Profil & Intervista

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Ilioena Sofroni, Ottawa

Jeta Dedja

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze të përzgjedhur nga kryeredaktorja e FlasShqip, Jeta Dedja.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Ilioena Sofroni, studente në programin Master për Kriminologji dhe Shkencat Feministe dhe Gjinore, Universiteti i Ottawa.

1. Nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

Zakonisht ndihem gjithmonë një ngjyrë blu e thellë, e ngjashme me atë të detit Jon dhe Adriatik. Për mua është një ngjyrë me shumë kuptime dhe emocione, por gjithmonë në sytë e mi ka karakterizuar qetësi dhe paqe.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Të them të drejtën më frikëson kur e mendoj se sa shpejt kanë ikur 10 vjet. Më duket sikur vetëm dje isha 12 vjeç, në klasë të 8-të duke menduar për provimet e lirimit. Ishin kohë më të qeta, ku fëmijëria merrte përparësi, nuk kishte arsye për të menduar për gjëra “të rriturish”. Por, di të them se aq shpejt sa kanë ikur, aq dhe të ngadalëta më janë dukur. Ka raste kur ulem me mamin dhe kujtojmë vitet e shkuara dhe në atë moment përplasem me faktin që kanë ikur fluturim, dhe të zë një frikë se mbase nuk i ke shijuar si duhet dhe në tërësinë e tyre.

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Zgjedhja me koston më të lartë ka qenë kthimi në Kanada për të vazhduar universitetin dhe për të jetuar këtu, sepse sado që e merr si vendim, prapë se prapë lë diçka mbrapa. Për mua janë gjyshërit e mi, dy tezet dhe dy kushërinjtë. Ndonjëherë distanca bëhet e tepërt. Të merr malli për njerëzit, vendin ku je rritur, ato rehatitë e vogla që i gjen vetëm në vendlindje. Por nuk është diçka për të cilën jam bërë pishman, sepse e di që në të ardhmen kjo do më vlejë tepër.

4. Humbja më e vogël?

Të them të drejtën nuk i shoh gjërat në përgjithësi me perspektivën e humbjes sepse mendoj që edhe në atë moment ka diçka të vlefshme të cilën mund të mësosh prej saj. Pra, në sytë e mi nuk ka humbje, ka vetëm arritje dhe mësime prej gjërave të cilat nuk i arrijmë me të parën.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Gjëja e fundit e cila më ka trazuar gjumin ka qenë marrja e notave të provimeve finale të vitit të fundit në universitet. Ishte ashtu siç më thotë gjithmonë mami, “kilometri i fundit”. Dëshiroja që të dilja sa më mirë sepse lidhej direkt me marrjen e masterit, që është hapi i dytë pas diplomimit. Dhe sigurisht, si çdo student me ambicie doja të dilja me rezultate të larta, dhe kjo ka tendencë të më lerë pa gjumë natën.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Të qenurit pishman për ndonj vendim, sado i vogël qoftë ai. Pyetja “po sikur” të ndjek për vite me rradhë dhe për mendimin tim ka gjithashtu një tendencë të të bëjë cinik ndonjëherë, sidomos kur thua, “po sikur të kisha bërë këtë” ose “pse e mora këtë vendim”. Prandaj provoj gjithmonë më të mirën time që çfarëdo vendimi të marr të jem e kënaqur dhe e sigurt. Kështu që të them të drejtën dhe në jetën reale bëj çmos që t'i arratisem kësaj ndjesie.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mërzia e lejon njeriun të shfryhet dhe është e dobishme sepse e lejon njeriun të rritet emocionalisht, dhe deri diku psikologjikisht. Mërzia e lejon njeriun të krijojë konceptin dhe ndjesinë e empatisë dhe i jep mundësi që të dijë se si të ndihmojë dhe të tjerët kur gjenden në të njëjtën situatë. Mërzia e lejon njeriun ta njohë veten më mirë, sidomos kur merr kohën të kuptosh pse je mërzitur dhe çfarë të shkaktoi mërzi. Zakonisht mërzia ka një pikëpamje disi të keqe dhe të trishtë, por për mua ke mundësi të mësosh nga gjithçka dhe ta përdorësh atë që mësove në avantazhin tënd.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Stimulantët më të fortë për mua janë dy, dashuria që kanë për mua mami dhe gjyshërit, por edhe dashuria ime për veten time. E di që kjo e fundit mund të duket pak egoiste, por në sytë e mi nuk është. Kjo për arsyen sepse njeriu ka nevojë ta dojë veten, të kuptojë arritjet e vetes dhe se sa ka kaluar në jetën e tij ose të saj për të qenë aty ku është. Më stimulon sepse më tregon se sa e fortë dhe e aftë jam, edhe sikur të gjendem në mërzi apo në momente të ulëta emocionale.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Për t’u ndjerë në formë të mirë fizike ushtrohem në shtëpi dhe pastaj dal për ecje të gjata me mamin. Janë shumë terapeutike edhe për anën shpirtërore. Por për t’u ndjerë në formë nga ana shpirtërore gjithmonë dëgjoj muzikë. Kjo më lejon që t’i jap vetes një moment, të kuptoj se si ndihem dhe pse ndihem në atë mënyrë dhe të njoh veten time më mirë. Si njerëz ne rritemi dhe ndryshojmë pa e kuptuar, prandaj është e rëndësishme për mua që të kem mundësi të rri vetëm, të dëgjoj muzikë, dhe ta njoh e ta kuptoj veten time.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

E vërteta ështe se shpesh e kam durimin shumë të shkurtër, por gjithmonë mendoj që në fund të fundit i duruari i fituari, dhe e shtyj veten për më tej. Nëse ajo nuk funksionon, flas gjithmonë me mamin ose gjyshërit. Ata dinë më mirë dhe kanë gjithmonë një mënyrë për të më ndihmuar e për të më qetësuar.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Njerëzit e mençur janë të thjeshtë. Nuk kanë nevojë ta tregojnë medoemos që kanë mençuri dhe dinë shumë. Përkundrazi, kuptohen në mënyrën se si sillen, se si flasin, temat për të cilat flasin, dhe në faktin se nuk kanë frikë të thellohen në mendimet dhe emocionet e tyre. Nuk kanë frikë t'i japin zë vetvetes, sepse mençuria duhet ndarë me të tjerët.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Jam njeri që mund të flas për çdo gjë, adaptohem lehtë. Edhe miqtë i gjej të atillë, nuk ka rëndësi a janë moshatarë apo jo, rëndësi ka substanca që kanë përbrenda, dhe preferoj bisedat e thella, të cilat të bëjnë të mendosh, të detyrojnë të konfrontosh emocionet dhe idetë e tua, biseda të cilat të bëjnë deri diku të parehatuar, sepse në ato momente ti mëson prej tyre.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Dikush që është i vetëpërfshirë dhe nuk do t'ia dijë aspak për mirëqenien e të tjerëve që e rrethojnë dhe që kanë sakrifikuar për të. Dikush që përdor miqtë dhe familjarët dhe nuk e ka problem t'i shkelë me këmbë për të arritur dhe përfituar atë që do dhe të përmbushë dëshirat e veta. Dikush që në tërësinë e vet më krijon ndjesi parehatie dhe është kaq negativ sa nuk ke asnjë dëshirë ta kesh rrotull sepse të merr të gjithë energjinë pozitive vetjake. Së fundmi, të gjitha këto janë fjalë dhe mbiemra për të përcaktuar dhe përshkruar një "mik" të padëshiruar. Në të vërtetë as nuk duhet përdorur fjala mik, pasi ka shumë peshë si fjalë në shqip. Por, përtej të gjithave, profili i “mikut” të padëshiruar bazohet në ndjesinë e gjashtë dhe se çfarë më tregon instikti së brendshmi.

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Mendimi im i parë është: "pse duhet të ketë një formulë të jesh njeri i mirë?". Të jesh njeri i mirë dhe të sillesh mirë nuk kushton asgjë. Është shumë e thjeshtë. Njeriu i mirë është ai që do të bëjë mirë, të flasë mirë, që dëshiron të mësojë sa më shumë për çdo gjë, që ndihmon të tjerët, por gjithashtu di se si t'i vërë kufi çdokujt dhe të thotë mjaft. Të jesh njeri i mirë për mua do të thotë së pari të respektosh veten tënde dhe vendosja e kufijve është shprehje e saj. Kjo nuk duhet keqkuptuar. Do të thotë që unë dua të bëj mirë dhe mbi të gjitha të shoh vetëm të mira.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Për mua është kur refuzon të kuptosh mendimin apo perspektivën e dikujt tjetër. Kur refuzon të mësosh nga të tjerët dhe refuzon të kërkosh falje kur ke bërë një gabim, sado i madh apo i vogël.

16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Është momentale. Zemërimi është momental. Në një të ardhme të afërt nuk do ketë më rëndësi sepse ka gjëra të tjera të cilat marrin përparësi. Jepi vetes një moment të jesh i/e zemëruar, ta kuptosh e të arsyetosh pse, pastaj lëviz sepse nuk ia vlen të vazhdosh zemërimin. Zemërimi i tepërt të ha përbrenda dhe më vonë do të kemi pengje.

17. Pishmani më i madh në jetë?

Siç u shpreha edhe më parë bëj çmos të mos kem pishmane pasi është diçka që nuk më pëlqen, prandaj më vjen mirë të them që nuk kam ndonjë peng deri më sot, dhe shpresoj shumë të mos e gjej ndonjëherë veten në atë situatë.

18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur jam e frustruar me diçka, që e di që kam dhënë maksimalen time, kam provuar gjëra nga më të ndryshmet dhe nuk ecën. Në atë moment më vjen për të sharë dhe ka raste kur e bëj.

19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe dhe një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Një shprehje të urtë që stërgjyshja nga ana e babait të mamit ka pas thënë, të cilën ma thonë dhe mua është që "kismeti dhe yzmeti shkojnë bashkë". Pra, nëse ia bën yzmetin diçkaje dorëpërdorë me të shkon dhe kismeti, dhe ia bën mbarë vetes që të të ecë mirë. Po ashtu një fjalë e veçantë në shqip për mua është fjala “mall”. Diçka e atillë nuk ekziston në anglisht sepse duhet ta shpjegosh sesi ndihesh me më shumë se një fjalë të vetme. Por në shqip është kaq e thjeshtë, ke mall për diçka apo dikë, dhe është një ndjesi shumë e vetëkënaqëshme dhe plotësuese kur e ke mundësinë për t'i vënë emrin asaj që ti ndjen, dhe kam verejtur se këtë mund ta bësh lehtësisht në shqip por jo në anglisht.

20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Shtëpia e nënës dhe e gjyshit nga ana e mamit. Është shtëpia ku kam lindur, jam rritur, ku dashuria mbush çdo cep të shtëpisë, ku e di që çfarëdo lloj gjëje të ndodhë jashtë mureve të saj, aty me ata njerëz jam gjithmonë e qetë dhe e sigurt.

21. Po libri i fundit që ke lexuar?

Ka qenë një libër në anglisht për një nga lëndët e mia në universitet e cila është e bazuar mbi historitë Indigjene dhe mësimdhëniet e tyre mbi natyrën, bimët, kafshët, lulet, frutat e perimet, se si Gruaja e Qiellit (SkyWoman) ishte e ardhur sikur ne në këtë vend, por nuk e cënoi atë, përkundrazi, i fali dashuri dhe përkujdesje. Libri quhet "Braiding Sweetgrass" nga Robin Wall Kimmerer. Sweetgrass si bimë nuk ekziston në Ballkan, ështe vendase e Amerikës së Veriut prandaj nuk e ka një emër në shqip dhe është bimë e shenjtë për Indigjenet. Fjalia ime e preferuar nga libri thotë: “Gjej aromën e vaniljes së ëmbël thurur me atë të lumit dhe dheut të lagësht, e atë moment ti kupton emrin e saj shkencor Hierochole odorata, që do të thotë bimë e bekuar erëmirë. Në gjuhën Indigjene quhet wiingaashk, flokët aromëëmbël të Nënës Natyre. Merri erë asaj dhe nis të risjellësh kujtime të cilat ti nuk i dije qe i kishe harruar.” Është një libër që pasi e lexon nuk e shikon dot botën me të njëjtën pikëpamje që kishe më parë.

22. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Është kënga që kam shkruar me shoqen time të ngushtë. Ajo studion për muzikë dhe produksion muzikor në Angli. Ajo e kompozoi këngën një mbrëmje dhe ma tregoi ditën e nesërme. Rashë në dashuri me melodinë, dhe shkrova tekstin e saj dhe e këndova. E regjistruam dhe e nxorëm në YouTube një vit më vonë. Quhet "Promised Land - Toka e Premtuar", dhe flet për të gjithë ata njerëz emigrantë që shkojne në “tokën e premtuar” për një jetë më të mirë, por i merr malli për tokën e vërtetë të premtuar, vendlindjen; në distancë i japin fjalën se një ditë do të rikthehen, por thurur me të shprehet dhimbja, emocionet dhe dilemat të cilat përjeton kur je një emigrant.

23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Janë shumë udhëtime edhe metaforike edhe reale. Reale do thoja udhëtimin për në Japoni. Nuk e kam ndërrmarrë ende. Kultura dhe historia japoneze është shumë interesante dhe e pasur, dhe shpresoj që një ditë të shkoj e ta përjetoj atje. Metaforike do thoja ndërrmarje e udhëtimit të të krijuarit stabilitet dhe një familje, por ato jane hapa dhe udhëtime të vogla të cilat mblidhen dhe përbëjnë destinacionin final.

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Nata perfekte do ishte brenda në shtëpi, me të gjithë familjarët e mi, ngrohtë duke pirë e ngrënë e duke qeshur. Nuk është vendndodhja se sa janë njerëzit të cilët e krijojnë ambientin dhe do e bënin natën e dimrit kanadez perfekt.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Librat, do doja që ato të mos mungonin kurrë. Librat fizikë dhe jo ato elektronikë. Unë jam rritur mes librave, mes njerëzve që lexojnë. Është një ndjesi e veçantë të hapësh një libër, t’ia prekesh e t’ia kthesh faqet, aroma e vetë librit. Të tjerat gjenden dhe në natyrë, si për shembull ushqimi dhe uji, por libri dhe mundimi që merr për ta krijuar është i madh, prandaj shpresoj që kurrë të mos mungojë në dyqan.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Pjatat që nuk do i refuzoja as me stomakun plot janë taratori që bën gjyshi dhe dollmatë me lakër që bën nëna. Nuk janë pjata të komplikuara apo të veçanta, por kur i përgatisin ata e di që i kanë bërë me dashuri dhe ato nuk do t'i refuzoja dot kurrë sepse i dua shumë.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Zakoni që do doja të mos kisha është durimi i shkurtër, sepse ndonjëherë është më mirë të presësh se sa të bësh diçka me vrull e ngutje dhe ajo ka pasoja të tjera.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Aftësia që do doja të kisha është mundësia për të transportuar veten kudo sa hap e mbyll sytë. Në atë mënyrë mund të shkoj e të takoj gjyshërit e mi sa herë të dua, duke anashkaluar aeroportet dhe udhëtimet e gjata mbi oqean.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ke zgjedhur?

Dëshiroj të punoj në terren lidhur me degën time që është kriminologjia dhe feminizimi. Është profesion me rrezik, sfidues por përtej të gjithave më lejon mua të ndihmoj ata që kanë nevojë.

30. Cila është arritja jote më e madhe?

Arritja ime më e madhe e cila është gjithmonë në zhvillim e sipër është të qenurit njeri i mirë dhe i denjë. Kam vënë re që të qenit njeri mbi të gjitha nuk është diçka për të cilën përpiqemi apo fokusohemi, dhe për këtë më vjen keq. Prandaj për mua është e rëndësishme të jesh njeri mbi të gjitha, dhe kjo është padyshim arritja ime më e madhe.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Ndihem sikur kam ecur në udhën e kujtimeve dhe vetë kuptimit, pasi vërtet të duhet të mendosh thellë-thellë për të dhënë një përgjigje të denjë. Rrallë përballem me pyetje të tilla, dhe është shumë gjallëruese dhe interesante.

©Flasshqip.ca

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!