Komunitet

Brenda ekspozitës së artistëve shqiptarë në Toronto - Nga Jeta Dedja

  • Published in Komunitet
Nga: Jeta Dedja

Në ditën e parë të muajit Mars, me diellin që shkëlqente në Toronto u nisëm si drejtues të FlasShqip, por edhe si shijues të pikturës të merrnin pjesë në ekspozitën “Rrugëtimi i Shqiponjës”, një aktivitet i komunitetit të artistëve shqiptaro-kanadezë. Arritëm në galerinë e Artit të Qendrës Komunitare në Etobicoke.

Nuk e prisnim të ishte një galeri e vërtetë. Kishim menduar që Ardian Radovicka, organizatori i ekspozitës do të kishte përshtatur ndonjë sallë në formë galerie. Por jo. Qendra kishte një ambient të dedikuar për ekspozita të artit figurativ. Pikturat varur në mure kishin hapësirë të mjaftueshme për të qëndruar të distancuara prej njëra-tjetrës në një masë të arsyeshme.  

Ekspozimi merrte udhë që në hyrje të hollit sipas formës së shkronjës F të shtrirë, ku në vizën e dytë të F-së ishte salla qendrore me tavolinën mikpritëse dhe sajdisëse me pije e ëmbëlsira të pastiçerisë së çiftit Brari, ndërsa në krye podiumi i spikerit, ku 3 shkallë do çonin këdo me emocion drejt tij.

Ardian Radovicka

Fjalën e hapjes sigurisht e mori Ardiani, i cili falenderoi të pranishmit dhe pjesëmarrësit për këtë aktivitet që tashmë është kthyer në traditë. Piktori Zeqirja Rexhepi i ardhur enkas për ekspozitën nga Halifaksi u suprizua teksa iu dha fjala e rradhës në cilësinë e Ambasadorit të Kombit. Por me modestinë e njeriut që respektin nuk e fiton prej titujve honorifikë që qeveritë kanë qejf të shpërndajnë herë pas here, Zeqa shkëlqeu në podium si me fjalën ashtu dhe me këngën patriotike.

Të ngrohur nga ritmi i mbajtur me përplasje duarsh apo trok këmbësh në dysheme, të pranishmit iu drejtuan më pas tablove kush në qetësinë e vet e kush nën shoqërinë e autorëve. Ndërsa plot të tjerë zgjasnin duart mes tyre apo shkëmbenin ndonjë përqafim takimi të ngrohtë si për herë të parë ose si pas disa kohësh pa u parë. 

(nga e majta në të djathtë) Lindita Aga Meço, Jeta Dedja, Minire Omeri

Unë u ndala fillimisht në ciklin e punimeve të Zeqirja Rexhepit, punuar në akrilik, ku autori më shpjegoi me pasion se pse ky cikël quhej “Barazia Gjinore”. Në shoqërinë maskiliste gruaja ende nuk ndihet në pozicionin që do duhej të ishte si njeri me të drejta të barabarta në shoqëri.

Me Zeqirja Rexhepin

Më pas më tërhoqën ngjyrat e forta të Ermal Xhixhës, piktori i cili prezantohej me katër punime, tre prej të cilave në vaj dhe njëra në akrilik. Në fakt akriliku nuk është zgjedhja e parë e Ermalit. Por meqënëse thahet shpejt piktori e përdori dhe e dini çfarë? Tabloja arriti në ekspozitë në kohë. "Refleksionet" në akrilik me një çmim prej 500 dollarësh 

ose Tulipanët 850 $ do t’i shkonin shumë mirë shtëpisë, një zyre ose klinike.

Por nëse pronarët e zyrës si për shembull avokatët do të donin të shpenzonin më shumë dhe të mbushnin një hapësirë më të madhe muri në studion e tyre, atëherë mirë do të bënin të merrnin për 2 mijë dollarë fragmentin e vjeshtës së Edward Garden të Lindita Aga Meços. Natyrë prej Torontoje që të shplodh me ngrohtësinë dhe ekspresivitetin e ngjyrave.

Por nëse jeni sipërmarrës që takoni shpesh kontraktorë dhe doni t’u shprehni krenarinë e origjinës suaj e njëkohësisht t’i bëni marketing Shqipërisë, Ardian Radovicka kishte punime me motive nga Berati, Gjirokastra dhe Kruja me një çmim prej 850 dollarësh.

Kishte pastaj edhe çmime më të larta për tablo të përmasave më të mëdha të punuara në vaj me spatul, pa lëmime peneli, por me relieve që të krijojnë ndjesinë sikur je brenda peizazhit.

Këtë stil, që unë e adhuroj e kishte piktorja Vilma Saraçi Mebelli, e cila më kujtoi time motër kur e pyeta se çdo bënte me pikturat nëse nuk i shiteshin. Do të zbukuroj shtëpinë time me to tha. Megjithatë unë kam besim se kanë për t’u blerë. 

Ndërsa artistët e rinj si Rei Misiri dhe Jasmina Ujkani nuk i pyeta për shitjet.  Rei është ai djali që mori rrugën drejt Shqipërisë për të pikturuar pa asnjë pagesë fasadën e një pallati në Tiranë. Gjithnjë në kërkim të gjërave të reja dhe aventurave por me një ndjenjë të theksuar dashurie për atdheun Rei eksploron artin figurativ të rrymave të ndryshme. Këtë rradhë ai kishte paraqitur punime në print.

Ndërsa Jasmina kishte punime interesante në akrilik si ky këtu.

Robert Simoni kishte gdhendur në allçi bustin e të atit, violinistit të shquar Augustin Simoni si dhe portrete në grafikë të familjarëve të tij.

Augustin Simoni pranë bustit të realizuar nga i biri Roberti 

Shqiptarët e kanë pak të vështirë shpenzimin për artin figurativ. Prandaj piktorët sado të talentuar nuk e sigurojnë dot jetesën me art. Jo të gjithë kanë luksin të jenë kryeministër e t’i shesin pikturat qoftë edhe shkarravina tavoline për mijëra dollarë. Artistët e vërtetë nuk kanë klientelë të kamur dhe nga ana tjetër ata që e duan të bukurën shpesh herë nuk e përballojnë dot çmimin e një tabloje origjinale.

Megjithatë me ca kursime dhe dëshirën e madhe për të bërë tënden një vepër arti, më mirë të blesh një pikturë origjinale të bashkëatdhetarit tënd sesa të mburresh me imitimin e “Këpucët e Patrikut” nga Michael Freeman Bodour.

Prandaj unë do t’ju rekomandoja ta vizitonit ekspozitën e artistëve shqiptarë në Etobicoke Civic Centre Art Gallery, 399 The West Mall, Toronto, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 26 mars, nga ora 9 a.m deri më 8 p.m. ditët e javës dhe prej orës 9 deri në 5 në fundjavë. E nëse nuk keni në plan të bëni një blerje, të parit është gjithmonë falas dhe me përfitim shpirtëror. 

 Një sy mund t’i hidhni edhe këtu në galerinë tonë disave prej punimeve 

Toronto, Mars 2020

©FlasShqip.ca