Komunitet

Botohet libri me tregime e novela “Litari i mallit” nga Kristaq Turtulli

  • Published in Komunitet

Porsa doli nga shtypi vëllimi me tregime dhe novela “Litari i mallit” i autorit të njohur korçar Kristaq Turtulli, i cili prej vitesh jeton në Toronto. Lexuesit nga e hëna do ta gjejnë librin në libraritë e Korçës dhe në Tiranë, tek libraritë Adrion dhe Albania. Së shpejti kopje për të interesuarit do të mbërrijnë edhe në Kanada. Vepra u përgatit për publikim nga Shtëpia Botuese Helga’s Secrets me redaktor Elvi Sidheri.

Në libër, i cili është i njëzetë e teti në radhën e botimeve të autorit, përfshihen 20 tregime dhe 4 novela. Tematika e tyre është e larmishme dhe përqendrohet kryesisht trajtimin e problemeve të rëndësishme shoqërore. Sipas autorit, me të cilin patëm një komunikim të drejtpërdrejtë dje, e veçanta e këtij libri me tregime është se mbi të është punuar dhe ripunuar në më shumë se 30 vjet.

“Gjatë këtyre viteve i kam shkruar dhe u jam rikthyer shumë herë, me dëshirën që t’i jap lexuesit një vepër të realizuar në të gjitha komponentet. Me kalimin e viteve dhe nga një vepër në tjetrën, përgjegjësia e krijuesit është gjithnjë në rritje. Mbasi së pari, ne duhet të përshtatemi me kohën dhe t’i dhurojmë lexuesve tanë kudo që ndodhen nëpër botë, letërsi sa më cilësore. Ky është libri im i pare me prozë të shkurtër pas vëllimit me novela “Pianisti”. - u shpreh Kristaq Turtulli për Flasshqip.

Sipas Elvi Sidherit, njëherazi dhe redaktor i librit, autori ka arritur të sendërtojë stilin e vet si tregimtar me artin e tij që të rrëmben dhe të bën për vete. Nga tregimi në tregim bie në sy shumëllojshmëria e temave dhe ngjarjeve dhe përmes rrëfimit të shkrimtarit, përshkrimi depërton aty ku pakkush ose askush nuk ka shkelur më parë. Karakteret në këtë libër, janë ndërtuar me mjeshtëri dhe të befasojnë. Duhet veçuar sidomos portreti skalitur me art të rrallë i femrës dhe himni i mrekullueshëm për nënën shqiptare. Kristaq Turtulli ka arritur të përvijojë me mjeshtëri, ngjarje, situata, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, shpirtshitje, vogëlsira, hidhësi dhe madhështi. “Ashtu siç e kam theksuar, e gjithë krijimtaria Turtullit është Realizëm ëndërrimtar shqiptar” - pohon ai.

Më poshtë me lejen e autorit po publikojmë dhe një fragment nga tregimi “Aurora”.

***

Agimet polare?! Atëherë as unë s’e kisha idenë. Bukurinë dhe mirësinë e Aurorës shpesh e krahasoja me ndriçimin verbues, marramendës, mëngjesor pranveror. Bulëza e vogël e vesës reflektuese si diamant pikonte mbi gjethin e gjelbër dhe unë e dëshiroja ta puthja fort vajzën që doja, në buzët e plota gjithë musht.

Sa herë përmendja Aurorën, nëna mblidhte buzët me bezdi dhe shkonte e mërzitur në kuzhinë. Ngaqë ëma e Aurorës ishte sakate, çalonte në të dyja këmbët. Kur ecte, dukej e këputur për mezi, prej shkapërderdhjes së trupit dhe lëvizjeve. Të bëhej sikur eshtrat do i shkëputeshin, copëtoheshin, e flakeshin tutje. E ndonjë eshtër e shkëputur prej trupit të sakates mund të sulej papritmas si shigjetë, të shponte tejpërtej, të plandoste përdhe. Pastaj po të shihje lëvizjen e kokës së saj përgjatë ecjes, provoje marramendje. Koka i dridhej, i lëvizte pa përqendrim lart e poshtë, majtas djathtas dhe s’të bëhej ta shikoje dy herë.

-Aurora është mirësi dhe dritë mëngjesi, - i thashë nënës.

-Ç’të them, e bukur çupa, s’ke ç’i thua, dritë mëngjesi, - më tha nëna dhe lëshoi një rënkim të thellë: -Por... cenet e trupit dhe mendjes trashëgohen në familje, nga breza, deri në brezin e shtatë? Hajt, zëmë se e bëjmë nuse shtëpie. Por kush më garanton mua, fëmija s’do i ngjajë nënës së saj. E njoh me dhëmbë dhe dhëmballë familjen e çupës, nënën e të gjorës Kristinën, sakate ka qenë Kristina që e vogël. Edhe nëna e Kristinës çalamane, sakate. S’ia ha hakën, qëndistare e mrekullueshme, qëndiste pajat e çupave kur u vinte koha për tu martuar. Por ç’e do, s’i bënte zemra të qëndiste për vete. Qante natë e ditë mbi qëndisma. E shkreta vajzë, sakatja e mjerë. Kur i kaloi mosha të martohej shkoi për vizitë tek Cen Shajaku, mjeku i njohur popullor. Nuk e di çfarë i bëri Ceni, por në krye të disa muajve, për habinë tonë Kristina ecte për bukuri si zonjë e rëndë, mbante trupin drejt dhe kokën lart. I hipi një nur dhe bukuri, të verbonte. Djemve të mëhallës u pikonte gjuha lëng, por familjarët i tërhiqnin prej mënge të mblidhnin kallaballëkun. Në krye të vitit Kristina u martua me Çuçi Lutkën, punëtorin e ri të minierës, ardhur nga fshatrat e rrëzës. Çuçi, djalë i fuqishëm, sytë vëngër, trupmadh, qafëtrashë, qime dendur si ari. Burrë i fortë, hante një pllakë bukë dhe bënte dy norma në ditë. Punonte në një turn me babanë, Çuçi Lutka u mburrej shokëve të turnit:

‘Hej, nusja ime më e bukura e qytezës së minatorëve,’ dhe qeshte me të madhe. Të tjerët s’guxonin ti kthenin fjalë. Çuçi i shembte me grushte.

Kur lindi Kristina, Çuçi Lutka u deh, qerasi me konjak të gjithë shokët, miqtë dhe, bërtiti në mes të qytetit me sa zë që kishte në kokë:

‘Vajzës do ti vë emrin Aurora.’

©Kristaq Turtulli