Profil & Intervista

Sofia Papadhimitri, pianistja shqiptare në Toronto

Intervistoi: Jeta Dedja

Artistë shqiptarë gjenden kudo në botë. Ka nga ata që janë bërë të famshëm dhe shpesh nga vendi amë cilësohen si ambasadorë të kulturës. Po ka plot të tjerë për të cilët media shqiptare nuk ka shumë informacion. Kjo sepse disa artistë janë modestë, ndihen të arrirë me shpirtin e mbushur nga arti që bëjnë para publikut të vendit ku jetojnë, përkundër disave që preferojnë e luftojnë për audienca ndërkontinentale.  

Sofia Papadhimitri është një pianiste shqiptare, e cila jeton në Toronto. Ajo është mjaft e angazhuar në aktivitetet artistike me koncerte me Trio Fammus, përpos punës në sektorin e krijuesve për Organizatën World Vision. Gjithashtu jep mësim pianoje, të cilën nuk e quan punë, pasi pianoja është pasioni i saj.

Sofia është e martuar me Antonion, djalin italian, i cili u dashurua pas saj kur ajo ishte në Itali për një vizitë studimore. Sofia dhe Antonio kanë dy vajza, Isabella dhe Doriana. Sofia Papadhimitri rrëfen plot sinqeritet gjithë rrugëtimin e jetës së saj, historitë e emigrimit në Greqi e më pas në Kanada.

Ne ju ftojmë të njiheni me Sofian, artisten, bashkëshorten, nënën, bijën dhe aktivisten e palodhur të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto.

Sofia, kur nisi jeta jote në Kanada?  

Sofia Papadhimitri: Deri në moshën 12 vjeçare kam jetuar në Shqipëri. Më pas emigruam me familjen në Greqi, ku qëndruam 10 vjet para se të ndërmerrnim një tjetër emigrim. Këtë herë drejt Kanadasë. Ishte viti 2001.   

Çfarë kujton nga ajo ditë? Zhvendosja nga një vend në tjetrin zor se harrohet apo jo?

Sofia Papadhimitri: Vitin që u realizuan dokumentet e emigracionit për në Kanada unë kisha diplomën e pianos, dhe u detyruam të ndahemi si familje. Mami me motrën erdhën në muajin mars dhe unë me babain menjëherë pas diplomimit tim në Korrik. Mamaja me motrën e patën shumë të vështirë arritjen në mes të një dimri të egër, të papërgatitura për atë lloje klime, dhe pa njerëz të afërm për t’i ndihmuar me orientimet e para.

Ndërsa unë me tim atë kaluam muajt e fundit duke përmbyllur dokumentacionin e duhur dhe më kujtohet që tërë mobiljet e apartamentit, përfshirë pianon time të dashur “Petrof” i dërguam me anije në Kanada, dy javë para se të nisemi. Ato dy javë në një shtëpi bosh ishin një konfirmim pak i papritur i realitetit që nuk e kisha ndjerë deri atë çast. Ishte mjaft vështirë të ndaheshim me të gjithë njerëzit e dashur me të cilët u lidhëm gjatë 10 viteve të qëndrimit në Athinë.

Po kur shkele në Kanada çfarë kujton, cilat ishin përshtypjet e para?

Sofia Papadhimitri: Kanadaja më bëri përshtypje të mirë që në fillim. Jeshillëk, pastërti, dhë kudo dëgjoje ‘please’ dhe ‘thank you’. Gjëja e parë që më kujtohet tani është zhgënjimi i madh që pësova me veten sapo fillova “York University”. Në Athinë ndiqja universitet Amerikan dhe e ndjeja veten të sigurt për gjuhën Angleze, por kur m’u desh të komunikoja në klasë dhe të ndiqja leksionet ishte sikur dëgjoja një gjuhë të re. Kalova muaj duke studiuar deri në mëngjes, duke punuar gjatë ditës, dhe duke ndjekur leksionet natën. Pavarësia ishte e rëndësishme për mua që të paguaja shkollën vetë dhe të ndihmoja në shtëpi sa mundesha.

A kishit njerëz që mund t’ju ndihmonin  fillimisht për sistemimin tuaj?

Sofia Papadhimitri: Ishin të paktë ata që na ndihmuan dhe jo ata që prisnim që do të mund të na ndihmonin, por patëm fatin të lidhemi me njerëz që vlerësuan vullnetin tonë dhe gatishmërinë për punë dhe referencat e tyre ndihmuan shumë.

Përveç gjuhës, cilat ishin vështirësitë e tjera për ty dhe familjen?

Sofia Papadhimitri: Emigrimi këtu ka qenë sfidues për secilin nga ne në familje. Distancat tepër të largëta me autobus dhe me këmbë, mungesa e informacioneve bazë në lidhje me fillimin e një jete të re këtu, punët e vështira dhe me pagesë fillestare për të fituar eksperiencë Kanadeze. Gjithashtu, e ndjemë shpejt një lloj të ri ftohtësie të njerëzve. Në Athinë ishim mësuar me stil jete tjetër. Atje njerëzit punojnë pak dhe bëjnë shumë qejf, shoqëria zë vend të rëndësishëm dhe nuk mendohet shumë për gjëra të tjera. Në Kanada zbuluam të kundërtën. Njerëzit të fokusuar në studime, punë, karrierë, të interesuar në zotërime materiale, më pak kohë për argëtim. U ndjemë të vetmuar, por nga njëra anë na bëri mirë se u përqëndruam në qëllimet që kishim.

Çfarë qëllimi i vure ti vetes?

Sofia Papadhimitri: Gjëja kryesore ishte të regjistrohesha në universitet dhe të siguroja transferimin e shumicës të kurseve që kisha mbaruar në Greqi. Gjithashtu, gjeta punë në një restorant brenda “York University” dhe fillova brenda muajit. Gjuha ishte prioritet si dhe kompjuteri. Meqë isha akoma paksa e lirë mbrëmjeve, meqënëse shkolla s’kishte filluar akoma, u rregjistriva në një kurs online dhe mësova “speed typing” në kompjuter.

E më pas, pasi e mësove dhe u përshtate me gjuhën çfarë bëre?

Sofia Papadhimitri: E kuptova shpejt që në Kanada i jepet vlerë punës, shkollës, karrierës. Zbulova që herët që për të avancuar duhej ta lija punën e restorantit dhe të filloja diku në zyrë. Si fillim ofrova të punoj tek “Goodas Foods” vullnetarisht dhe pas disa muajsh hapa një vend pune për veten, duke zhvilluar rolin e parë të menaxheres së marketingut tek kjo kompani.

Po për shoqëri si ia bëje?

Sofia Papadhimitri: Në pallatin ku banonim u njohëm me një familje shqiptarësh dhe nëpërmjet tyre një grup të tërë bashkatdhetarësh, me disa prej të cilëve ende mbaj shoqëri edhe sot e kësaj dite. U lidha gjithashtu dhe me komunitetin Grek dhe shkoja nga Etobicoke (në perëndim të Torontos) në Danforth (lindje) për të dhënë mësim në një shkollë muzike me pronare Greke. Në universitet kisha shoqëri multi-kulturale, jo vetëm kanadezë, por polakë, kinezë, iranianë, etj. Më tërheqin shumë kulturat të reja dhe isha e mrekulluar nga mundësitë që të jep ky vend të njihesh me njerëz nga mbarë bota.

Ma shpjego pak lidhjen tënde me artin?

Sofia Papadhimitri: Arti ka qenë pjesë e jetës time që e vogël. Gjyshja ime nga ana e babait ishte piktorja e njohur në Shqipëri, Sofia Zengo, dhe mbaj mend muret e shtëpisë mbuluar me piktura. Gjyshen nuk e kam njohur dot, por gjyshi ndikoi shumë në edukim tim rreth artit. Ai ishte skulptor, profesor bukurshkrimi, dhe një njeri shumë i ditur. Megjithëse banonim në Tiranë, gjyshi më dha mësimet e parë mbi filozofinë dhe mitologjinë greke që i dashuroj sot e kësaj dite.

Mesa kuptova, ti paske marrë emrin e gjyshes tënde…

Sofia Papadhimitri: Po e vërtetë. Emri im është emri i gjyshes Sofia Zengo. Prindërit e ndërruan me pak kreativitet sepse nuk mund të kisha emër fetar në kohën kur linda unë, pra e rregjistruan Sofiola.

Po si ndodhi që zgjodhe pianon dhe jo telajon?

Sofia Papadhimitri: Kur isha e vogël, babai (Jani Papadhimitri-violinisti i shquar shqiptar-shënim i redaksisë), ishte drejtor artistik i Operas dhe Baletit në Tiranë dhe çdo ditë pushimin e madh nga shkolla e muzikës që ndiqja e kaloja në Opera, duke ndjekur prova të baletit, orkestrës, etj. Pasioni im ishte pianoja që në moshë shumë të vogël, dhe kështu që i hyra jetës të muzikantit me dëshirë të madhe.

Ti je larguar e vogël nga Shqipëria, çfarë kujton tjetër nga fëmijëria e asaj kohe?

Sofia Papadhimitri: Mbresat e mia nga Shqipëria janë një miks momentesh të lumtura fëmijërie. Familje e lidhur, shoqëri të ngushta, muzika, arti, loja përjashta në lagje deri sa ngrysej, etj. Isha një fëmijë e lumtur, paksa e ndrojtur, por me plot miq dhe të afërm të dashur. Jeta ishte plot me aktivitete dhe punë, çdo javë ndiqja 2-3 shfaqje në Opera, në shkollë bëja saxho me piano çdo muaj, në shtëpi e gëzuar që u bëra me motër në moshën 6 vjeç dhe që në atë moment duke e mbajtur me vete kudo që shkoja.

Çfarë të mungon nga Shqipëria?

Sofia Papadhimitri: Malet dhe freskia e mëngjesit në vendlindjen time Korçë. Xhiroja e mbasdites drejt liqenit të Tiranës. Bregdeti dhe uji i Adriatikut, shoqëria e fëmijërisë, ditët plot diell në Tiranë. Rruga mbi skarën e biçikletës të mamit drejt qendrës të Tiranës. Në mendjen time Shqipëria është akoma ajo ku unë u rrita, dhe e di që nostalgjia është për një stil jete që nuk ekziston më, por jam e lumtur për këto kujtime të bukura.

Sa vite ke pa vajtur në Shqipëri?

Sofia Papadhimitri: Mbi 10 vjet, më mungon shumë, por me bashkëshortin e kemi vendosur të shkojmë kur të rritet edhe pak vajza e vogël që ta shijojmë si duhet.  

 Më trego pak për fëmijët. Janë shqiptaro-italiane-kanadeze, nga ç’vend anojnë më shumë? J

Sofia Papadhimitri: Isabella është gati 7 vjeç, motra e madhe që merret me të voglën plot durim dhe dashuri në çdo orë të ditës. Doriana sapo mbushi 3 vjeç dhe si karakter është argëtuese e lindur, me shumë humor dhe plot energji. Vajzat po i rrisim duke ju folur për Shqipërinë si dhe Italinë (nga vjen im shoq). Ato e dinë që një pjesë e të afërmve tanë janë aty dhe janë kuriozë për këto vende.  Kur mundemi ndjekim dokumentarë dhe ju tregojmë për artin, muzikën, njerëz të njohur dhe të shquar nga vendet e origjinës të prindërve të tyre, etj. Por vendlindja e tyre është Kanadaja dhe ato këtu e quajnë ‘shtëpi’. E duan Kanadanë dhe me durim po mësohemi të duam edhe dimrin e vështirë që kalojmë këtu.

 Si i kanë raportet me shkollën? Me gjyshërit?

Sofia Papadhimitri: Vajza e madhe shkon shumë mirë në shkollë.  i pëlqen të lexojë dhe ka mësuar shumë shpejt, dhe shpesh mësuesja e vë t’i lexojë klasës. Sivjet në klasë të parë, ajo merret me ‘spelling’ dhe është shumë kurioze për shkencën dhe eksperimente që bën shpesh me të atin. Me gjyshin Isabella po mëson violinën dhe ka një violinë të vogël dhe perfekte për të që ja ka dhuruar gjyshi. Ka dëshirë të flasë shqip dhe me gjyshen e saj (mamin tim) ajo ka krijuar një fjalor bazik që na kënaq kur vendos tek-tuk ta përdorë. E vogla akoma mendjen e ka te loja, i pëlqen të jetë jashtë në natyrë gjithë kohën, si në vapë dhe të ftohtë.

      

Gjyshërit në Itali na vizitojnë sa herë munden dhe mbajmë kontakt nëpërmjet Skype. Vajzat i duan njësoj dhe ju flasin me dashuri nëpërmjet kompjuterit tamam sikur të ishin këtu, sidomos e vogla që i bën për vete duke dërguar puthje dhe përqafime. 

Më trego pak për kohën e lirë apo fundjavat tuaja?

Sofia Papadhimitri: Java këtu kalon shumë shpejt. Unë dhe im shoq punojmë që të dy dhe dita nis herët. Mbasditeve unë jap mësime pianoje ose merremi me fëmijët. Bëjmë detyra dhe lexojmë libra, shkojmë te lodrat, mësojmë piano, vëmë muzikë dhe kërcejmë, dhe ndonjëherë bëjmë dhe yoga që e drejton Isabella se e ka pasion. Në fundjavë shkojmë nëpër ferma këtu në Ontario ku marrim fruta dhe perime të rritura këtu, dhe fëmijëve ju pëlqen të shohin kafshët dhe të luajnë në natyrë. Herë pas here shkojmë eksplorojmë kulinarinë e vendeve të ndryshme të botës, një nga gjërat më karakteristike të Kanadasë. Shpesh takohemi me shoqëri dhë bëjmë aktivitete të ndryshme me fëmijët e tyre, piknikë, lojëra, dhe në përgjithësi kalojmë mjaft kohë jashtë, sidomos në verë. Kalojmë jetë familjare, me argëtime të thjeshta dhe me njerëz të dashur.

Sa i përket angazhimeve artistike, familja jote është shumë e njohur me Trio FAMMUS…

Sofia Papadhimitri: Po, Aktiviteti kryesor i vitit për familjen tonë është koncerti i Trio FAMMUS, organizuar nga babai im Jani, motra Livia, dhe unë çdo 18 muaj përafërsisht. Për këtë koncert përgatitjet fillojnë gati një vit përpara sepse luajmë pjesë që nuk ekzistojnë për trio. Programi është i përbërë nga pjesë qe ne i adaptojmë për 2 violina dhe piano (kryesisht me ndihmën e babait që i arranxhon pjesët me kujdes).

Si trio ne gjithashtu marrim pjesë në aktivitete të tjera, si p.sh. evente të organizuara nga komuniteti Shqiptar, por edhe evente Kanadeze. Në fund të Majit do luajmë tek Global 6K, një event që mbështet projekte për ujë në Mali, Afrikë. U angazhova me shumë dëshirë për këtë aktivitet dhe mora përsipër të mbush programin, ku do luajë jo vetëm Trio FAMMUS por edhe concert band dhe jazz band nga Forest Hill Collegiate (të drejtuar nga motra ime Livia), si dhe do këndojë Kori i Fëmijëve Shqiptarë të drejtuar nga Ina Xoxa.

Hmmm…ja një informacion tjetër me vlerë për rubrikën Profil & Intervistë në Flasshqip. Faleminderit Sofia për gjithë këtë rrëfim nga jeta jote duke ndarë vlerat e tua me lexuesit tanë.

                               ©FlasShqip.ca