidhje me arsyen e emigrimit jashtë atdheut.

Unë mendoj që vitet 1990 ishin vite kyçe, jo vetëm për Shqipërinë por dhe në shkallë botërore, pasi i dhanë një shtytje të re demokracisë perëndimore duke krijuar mundësinë që ajo të përhapej në shumë vende ish-komuniste. Rrëzimi i Murit të Berlinit, riunifikimi i Gjermanisë, forcimi i paktit të NATO-s, shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik dhe krijimi i Bashkimit Evropian janë fenomene gjigande që shkaktuan një uragan politik, jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Evropën dhe më gjerë. 

Personalisht, pas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1986, unë pata privilegjin të punoj në fushën juridike për 12 vjet para se të emigroja në Kanada. Gjatë punës sime si prokuror në nivele të ndryshme të juridiksionit gjyqësor ndërmjet viteve 1991 dhe 1997, pata privilegjin të punoj me një numër kolegësh me shumë përvojë në fushën e procedimit gjyqësor, penal dhe administrativ. Në mënyrë të veçantë, kujtoj vitet 1993-1997 kur punoja në Drejtorinë e Studimeve dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku pata mundësinë së bashku me kolegët e mi të kontribuonim në fushën e reformimit të legjislacionit shqiptar dhe të institucioneve të drejtësisë. Shkurtimisht mund të përmend angazhimin tim me grupet e punës për rishkruarjen e Kodit Penal, Ligjit për Shkollën e Magjistraturës, Ligjit për Organizimin Gjyqësor, etj.

Pas gjithë këtyre angazhimeve e arritjeve profesionale si u gjendët në Kanada?

Pasi përfundova studimet pasuniversitare në “The Dickinson School of Law” në Pennsylvania në vitin 1997, në Shqipëri sapo kishte filluar avokatia private. Gjatë punës sime në Boga&Associates, pata mundësinë të punoj me një numër klientësh në fusha të ndryshme të ligjit. Unë u apasionava me punën e avokatit pasi fokusi kryesor ishte për të ndihmuar klientelën për të zgjidhur mosmarrëveshjet e ndryshme. Po kështu, gjatë studimeve në Pennsylvania ku u takova me avokatë të ndryshëm u bëra i ndërgjegjshëm që profesioni i avokatit nuk njeh kufij dhe unë mund të krijoja zyrën time avokatore kudo në botë. Kjo qe një nga arsyet kryesore që unë vendosa të vij në Kanada ku tashmë unë kam rreth 14 vjet që kam hapur zyrën time avokatore në British Columbia.

Besoj se nuk e gjetët të shtruar me tapet të kuq rrugën në British Columbia, patët vështirësi?

Stabilizimi në vendin e ri nuk ishte i thjeshtë dhe pa probleme. Muajt dhe vitet e para ishin të vështira për të gjithë anëtarët e familjes, për bashkëshorten time, e cila gjithmonë më ka mbështetur pa kursim, por sidomos për fëmijët që ishin në moshë të re dhe lanë prapa shokët e fëmijërisë dhe erdhën në një vend të ri, me kulturë, gjuhë, zakone, dhe histori tjetër. Por fati ynë ishte që kishim dhe anëtarë të tjerë të familjes sonë që kishin emigruar në të njëtën zonë përpara nesh. Me kalimin e kohës, u lidhëm më shumë persona të tjera të diasporës lokale dhe u stabilizuam.

Me çfarë punësh u morët së pari?

Fillimisht punova për një Agjenci për Emigrantët e rinj, ku pata kënaqësinë të kem kontakt me refugjatët nga Kosova. Kjo më dha mundësinë të takohem me shumë shqiptarë nga Kosova të cilin kishin përjetuar situatë tragjike për shkak të luftës së viteve 1998-1999. Më shqetësonte fakti që ata nuk kishin mundesinë të komunikonin me lehtësi në zyrat shtetërore apo nëpër shkollat ku mësonin fëmijët kur nuk kishte përkthyes. Për këtë arsye në mënyrë vullnetare bashkëpunova me Këshillin e Shkollave në Burnaby dhe Ministrinë e Zhvillimit të Familjes dhe Fëmijëve si dhe përktheva Manualin Orientues të Pranimit të Studentëve në Shkollë, i cili ish botuar në pesë gjuhë të tjera, por jo në Shqip.

Ju sot jeni avokat i suksesshëm në Vancouver. Si arritët të bëheshit sërish jurist kur e dimë që diploma shqiptare që kishit nuk ju njihej?

Po, vërtet, meqënëse diploma juridike që kisha nuk njehsohej me diplomën lokale, unë mbarova për herë të dytë studimet në Drejtësi në UBC Faculty of Law në Vancouver në vitin 2003. Të them të drejtën për mua nuk ishte kollaj të kthehesha në shkollë në moshën 36-vjeçare. Gjithsesi ndjehem shumë i privilegjuar që mu dha mundësia të studioja në këtë universitet që konsiderohet si Qendër Globale për Studim dhe Kërkim Shkencor dhe që renditet si një nga 20 Universitetet më të mira në Amerikën e Veriut.

Më tregoni pak më konkretisht për arritjet profesionale dhe punën aktuale…

Siç përmenda më parë, unë kam rreth 12 vjet që kam hapur zyrën time avokatore, dhe merrem kryesisht me çështje gjyqësore ku fokusi kryesor i punës është që të jap opinionin tim juridik dhe të përfaqësoj klientin në seanca gjyqësore në gjykata të gjithë niveleve. Siç e keni parasysh dhe vetë, çdo avokat ndjehet krenar kur me ndershmëri dhe me integritet profesional bën ç’është e mundur që të ndihmojë klientin brenda normave ligjore, për të realizuar të drejta dhe detyrime që parashikohen në legjislacionin përkatës. Sundimi i ligjit dhe procesi i paanshëm janë dy gurë themeltarë të procesit demokratik dhe si avokat mendoj që puna jonë është një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim.

Po në politikën kanadeze a keni kohë të përfshiheni?

Rutina e përditshme e praktikës avokatore në gjykatë kërkon një nivel të lartë angazhimi ditor duke filluar nga takimet me klientët, paraqitjet e vazhdueshme në dhoma gjyqësore, angazhimi në seanca gjyqësore si dhe administrimi i vazhdueshëm i dosjeve në zyrë, gjë që lë shumë pak kohë për angazhim në jetën politike. Për këto arsye, do të thoja që angazhimi im në jetën politike është tepër minimal.

Cekët më lart vullnetarizmin tuaj për problemet e përditshme të emigrantëve nga Kosova në vitet e para. Sa i angazhuar je me komunitetin shqiptar në British Columbia?

Unë gjithmonë kam menduar që ky angazhim është tepër i rëndësishëm dhe shumë prej nesh kanë patur fatin t’i shërbejnë komunitetit shqiptar apo taksapaguesit shqiptarë nëpërmjet punëve që kemi bërë ose nëpërmjet shkollave që kemi kryer. Shoqëria civile nuk mund të funksionojë në mënyrë normale në rast se njerëzit nuk kanë sensin e përkatësisë komunitare dhe nuk tregojnë kujdes për anëtarët e komunitetit. Demokracitë Perëndimore janë një shembull shumë pozitiv në këtë drejtim ku organizma të ndryshëm si organizatat jo-qeveritare, grupet e bamirësisë, apo shumë entitete të tjera shoqërore vullnetare, japin ndihmën e tyre për të zgjidhur problemet që Qeveria nuk mund t’i zgjidhë për një arsye ose tjetër. Për këtë arsye, unë kam marrë pjesë me shumë pasion së bashku me shumë kolegë të tjerë në krijimin e Shoqatës Shqiptare të British Columbia-s dhe vazhdimisht kemi organizuar aktivitete me diasporën lokale. Dua ta theksoj me GËRMA TË MËDHA, që suksesi më i madh që ne kemi patur si Shoqatë është fakti që numri i vullnetarëve që ndihmojnë në realizimin e këtyre aktiviteteve është rritur në mënyrë të dukshme. Kjo është gjëja më pozitive që personalisht kam konstatuar. Për shembull, në festën tradicionale të flamurit, tashmë ka vullnetarë për çdo gjë, dekori, skena, organizimi, pritja e përcjellja e pjesëmarrësve, etj. Shoqata jonë që në fillim ka patur mendimin që po të krijojmë një model shoqate ku struktura funksionon si makinë ku secili ka rolin e vet, atëherë është shumë kollaj që çdo katër vjet të ndërrohet shoferi, në rast se mund ta përdor këtë analogji. Kjo gjë do bëjë të mundur trashëgimin e eksperiencës tek brezat e ardhshëm. 

Cilat janë, sipas jush, “hallet” më të mëdha të shqiptarëve të Kanadasë?

Kam mendimin që shqiptarët janë njerëz shumë vitalë, energjikë dhe të aftë që të gjejnë forma për t’u përshtatur dhe për t’u integruar me të renë. Në rast se me lejohet të tregoj një histori të shkurtër kur isha i angazhuar si prind vullnetar në shkollën e fëmijëve të mi, zonja që drejtonte Zyrën e Koordinimit të Komunitetit më pyeti se “si ka mundësi që ka kaq shumë familje shqiptare të reja në këtë shkollë dhe asnjë prind nuk ka kërkuar ndihmë për libra ose gjëra të tjera falas?” Kjo pyetje më bëri shumë përshtypje, por personalisht mendoj se shumë anëtarë të diasporës kanë qenë të suksesshëm në Kanada duke krijuar biznesin e tyre ose duke ndihmuar njeri-tjetrin për të gjetur punë.  Patjetër që ka probleme, vështirësi dhe halle dhe disa gjëra nuk janë ashtu siç duken nga jashtë. Realiteti është që aktivitetet tona si Shoqatë kanë si pikësynim që të festojmë ushqimin, kulturën, traditat, dhe historinë tone, por dhe të mësojmë gjërat shumë pozitive nga kultura e popullit paqedashës të Kanadasë.

Si e perceptoni të ardhmen e komunitetit shqiptar në Kanada?

Kjo është një pyetje e vështirë pasi megjithë përpjekjet që bëjmë për të ruajtur gjuhën Shqipe dhe për të organizuar aktivitete për diasporën, kam përshtypjen se duhen gjetur mënyra më efektive për angazhimin e të rinjve. Megjithatë, ne kemi vënë re se dëshira për të marrë pjesë në aktivitetet tona është e madhe duke përfshirë këtu deri në një farë mase edhe të rinjtë që tregojnë interes për muzikën dhe vallet tradicionale shqiptare.

A i ruan Edison Heba marrëdhëniet me Shqipërinë?

Kuptohet që malli për Shqipërinë është i madh. Në 2016 pati rastin të shkoj në Shqipëri për të marrë pjesë në 20-vjetorin e diplomimit në Drejtësi. Ishte kënaqësi që u takova me shokë të klasës shumë nga të cilët kanë arritur suksese në punët e tyre. Po kështu u takova me shumë ish-kolegë juristë si dhe mora pjesë në një konferencë juridike në Shkollën e Magjistraturës. Kjo gjë ishte kënaqësi e veçantë për mua dhe vura re që kishte shumë interes për dialog e për të diskutuar problemet e vështira me të cilat po ballafaqohen institucionet e drejtësisë shqiptare në këto momente.

Avokat ju falenderojmë për kohën që ndatë me FlasShqip.ca !

Tagged under Edison Heba