Komunitet

Kur gratë e Montrealit mblidhen bashkë – Nga Jeta Dedja

  • Published in Komunitet

Kur gratë mblidhen bashkë, natyrshëm krijohet atmosferë feste. Mendoni pak, 55 gra shqiptare në Montreal në një sallë që ka edhe një pistë fantastike kërcimi, shtoji këtyre elementeve faktorin post-Covid, përforcoje me një organizatore të jashtëzakonshme si Anila Erindi dhe ja ku shpërthen hareja shqiptare.

Të mos isha vetë e pranishme ndoshta nuk do impresionohesha kur dikush të më rrëfente, por kur je dëshmitar në një ngjarje, ndryshon perspektiva siç më ndryshoi mua. Nuk kam qenë ndonjëherë e marrosur pas organizimeve masive, edhe pse nuk i kam bërë bisht atyre kur kam patur mundësi të marr pjesë. Por qëkur u bëra pjesë e diasporës shqiptare në Kanada, fillova t’i rishoh qëndrimet e mia. Fatmirësisht vij nga një shkollë mendimi që ndryshimin e përqafoj me dashuri.

Kështu pra vajta në festën e 8 Marsit. Arrita disa minuta më herët si meraklie orari që jam, dhe gjej aty në mes të sallës së prenotuar tre organizatoret e festës; Anilën, Elonën dhe Nadjan, shoqen time të universitetit që kisha 20 vite pa e parë, portreti i qeshur i së cilës shndrrinte si dikur në shkollë.

Organizatoret: Anila Erindi, Elona Shkembi Argjiri, Nadja Grabovari

Pas meje salla filloi të mbushej. Po takoja më në fund edhe plot gra me të cilat njiheshim vetëm nga Facebook. Anila Erindin nuk e zinte vendi. Sa në një tavolinë në tjetrën, duke u interesuar për gjithçka e gjithkënd.

Anila si arrite t’i mbledhësh gjithë këto gra e vajza?- e pyes unë.

"Nuk i mblodha unë, thotë me modesti Anila, na mblodhi dëshira për të qenë së bashku më në fund në një event pas lirimit të masave anti-Covid. Fillimisht menduam një party më të vogël se kaq, pastaj njoftim pas njoftimi, pamë që kishte shumë interes dhe ja ku arritëm këtu".

Në tavolinën time ishte një zonjë e këndshme joshqiptare. Në bisedë e sipër morëm vesh që ishte këngëtare. Më pas, kur mori mikrofonin u vërtetua që ishte artiste e vërtetë, një zë i mrekullueshëm dhe personalitet karizmatik.

Më trego pak Anila, si arrite të sjellësh Cynthia Baroud mes grave shqiptare?

“Për ata që nuk e dinë, Cynthia Baroud është një artiste Québécoise, me origjinë Libaneze, këngëtare/ autore tekste këngësh / zë aktrimi dhe mësuese muzike. Ajo ishte një nga katër finalistet e emisionit “La Voix” 2015. Por Cynthia është edhe mësuese (voice technique) e vajzës time dhe imja këtë vit. Kur ia bëra ftesën e priti me shumë entuziazëm dhe u tregua e hapur për bashkëpunim për të festuar për figurën e dashur të gruas, shqiptare apo joshqiptare.”.

Duke e lënë Anilën të lirë për të kërcyer e kënduar, po mendoja se pjesëmarrja e Cynthias ishte një ide shumë e mirë në fakt. Edhe pse jemi shqiptarë, ne jetojmë në një shoqëri multikulturale dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë me artistë të komuniteteve të tjera bën që të forcohet edhe më tepër zëri komunitar dhe identiteti kombëtar.

Do thoni ju, po Cynthia nuk ia merr dot këngës e valles shqiptare. Në fakt në ato pak orë artistja Québécoise mësoi napolonin dhe pogonishten, kështu që s’do çuditesha ta dëgjoja herën tjetër duke kënduar “Nën një portokalle moj”.

Cynthia Baroud dhe Mirela Malushaj duke kërcyer

E meqë ra fjala tek portokallja, repertori i përzgjedhur për vallet tradicionale ishte gjeo-politikisht korrekt me pjesëmarrësit në festë. U kërcye valle Tropoje, Kukësi, Kosove, Çamërie, jugu, e Shqipëri e mesme. Nuk pati favorizime krahinore besoj, u ruajt mirë balanca nën kujdesin e Enit, Vanesës, Nadjas dhe Blertës, të cilat përzgjodhën muzikë edhe përtej kufijve kombëtarë.

Arritën të dalloheshin që në vallet e para talentet e kërcimit. Madje publiku votoi mes atyre që spikatën më shumë nga secila tavolinë. Kupën e mori Valbona Durmishaj, e cila u shoqërua edhe me dhuratë, e përgatitur me kujdes nga Nadja.

Valbona Durmishaj

Fitues pati edhe në lojën e gjetjeve muzikore, me copëza të shkëputura nga këngë të lehta të muzikës shqiptare. Në pak sekonda, familja Beqari shkëlqeu në identifikimin e tekstit të këngës, këngëtarit dhe muzikës.

Në fakt, unë do t’ia kisha dhënë çmimin Eldës, juristes tepelenase që ishte ulur pranë meje, e cila jo vetëm që i gjente menjëherë këngët por edhe i këndonte. Por tavolina jonë me Mirelën, Arianën, Aidën, Cynthian, Danielën dhe Eldën këtë rradhë kishte moton “E rëndësishme është pjesëmarrja”. Herën tjetër nuk do lejojmë të na i marrin çmimet kollaj. Mirela në këtë moment do shtonte që po bëjmë shaka, si për të vënë gjërat në vend e për të mos u keqkuptuar me njeri.

Dhe pikërisht në këtë moment na vjen pjesëtarja më energjike e tavolinës e cila duket e zhduket me shpejtësinë e flashit fotografik. Uragani Anilë bën këtë selfie me ne dhe pastaj flet në telefon me Irma Libohovën në Tiranë. Të gjithë përshëndesim Irmën duke i thënë që e mirëpresim në aktivitete të ardhshme.

Prisni, para se të na fshihet buzëkuqi, le të bëjmë ca foto. Krahasohen celularët, kush e ka kamerën më të mirë e më pas testohen këndet e duhura. (Më duket se disa prej nesh do kenë pothuaj të njëjtën foto profili këto ditë. Në të njëjtin bench, me të njëjtën vazo apo pasqyrë në sfond).

Ky moment është i volitshëm edhe për pak socializim. Unë për shembull takoj Anën, gruan së cilës ia admiroj përkushtimin ndaj 5 fëmijëve të saj të mrekullueshëm. Bisedoj pak me Vanesën e ëmbël, vajzën e shoqes sime Nadja, e cila edhe pse ka lindur në Montreal, flet aq bukur në gjuhën shqipe. Epo ja më në fund duket se i mbarojmë të gjitha kombinimet e mundshme të fotografive me njëra-tjetrën, edhe pse nuk jam e sigurt nëse Mirela do ta lërë me kaq…

Epo sikur na u hap oreksi tani; Çfarë ka menuja? Ah po antipasta, sallatë, pasta, salmon, verë e bardhë, tiramisú, kafe si në Toscana.  

Mmmm, sa vë në buzë gotën e verës, salla buçet nga zëri i Aurela Gaçes. Në pistë formohen disa rrathë vallesh, disa e hedhin shtruar, disa me vrull, e në çdo rast vallja shqiptare të magjeps, siç të mahnisin dhe gratë e jashtëzakonshme shqiptare.

Kështu pra u mblodhëm e festuam për rreth 5 orë (ndoshta të tjerët kanë qëndruar më shumë) pas ekzaktësisht dy vite ndalimi jete sociale.

Qeshëm, kërcyem, kënduam, biseduam, u përqafuam dhe shkëmbyem dashuri me njerëz që na lidhin kujtimet, historia, traditat, zakonet e kultura, e mbi të gjitha Atdheu.

Në fund nuk munguan as trëndafilët e kuq dhe as fotot me veshjet dimërore që na kujtuan se në 8 Mars, në Kanada, bora ende nuk ka shkrirë.

 

©JetaDedja/Flasshqip.ca