Blog

Hija e diktatorit dhe politika shqiptare - Nga Behar Gjoka

Mjaftoi që të shfaqej, diku nga fundi i grumbullit të njerëzve, në Varrezat e Dëshmorëve, fotografia e diktatorit Hoxha, për të sjellë sërish në fokus të opinionit shqiptar, mosmarrëveshjet dhe konfliktualitetin e zakonshëm të skenës politike shqiptare. Kjo foto, e shfaqur si rastësisht a me qëllim, në ditën e çlirimit të vendit, gjithnjë simbas të majtëve, pra me 29 Nëntor, megjithatë nuk kaloi pa krijuar një amulli opinionesh dhe komentesh, nga të gjitha krahët e politikës shqiptare. Në fakt, prania e një llafollogjeme politike konfliktuale, në mes dy kampeve të politikës shqiptare, vetëm sa e thellon moskuptimin absurd të kësaj situate, ku për një datë, pra si me thënë, për një pikë uji, sa nuk mbytemi në mes vedit, njëherë në vit.

Për këtë çështje janë krijuar dy krahë debatuesish, të cilët përveçse rrahin uji në havan, kryesisht funksionojnë, si filozofia e heshtjes nga e majta, dhe filozofia e zhurmës nga e djathta. Parë, me një qetësi të veçantë, zaten aq sa ta lejon situata e zhurmshme e skenës politike shqiptare, faktikisht detaji i fotografisë së diktatorit, verteton se ajo kohë, pra sistemi monist, bashkë me diktaturën, që tashmë kishim menduar se ishte larguar përfundimisht, e paska lënë litarin jashtë dhe sa herë ka nevojë politika absurde dhe sherrxhije, e rindez hapur, anipse qytetarët kanë të tjera halle.

Fakti që fotoja e diktatorit Hoxha, u vu qëllimisht apo ishte rastësisht aty, nuk fsheh të vërtetën se hija e tij, sërish endet midis nesh, e sidomos ajo është e ngulitur në kokat e politikanëve tanë, të cilët botërisht janë distancuar prej tij, me fjalime dhe programe, por që për nevojat e propagandës së tyre e nxjerrin në fushëbetejë. Pra, në jo pak raste i kthehen epokës, kohës së tij, kur duan të trazojnë ujërat artificialisht, mbase ta përdorin praninë dhe betejën me të, vetëmse për qëllime të pastra politike.

Fotografia, e cila ishte goxha e madhe, në prani të qeveritarëve tanë, Socialistë dhe të Lëvizjes Socialiste, të cilët së paku në programet partiake, nuk është se kanë dëshmuar kaq shumë afri, me dijen apo pa dijen e tyre, tregon ditën për diell, se përsëri ka nostalgji dhe nostalgjikë për atë kohë. Pra, adhuruesit ose filozofia e heshtjes, janë gjallë, e prandaj edhe ka njerëz që shetisin me fotografinë tij, të madhe apo të vogël, rrugëve dhe shesheve të atdheut.

Mendohet se adhuruesit e tij, që janë ende në mes të shoqërisë shqiptare, megjithatë politikisht, janë mbledhur në disa parti pune dhe komuniste, që madje janë lejuar edhe me ligj. Puna është se sa herë që ka zgjedhje, madje edhe në zgjedhjet e fundit, në trenin e koalicionit të majtë, ishin të rreshtuara edhe këto parti, kjo ndjesi e fashitur del në pah, për votat e nostalgjikëve. Pra, figura e diktatorit, sadoqë është përzënë politikisht, si ideologji dhe sistem, në njerëz të ndryshëm, sidomos të atyre që kanë jetuar edhe në vitet e sistemit monist, kundrohet si vlerë e madhe shpirtërore, si udhëheqës dhe komandant legjendar. Kjo është e vërtetë, e nuk ka gjasa që të fshihemi edhe për shumë kohë prapa gishtit.

Nuk është vendi dhe koha për të zbardhur këtë anë, që herët a vonë, do të duhet që ta bëjë historia dhe historianët, me vetëdije shkencore dhe jo me bindje krahësh të politikës. Por, në kalvarin e këtyre motive, të bie në sy fakti, që nga pozicione të ndryshme, politika herë pasë herte yshtet nga hija dhe figura e diktatorit. Nëse e majta, ndaj datës 29 Nëntor, në mes Ramës dhe Metës, ka patur mirëkuptim edhe në kohën e dimrit dhe acarit, dhe praninë e figurës, pra të fotografisë së tij, në një kuptim e ka të lidhur më praninë e elektoratit, pra me atë rreshtimin në bllok, për të ruajtur radhët e fitimtarëve të zgjedhjeve të fundit. Nëse e vlerësojnë, duhet të kishin krijuar mundësitë që dikush, me bindje të shpallura komuniste, të përfaqësonte këtë linjë edhe në parlament, sepse të marrësh votat e nostalgjikëve, dhe të ndërtosh një qeverisje që i lë jashtë ato, më e pakta gjë, kemi të bëjmë me hipokrizi ndaj elektoratit të majtë, që u marrin votat, pranojnë fotot në ditë kremtimesh, por bëjë gjithçka që të mos kenë hapësirë institucionale.

Filozofia e zhurmës, me tone të jashtëzakonshme, nga ana tjetër, në kampin e djathtë, paraqitet në kohën e duhur, dhe gjithnjë simbas zëdhënësve të PD, vjen si reagimi i ashpër që mbështet edhe nga ndonjë forcë tjetër e të djathtës shqiptare. Deri tek reagimi ndaj fotografisë, pavarësisht ndjesive dhe nostalgjisë së pranishme, kuptohet se jemi në aspekte të jetës politike të një partie apo grupimi. Pikërisht në momentin që përdoret si një gogol, nga zëra të rëndësishëm të kësaj partie, përfshirë edhe zotin Berisha, puna merr udhë tjetër. Pra, fotografia përveçse si gogol, paraqitet edhe si një alternativë dhe kauzë politike e kthimit në pushtet, duke rritur tonet e propagandës politike. Prandaj, në këtë zhurmnai të radhës, bëhet më tepër alarm se sa hidhet dritë mbi faktin e pranisë së fotografisë së diktatorit në homazhet e e 29 Nëntorit.

Nëse, në kohën që kanë qenë në pushtet, do të kishin miratuar një ligj normal për ndëshkimin e krimeve të komunizimit, sipas modelit të jo pak vendeve ish-komuniste, si dhe do të zbatohej konform ligjshmërisë, nuk do të kishte nevojë për këtë zhurmë të shtuar këtyre ditëve. Antikomunizmi dhe enverizmi, pavarësisht se pikëtakojën ekstremet, për një mendje të ftohtë, e kanë kryer misionin e vet qysh në Dhjetorin e vitit 1990, po kaq mbyllet si akt me rrëzimin e shtatores së tij, më 20 Shkurt të vitit 1991, dhe pas kaq vitesh nuk mundet të jetë përsëri kauzë e ndryshimit, e sidomos një alternativë pushtetmarrëse.

Besimi i tepërt në vetvete, qoftë për filozofinë e heshtjes, po kaq edhe për filozofinë e zhurmës, është mashtrim i madh, që megjithatë në këtë pakujdesi tregon se përsëri jemi në një demokraci të brishtë, çka do të thotë se ka shume udhë për tu bërë... Së pari duhen shmangur nga udha idhujt dhe idolet, pra duhen shembur muret që pengojnë qytetarin shqiptar, për të parë terrin dhe dritën, tashmë pa syze partiake.

©Behar Gjoka